Marigona Komani: Violonçelo më la përshtypje madhështia të cilën e reflektonte si instrument (VIDEO)

Është nga Gjakova, por ka disa vite që jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë. Dashuria e saj për t’u zhvilluar profesionalisht bëri që ajo të braktisë vendin e saj, për të vijuar studimet për violonçelë. Merr pjesë në shumë festivale dhe masterklasa kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht është pjesë e orkestrës “Kammermusik Orkester Wien”. Bëhet fjalë për Marigona Komanin. Për Portalb, sot Marigona flet për rrugëtimin e deritanishëm në muzikë!

“Si fëmijë, muzikën e kam dashur shumë. Jam rritur në një rreth ku është pëlqyer arti dhe për këtë arsye kam marrë pjesë në shumë koncerte të ndryshme të shkollës, por edhe jashtë saj. Edukimin tim muzikor e kam filluar në Gjakovë me instrumentin e pianos që në moshën 8-vjeçare, për të vazhduar më pas me instrumentin që doja më shumë se gjithçka, pra me violonçelon.” u shpreh Marigona.

Për shekuj me radhë tingujt e violonçelos janë krahasuar me zërin e njeriut dhe kjo është ajo që e bën këtë instrument kaq të veçantë dhe tërheqës.

“Violonçeloja më ka hyrë në zemër për herë të parë kur e kam parë në një transmetim televiziv në orkestër, pikërisht në orkestrën e qytetit, ku tash jetoj dhe studioj, në “Filarmoninë e Vjenës”. Më la përshtypje madhështia të cilën e reflektonte si instrument, për të kuptuar më pas që tingullin e kishte  edhe më madhështor .” tha Marigona.

Ndërsa, kur u pyet Marigona për planet për të ardhmem, ajo tha:

“I gëzohem të ardhmes sa i përketë të rejave. Pres që të lirohemi nga pandemia e të vazhdojmë jetën në ritmin normal. Planet për të ardhmen janë të shumta, shpresoj qe sa më shpejt të jetë e mundur mbajtja e koncerteve dhe pjesëmarrja në festivale të ndryshme. Besoj se me punë dhe përkushtim do të arrihen të gjitha. Dëshira ime është që në një mënyrë ose në një tjetër të jap një kontribut për vendin tim dhe shpresoj qe kjo do të realizohet.” tha Marigona.

Mesazhi që Marigona përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Në këtë kohë pandemie të mundohemi ta ruajmë qetësinë. Jemi të gjithë në situatën e njejtë! E ashtu si gjithësecili edhe unë e kam të vështirë të përshtatem në kushte të tilla, mirëpo sigurisht edhe kjo do të kalojë. Ne duhet të mundohemi të vazhdojmë rrugën drejt sukseseve që gjithësecili prej nesh i synon.” tha Marigona Komani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button