Gjermania hodhi poshtë vërtetësinë e non-paperit

“Gjermania dhe Franca hedhin poshtë raportimet e mediave lidhur me të ashtuquajturin “non paper gjermano-francez. Kjo letër nuk është e vërtetë dhe nuk reflekton në asnjë mënyrë pozicionet e Gjermanisë dhe Francës”.

Kështu ka thënë ambasada gjermane në Prishtinë për Radion Evropa e Lirë, lidhur me një dokument që ka qarkulluar në disa media në Kosovë, e që flet për themelimin e të ashtuquajturit “distriktit autonom të Kosovës së Veriut” dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

“Non-paper”, është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.

Gazeta “Koha Ditore” e ka publikuar këtë dokument, i cili është thënë të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca, si iniciativë për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare.

Koha Ditore ka shkruar se nuk ka mundur të konfirmojë vërtetësinë e këtij dokumenti, “por disa diplomatë me të cilët ka kontaktuar gazeta, pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog”.

Në Qeverinë e Kosovës, kanë refuzuar të komentojnë informacionet që përmban ky “non-paper” i ri.

Në përgjigjjen e ambasadës gjermane është thënë edhe se Gjermania dhe Franca mbështesin plotësisht vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak ka mbështetjen tonë të plotë”, është thënë mes tjerash në përgjigjje.

Të dyja këto vende kanë thënë edhe se mbështetesin ndihmën për vendet e Ballkanit Perëndimor që të arrijë përparim drejt Bashkimit Evropian, pa harruar edhe bashkëpunimin e fuqishëm në këtë rajon.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se “non-paper” i publikuar nga “Koha Ditore” është “lajm i rremë”.

Kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, i është përgjigjur postimit në Twtter të ambasadorit gjerman, Rohde, duke thënë se “siç kemi thënë në artikull, supozohet se (dokumenti) është gjermano-francez… por, pikat që përshkruhen në këtë ‘non-paper’, fliten brenda dialogut të udhëhequr nga BE-ja”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka nisur më 2011.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë të hënën se dialogu mes këtyre dy vendeve pritet të vazhdojë më 11 maj në Bruksel.

Mirëpo zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë të njëjtën ditë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim në këtë datë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button