Tetovë, s’ka kushte, Spirovski tha se autobusët mund të mos qarkullojnë as verës

“Nuk mund të garantoj që autobusët për transport publik do të qarkullojnë në qytet gjatë verës” kështu tha drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Darko Spirovski në një intervistë për Portalb.mk, ku përmendi dy arsye të mos lëshimit në funksion të transportit publik, përkundër faktit se autobusët kanë arritur në qytet nga muaji janar i këtij viti, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse kanë kaluar gati 4 muaj nga koha kur pesë autobusë për transport publik arritën në Tetovë, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” theksoi se kjo ndërmarrje ende nuk ka asnjë të punësuar dhe se aktualisht janë në fazën e intervistimit të 12 shoferëve.

“Momentalisht jemi në fazën e zgjedhjes së kuadrit, javën e kaluar kisha intervistë me shoferët të cilët do të vozisin, gjithashtu bisedova dhe intervistova njerëz të cilët do të duhet të jenë pjesë e administratës. Këto janë punë operative që duhet të kalohen” tha Darko Spirovski.

Cila është arsyeja që autobusët ende nuk janë në terren?

Sipas Spirovskit, ekzistojnë dy arsye se pse transporti publik ende nuk është funksionalizuar në Tetovë, arsyeja e parë ka të bëje me rrethana objektive ndërkaq e dyta është mendim i tij si drejtor, pra subjektive.

Spirovski potencoi se ende nuk janë siguruar kushtet infrastrukturore në mënyrë që autobusët të mund të qarkullojnë pa probleme shtesë në Tetovë, ai tha se me kushtet aktuale do të pamundësohej respektimi i orarit të përpiluar paraprakisht.

“Ajo objektive është se kushtet e rrugëve ende nuk janë në atë nivel që të mund autobusët të vozisin në kohë. Për ne kjo është e nevojshme, sepse orari i autobusëve është vendosur, koha prej njërit te tjetri nënstacion janë definuar, dhe ne si firmë duhet të sigurojmë kushte që ai orar të respektohet, praktikisht kur njerëzit të ulen dhe të presin autobusin në një kohë të caktuar, autobusi duhet të arrijë ndërsa ju e shihni se si është situata në qytet, nuk është se komuna nuk ka filluar me kampanjë dhe me procedura që kjo të rregullohet, praktikisht na nevojitet që një pjesë e rrugëve të jenë pa vendparkime anësore, sidomos rruga e “Ilindenit”, kjo do të thotë nga vendi ku jemi tani deri te Universiteti i Evropës Juglindore, nuk duhet të ketë asnjë veturë të parkuar në të dyja anët, ky është momenti i parë, e dyta është që ana e djathtë e rrugës të jetë rrugë me përparësi kalimi për autobusët, kjo nuk do të thotë se ajo korsi nuk duhet të shfrytëzohet nga shoferët apo pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, mirëpo kur do të kalojë autobusi ata duhet të ja lirojnë rrugën që autobusi të mund të kaloje” tha Spirovski.

Ndërkaq, sipas mendimit të Spirovskit, në qoftë se autobusët për transport publik do të qarkullonin që tani në qytet, ndërmarrja do të përballej me humbje të madhe dhe me borxhe për shkak se siç potencon ai, nuk janë as studentët e as nxënësit që sipas tij janë klientët potencial.

“Sipas arsyes subjektive, ky është vlerësim i imi, është qëndrim i imi personal dhe këtu askush nuk ka ndikuar, gjithsesi që ndërmarrja duhet të punoje me profit, që të mund të paguhen shoferët, administratorët e kështu me radhë. Klientët tanë, që kryesisht janë studentët, nxënësit, ata janë jashtë funksionimit normal të tyre, dhe ju mund të paramendoni tani, në qoftë se ne lëshojmë pesë autobusë të funksionojnë në bazë ditore, sa harxhim është kjo, këtu janë paga për 12 shoferë, paga për administratorë, karburanti, që nuk është aspak i lirë, unë nuk jam shumë i sigurt që me potencialin aktual të klientëve të cilët do të shfrytëzonin autobusët ne do të jemi në një fazë ku do të ja vlente, dhe ky është një moment i ri që për herë të parë te ju përmes kësaj deklarate po e deklaroj” tha Spirovski.

Ndërkaq në pyetjen e gazetarit të Portalb.mk se pse këto kushte për funksionim të transportit publik nuk janë plotësuar para se ata të arrijnë në Tetovë, Spirovski theksoi se kjo është një diçka e re për të gjithë dhe se Tetova asnjëherë nuk ka pas një strategji konkrete për këtë çështje.

“Sepse që të jemi të sinqertë, gjithsesi, transport publik në Tetovë jo se nuk ka pasur më herët, ka pasur por gjithë ajo sipas meje ka qenë sa për tu provuar dhe për tu parë se si do të funksiononte, pra nuk ka qenë e vendosur si problem strategjik, që të zgjidheshin disa nevoja në mënyrë që ajo të funksiononte. Ka pasur autobusë, por ato kanë funksionuar ja si tani, të lëshonim autobusët në këtë moment ne do të kishim momentin e njëjtë si para disa viteve që ka pasur transport publik” tha Spirovski.

Përkundër faktit se qytetarët vazhdimisht pyesin për kohën e funksionalizmit të transportit publik, Spirovski nuk garantoi se këta autobusë do të mund të qarkullojnë këtë verë, theksoi se pret përmbushjen e dy kushteve kryesore të lartpërmendura.

“Unë përsëri ju potencoj se garanci nuk mund të jap, shihni se çfarë është garancia, garancia është se në qoftë se ju them po do ti lëshojmë autobusët në funksion dhe do ti lëshojmë, mirëpo çfarë në qoftë se pas disa muajve ne e shohim se praktikisht, në këto kushte që jemi tani, do të shihnim se do të ishte një investim i dështuar dhe nuk do të kishim asnjë të ardhur, unë do të mund të ju garantoj se autobusët do të lëshohen në funksion me kapacitet të plotë vetëm në kushtet kur këta dy arsyet objektive dhe subjektive do të përmbushen. Ne ndoshta do të fillojmë në qoftë se krijohen kushtet në komunikacion që autobusët të lëvizin, mirëpo nuk mund të garantojmë që firma do të jetë likuide dhe ky është momenti i parë, tani e dini, këtu vendosen dy pikëpyetje, se a është më mirë që ti lëshojmë autobusët të punojnë edhe me humbje, që firma të fundoset në borxhe, apo do të ishte më praktike dhe më e rregullt që të themi se kur do të ketë kushte të nevojshme, klientë të mund të mbulohet kjo” shtoi Spirovski.

Ndryshe, ai shtoi se edhe sikur të siguroheshin të gjitha kushtet infrastrukturore në mënyrë që autobusët të qarkullonin pa pengesa, mendimi i tij është se përsëri ndërmarrja “Tetova Transport” në qoftë se autobusët dalin në terren në këtë kohë, do të përballej me borxhe dhe humbje të madhe, andaj ai nuk është shumë optimist sa i përket kushteve aktuale.

Ndryshe, premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button