Themeluesi i kompanisë turke është zhdukur drejt Shqipërisë me 2 miliardë dollarë, raportojnë mediat vendase

Themeluesi i një kompanie të shkëmbimit të valutave elektronike në Turqi është zhdukur. Raportimet e mediave në vend thonë se ai mund të jetë larguar nga Turqia me 2 miliardë dollarë, ndërsa të paktën 300,000 përdorues kanë humbur aksesin në llogaritë e tyre, shkruan Euronews.

Në Turqi, monedha kombëtare, Lira, ka pasur një rënie të vazhdueshme për nëntë vite me radhë, duke i shtyrë qytetarët të ndërmarrin rreziqe me shpresën për të mbrojtur kursimet e tyre, apo për të fituar diçka. Rritja e papritur e kohëve të fundit të valutave elektronike tërhoqi shumë investitorë, por gjërat nuk shkuan aq mirë për Thodex, një ndër kompanitë më të mëdha të shkëmbimit në Turqi, e cila humbi rreth 2 miliardë dollarë.

Thodex me të paktën 700 mijë përdorues, pjesa më e madhe prej të cilëve u regjistruan pasi kompania ofroi disa miliona “Dogecoins” falas, thonë se shumë “Dogecoins” nuk u shpërndanë asnjëherë.

Mediat raportojnë se 390,000 përdorues nuk mund të hyjnë në llogaritë e tyre. Thodex deklaroi se e mbylli “përkohësisht” platformën për të “rregulluar një luhajte anormale në numrin e përdoruesve të kompanisë”.

Faruk Fatih Ozer, themeluesi i Thodex, ka fluturuar drejt Shqipërisë, duke marrë me vete 2 miliardë dollarë, paratë e investitorëve në kompaninë e tij.

Ministria turke e drejtësisë po kërkon të bashkëpunojë me Interpolin për të arrestuar Ozerin.

Thodex i mohon të gjithë pretendimet dhe thotë se ky problem ka prekur vetëm 30,000 përdorues. Kompania thotë se raportimet e pasakta të mediave kanë shkatërruar reputacionin e kompanisë, duke e bërë vazhdimin e veprimtarisë së saj të pamundur.

“Pretendimet se llogaritë e 391,000 personave janë zhdukur pas humbjes së të paktën 2 miliardë dollarë, janë të pabaza”, shkruhej në deklaratën e Thodex.

Themeluesi i Thodex është zotuar se do t’i kthejë të gjithë investitorëve paratë e humbura, por nuk ka treguar se si apo kur planifikon ta bëjë këtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button