Kosovë, u publikua raporti për monitorimin e gjykimeve mbi krimet e luftës

Përparim i ngadaltë është shënuar gjatë vitit 2020 nga gjykatat lidhur me gjykimin e krimeve të luftës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu ka bërë të ditur raporti vjetor i publikuar nga Fondi për të Drejtë Humanitare në Kosovë (FDHK) për vitin 2020, i titulluar “Gjykimet për krimet e luftës: Përparim i ngadaltë”.

Udhëheqësja e projektit mbi monitorimin e gjykimit për krime lufte, Anka Kurteshi-Hajdari tha se pandemia e COVID-19 ka pasur ndikim edhe në gjyqësorin në Kosovë duke bërë që për një periudhë gjykatat të mbyllen dhe kjo të reflektojë në drejtësi.

Ajo theksoi se monitoruesit e FDHK-së në periudhën e raportimit (1 janar – 31 dhjetor e vitit 2020) i kanë monitoruar 58 seanca të trupave gjykuese të gjykatave themelore në tetë lëndë lidhur me aktakuzat për veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile.

“Për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar ose akuzave se kanë kryer krim të luftës kundër popullatës civile, gjatë vitit 2020 kanë filluar ose në faza të ndryshme janë zhvilluar procedurat penale në 11 lëndë kundër tetë serbëve dhe tre shqiptarëve. Lidhur me akuzat e tjera, të cilat kanë qenë të lidhura me krimet e luftës dhe kanë prapavijë politike ose etnike, në tri lëndë kanë qenë të përfshirë 23 shqiptarë, tetë serbë dhe një boshnjak”, tha Kurteshi-Hajdari.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila mori pjesë në këtë konferencë, tha se ministria që ajo udhëheqë do ta ketë prioritet adresimin e krimeve të luftës. Ajo thotë se pavarësisht që kanë kaluar dy dekada nga lufta, “kjo është koha e fundit që duhet adresuar krimet e luftës”.

Sipas saj, nuk ka vend si Kosova që ka neglizhuar këto krime, prandaj “duhet drejtësi për atë që ka ndodhur gjatë luftës”.

Në këtë drejtim, ministrja kosovare tha se së pari duhet të fuqizohen kapacitetet e Prokurorisë Speciale, kjo ngase, në prokurori janë vetëm katër prokurorë që merren me krimet e luftës ndërsa numri i lëndëve të tyre është shumë i lartë.

Haxhiu tha se në maj të këtij viti do të nisin themelimin me ligj të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Ende nuk ka një dokumentim institucional për gjithë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Dhe, padyshim që kjo për një shtet të pavarur është e papranueshme duke pasur parasysh historinë apo të kaluarën e rëndë që ka kaluar Republika jonë”, theksoi Haxhiu.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog tha se BE-ja e përkrahë këtë proces derisa mirëpret edhe progresin më të vogël që shënohet në këtë drejtim.

Szunyog theksoi se në këtë proces mund të arrihet më shumë duke profesionalizuar grupin e hetimit të krimeve të luftës: ku janë të përfshirë, policët, investiguesit, prokurorët por dhe gjyqtarët.

“Është me rëndësi që ky proces të udhëhiqet nga ata që kanë e kanë kaluar këtë përvojë dhe kanë përvojë të gjerë në hetimin e krimeve të luftës”, theksoi Szunyog.

FDHK në fund të raportit të këtij viti i ka rekomanduar domosdoshmërinë e vendosjes së bashkëpunimit juridik me Serbinë. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet që në rendin e ditës të negociatave me Serbinë një nga çështjet prioritare të jetë vendosja e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button