GREKO: Është e papranueshme që Kodi i sjelljes së funksionarëve të jetë në duart e zëvendës-kryeministrit

Nga gjithsej 23 rekomandime të GREKO-s për luftë kundër korrupsionit për Maqedoninë, vetëm katër janë zbatuar, nëntë pjesërisht dhe nëntë nuk janë zbatuar, u konkludua sot në Strasburg si pjesë e raundit të pestë të vlerësimit të gjendjes për luftë kundër korrupsionit. Në takimin e sotëm të vendeve të Këshillit të Evropës, u arrit në përfundimin se lufta e Maqedonisë kundër korrupsionit është në nivel të kënaqshëm, transmeton Portalb.mk.

Raundi i pestë i vlerësimit të GREKO-s ka të bëjë me “Parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e integritetit të pushtetit qëndror”, gjegjësisht personave të cilëve u janë besuar funksionet më të larta ekzekutive si dhe organeve të zbatimit të ligjit.

Një vërejtje negative në deklaratën pas takimit theksohet se fakti që zëvendës Kryeministri për Antikorrupsion Ljupço Nikollovski është përgjegjës për zbatimin e kodit është i papranueshëm dhe i jokompatibil me praktikën e GREKO-s, pasi zëvendës Kryeministri, i cili është përgjegjës të hetojë dhe sanksionojë shkeljet nuk duhet që njëkohësisht të sigurojë këshillim konfidencial dhe mbledhje provash për shkelje të Kodit.

“Tutje, mungesa e vazhdueshme e vlerësimeve të rrezikut të integritetit dhe vlerësimeve të rregullta të ndikimit të masave për integritet në pushtetin qendror është shqetësuese. Megjithëse buxheti i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK) ka burime të konsiderueshme financiare, i njëjti akoma nuk është plotësisht funksional dhe nuk mund të kryejë siç duhet detyrat e tij sipas ligjeve në fuqi për momentin. Një shqetësim i veçantë është numri i konsiderueshëm i konflikteve të interesit dhe rastet e zbulimit të pasurive që përfshijnë persona që mbajnë funksionet më të larta ekzekutive, të përpunuara nga KShPK. Më tej, nuk duket se është kryer analizë adekuate e zbatimit praktik të sanksioneve për konflikt interesi dhe shkelje të tjera të integritetit, ose se ky regjim sanksionimi është rishikuar për të siguruar që plotëson parakushtet për efektivitet, proporcionalitet dhe dekurajim”, thuhet në njoftim. 

Në lidhje me agjencitë e zbatimit të ligjit (policia), është pozitive që informacionet mbi buxhetin, aktivitetet, vendimet, procedurat administrative dhe prokurimin publik të Byrosë për Siguri Publike – një nga strukturat më sekrete të qeverisë – është bërë më e arritshme në internet.

GREKO gjithashtu mirëpret hapat përgatitorë për futjen e testimit të integritetit për personat që hyjnë në polici, si dhe personelin e policisë gjatë gjithë shërbimit të tyre. Mbikëqyrja e jashtme e forcave policore nga Zyra e Avokatit të Popullit dhe Prokuroria Themelore Publike për krim të organizuar dhe korrupsion duket e përshtatshme.

Përkundër kësaj, mbeten për tu rishikuar dobësitë dhe rreziqet e korrupsionit policor dhe evaluimi e vlerësim i rregullt i ndikimit të programeve vjetore anti-korrupsion të policisë. Më e rëndësishmja, pavarësia operacionale e policisë duhet të jetë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës për punën demokratike të policisë dhe depolitizimin e saj duhet të sigurohet në ligj dhe në praktikë.

Miratimi i Kodit të ri etik për personat që mbajnë pozitat më të larta ekzekutive, pastaj rishikimi i Dekretit qeveritar për pranimin e dhuratave në institucionet publike, përfshirë pushtetin qendror, si dhe përgatitja e Udhëzuesit praktik me indikacione të qarta për personat që kryejnë funksionet më të larta ekzekutive se si të identifikojnë konfliktet e interesit janë gjithashtu zhvillime pozitive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button