Zaev pret që deri në fillim të qershorit të përgatitet projekt-vendimi për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10D

Kryeministri Zoran Zaev dje deklaroi se ka mundësi që deri në fund të majit ose në fillim të qershorit institucionet kompetente në vend ta përgatisin projektvendimin për modelin sipas të cilit do të realizohet ndërtimi i paralajmëruar i pjesëve të autostradës Tetovë-Gostivar- Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qathanë dhe Prilep-Manastir nga ana e konsorciumit amerikano-turk “Behtel-Enka”, përcjellë Portalb.mk.

Zaev deklaroi se shërbimet e ekspertëve qeveritarë të udhëhequra nga zëvendës Kryeministri Artan Grubi, ministri i Transportit Blagoj Boçvarski dhe ministra të tjerë të resorëve ekonomikë, së bashku me NP Rrugë Shtetërore, po punojnë në modelin e plotë.

“Në dispozicion i kemi Ligjin për investime strategjike, Ligjin për partneritet strategjik, të cilin mund që në përputhje me Ligjin për furnizime publike ta përfundojmë në Kuvend, por t’i lëmë shërbimet juridike të japin modelin më të favorshëm për Maqedoninë e Veriut, si është më e përshtatshme të veprojmë që të mund, sidoqoftë, të ruajmë transparencën dhe konkurrencën në mënyrë që të marrim kompani cilësore”, deklaroi Kryeministri Zaev.

Një muaj më parë, Qeveria nënshkroi Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me Behtel-Enka për përgatitjen e dokumentacionit të projektit dhe ndërtimin e tre seksioneve të autostradave në Korridoret 8 dhe 10D. Zaev dje deklaroi se me implementimin e këtyre projekteve infrastrukturore, vendi do të plotësonte të gjitha nevojat e autostradave që ekzistojnë aktualisht.

Përndryshe, me vite të tëra, qarkullimi në  aksin rrugor Trebenishtë-Strugë- Qafë Thanë, zhvillohet në kushte shumë të këqija. Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për kushtet e mjerueshme të këtij segmenti të Korridorit VIII. Ditë më parë Portalb.mk reagoi se si zhvillimi i ekonomisë mbahet peng nga infrastruktura e dobët rrugore në këtë pjesë, ku si pasojë për qasje në portin e Durrësit në Shqipërinë fqinje, automjetet e mallrave qarkullojnë nga Kosova.

Në fakt, mungesa e sinjalistikës bazike, asfalti i copëtuar dhe valëzuar në disa pjesë dhe gropat e mëdha të hapura në magjistralen Strugë – Qafë Thanë, jo vetëm që pengojnë zhvillimin e ekonomisë së vendit por mbi të gjitha rrezikojnë jetën e qytetarëve që lëvizin nëpër këtë rrugë. Përndryshe, aksi rrugor në fjalë është rruga kryesore që na lidh me Shqipërinë dhe është rrugë shumë e frekuentuar si nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut ashtu edhe nga qytetarët e Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button