BE-ja e gatshme ta mbështesë ndërtimin e hekurudhës së shpejtë nga Beogradi në Tabanoc

Hekurudha e shpejtë nga Beogradi deri në kufirin maqedono-serb afër Tabanovcit është projekt kapital i infrastrukturës për të cilin Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë Serbinë me investim financiar midis 35 dhe 50 përqind të fondeve të nevojshme, ose nga 600 në 700 milion euro, raporton e përditshmja serbe Politika.  Ky është epilogu i takimit midis Presidentit Serb Aleksandar Vuçiq dhe Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Layen, transmeton Portalb.mk.

Presidentja e Komisionit Evropian në postimin e saj në Twitter theksoi se me Presidentin Vuçiq biseduan për pandeminë kovid-19, dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, nevojën për një hap pozitiv drejt sundimit të ligjit në Serbi, rimëkëmbjen ekonomike dhe hekurudhën nga Beogradi deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut të cilën BE është e gatshme ta mbështesë.

Edhe përkundër njoftimit triumfues në mediat serbe për zhvillimin e hekurudhës së Korridorit 10 në territorin e Serbisë, “Euronews” nga Brukseli, gjithsesi raporton për presionin e Brukselit ndaj Presidentit Serb Vuçiq për vazhdimin e negociatave me Prishtinën, gjatë së cilës bisedë, von der Layen ia ka bërë të qartë se duhet të ketë hap pozitiv përpara në dialog për të përshpejtuar anëtarësimin e Serbisë në BE.

Mediat serbe, pas takimit midis Vuçiq dhe von der Layen, citojnë kryesisht premtimin e Brukselit zyrtar se do të investojnë në projektin hekurudhor, i cili do të mundësojë që midis Beogradit dhe kufirit serbo-maqedonas të udhëtohet me trena që do të arrijnë shpejtësinë prej 200 km në orë. Gazeta “Danas” raporton se Vuçiqi ka thënë se i gjithë projekti Serbisë do t’i kushtonte 1.2 miliardë euro. Koha e udhëtimit të trenave të pasagjerëve dhe mallrave me këtë projekt do të zvogëlohet nga katër në shtatë herë.

Presidenti serb Vuçiq përmendi se vendi i tij do të insistojë që projekti të përfundojë deri në fund të vitit 2025 ose në fillim të vitit 2026. Ai vuri në dukje se hekurudha me shpejtësi të lartë nga Nishi në kufirin maqedono-serb do të jetë më e vështirë për t’u ndërtuar, por gjithashtu se negociatat për zbatimin e saj do të fillojnë sapo që të përfundojnë projektet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button