Mariçiq: Plotësisht do të digjitalizohen 34 gjykata dhe mbi 120 salla gjyqësore, po futet edhe gjykimi online

Digjitalizimi i gjyqësorit dhe reformat në sistemin gjyqësor ishin në fokus të konferencës së djeshme të përbashkët për shtyp të Kryeministrit Zoran Zaev, ministrit të Drejtësisë Bojan Mariçiq dhe kryetarit të Gjykatës Themelore në Kavadar, Lazar Nanev, transmeton Portalb.mk.

Ministri Mariçiq prezantoi aktivitetet e planifikuara për digjitalizimin e gjyqësorit.

“Plotësisht do të digjitalizohen 34 gjykata dhe mbi 120 salla. Marrim përsipër të sigurojmë fonde për mirëmbajtjen e pajisjeve që do të instalohen në gjykata, por edhe për forcimin e burimeve njerëzore. Digjitalizimi do të nënkuptojë edhe futjen e gjykimeve online, të cilat do t’i përshpejtojnë shumë procedurat, të cilat do të jenë më të lira, kurse mundësitë për vonesa do të jenë të reduktuara ndjeshëm. Për shembull, me digjitalizimin dhe ndryshimet në Ligjin për kundërvajtjet, nëse një banor i Shkupit kryen shkelje trafiku në Ohër dhe duhet të shkojë në një gjykatë për kundërvajtje, nuk ka nevojë të udhëtojë në Ohër”, informoi Mariçiq, i cili shton seme futjen e platformës për interoperabilitet mundësohen lidhja e të gjitha institucioneve, shkëmbimin më i shpejtë dhe disponueshmërinë e të dhënave, punë më efikase dhe shërbim më i shpejtë për përdoruesit përfundimtarë.

Gjykatësi Nanev, kryetari i grupit të punës për digjitalizimin e gjyqësorit, tha se me të përmirësohet integriteti gjyqësor dhe forcohet besimi i publikut përmes forcimit të transparencës dhe llogaridhënies.

“Përmirësohet edhe mbrojtja e sistemit, ndërsa edhe bashkëpunimi me organizata të tjera ndërkombëtare. Me Plani operacional të Qeverisë, janë siguruar 90 milion denarë (1.5 milion euro) për vitin 2021, ndërsa për vitin 2022, ai buxhet rritet në mënyrë shtesë. Fondet do të përdoren për rehabilitimin e harduerit dhe softuerit, me çla do të forcohen sistemet e ruajtjes së të dhënave në të gjitha gjykatat në vend”, tha Nanev, i cili informoi se 187 salla gjyqësore do të pajisen me pajisje digjitale më moderne për gjykim online pa pengesa.

Analizat tregojnë se gjykimt online rrisin efikasitetin dhe transparencën për 60 përqind, ndërsa ulin edhe harxhimet.

“Vetëm me 15 institucione të lidhura me sistemin e ndërveprimit do të kursehen 15 milion euro në vit, ose 2.5 ton letër, gjegjësisht 3,000 drunj”, tha Nanev.

Sipas kryeministrit Zaev, pas më shumë se një dekade të kapjes së gjyqësorit dhe pengimit të mbrojtësve të fundit të krimit nga partia më e madhe e opozitës, janë sjellë ligje sistematike në këtë fushë. Si rezultat i këtyre reformave, lëndët për krim të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë janë të gjalla dhe po gjejnë dhe do të vazhdojnë të gjejnë zgjidhe.

“Funksionarët e lartë, ministra, tashmë janë duke vuajtur dënime me burg për vepra të rënda penale. Vitin e kaluar, Këshilli Gjyqësor inicioi 80 çështje, ndërsa dhjetra gjyqtarë janë shkarkuar”, tha Zaev.

Përndryshe, në një intervistë për Portalb.mk, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq kohë më parë tha se digjitalizimi është një proces më gjithëpërfshirës, i cili përfshinë disa çështje të cilat çojnë në të njëjtin qëllim.

“Ka disa elemente që janë shumë të rëndësishme, njëri prej elementeve është krijimi i kushteve ligjore për mundësinë e gjykimit online dhe nxjerrjen e provave online, por edhe dëgjimin e dëshmitarëve. Pjesa e dytë është këtë që e thoni për pajisjen e sallave të gjykatave nëpër shtet. Plani ynë është që të pajisen afërsisht 180 salla të gjykatës në shtet. Ai plan është i mbuluar financiar nga disa faktorë të rëndësishëm nga komuniteti ndërkombëtar, Ambasada e SHBA-së, OSBE dhe BE në një pjesë. Me Qeverinë e Norvegjisë jemi në bisedime për mbështetje financiare për plotësim dhe avancim të sistemit AKMIS, i cili menaxhon me lëndët, pra është një komponentë tjetër e digjitalizimit. Vazhdon një projekt të cilin e zbaton OTA, a bëhet për digjitalizimin e urdhrave gjyqësor për Masat e Veçanta Hetuese dhe ajo është me mjete tona dhe gjithashtu në atë pjesë çështja e interoperabilitetit këtu më shumë duhet të na ndihmojë BE, pra këtu bëhet fjalë për komunikimin mes vete të institucioneve, gjegjësisht gjykatave, prokurorisë, Avokatit të Popullit, avokatëve, Kadastrës etj.  Këto elemente kur t’i mbledhim duhet të fitojmë një fotografi të plotë për digjitalizimin. Pjesa më e madhe duhet që të ndodh deri në fund të këtij viti, flas për pajisjen e sallave të gjykatave, pra lë hapësirë duke e pasur parasysh krizën e kovidit, që të ketë ndonjë anulim, megjithatë plani ynë është që për një vit të kemi rezultate të dukshme. Pres që së shpejti qeveria të miratojë plan aksional për digjitalizim të gjyqësorit dhe të definohen këto procese.” tha Bojan Mariçiq.

Gjykimet online janë duke u shqyrtuar që nga fillimi i pandemisë, pasi ka raste pozitive ose të izoluara midis të pandehurve dhe seancat shpesh janë shtyrë.

Në tetor të vitit të kaluar, kryetari i Këshillit gjyqësor Kiro Zdravev vuri në pah se ekzistojnë pengesa për shkak të së cilave vihet në dyshim zbatimi i kësaj ideje, e kjo është pëlqimi i të pandehurit për këtë lloj gjykimi.

Megjithatë, përveç pengesave ligjore për mbajtjen e onlajn gjykimeve, problem tjetër me të cilin përballen gjykatat, nëse tashmë do të krijohen kushtet për gjykim të tillë, është fakti që shumica e gjykatave në vend nuk janë të pajisura teknikisht për procedura të tilla.

Se në çfarë gjendje e kemi gjyqësorin, tregon edhe anketa e Institutit Republika Ndërkombëtar (IRI), sipas të cilës 79 përqind e qytetarëve nuk kanë besim në gjyqësorin dhe ky është nivel rekord negativ, që nuk e ka asnjë shtet në rajon.

Reformat në pushtetin gjyqësor vazhdojnë të jenë pika e zezë e  të gjitha pushteteve të deritanishme, të cilat nuk arritën që ta ndajnë nga ndikimet politike. Pandemia e virusit korona i la në hije këto reforma, të cilat përveç se janë të rëndësishme për vetë funksionimin e shtetit ligjor, janë dhe kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e vendit në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button