Spiritualiteti dhe kriza: konteksti vendor (1)

Bota vazhdon të notojë në një drejtim të panjohur edhe në vitin 2021, burim ky i një lloji të ri të pasigurisë dhe frikës. Bashkë me të edhe Maqedonia e Veriut, ku jemi mësuar të jetojmë me të gjitha llojet e lëkundjeve të tranzicionit, nga ato ekonomike deri te ato politike, sociale, tani edhe shëndetësore. Edhe tek ne, në Maqedoninë e Veriut siç e shprehet një autor vendas “Përbindëshi me qafë të gjatë”, Covid-19 vazhdon të bëjë kërdinë. Ai i përngjan “Lok Nes”-it, që ka një gungë të madhe që bie poshtë dhe një qafë të madhe që ngrihet në qiell. Dallimi është se përbindëshi Lok Nes është një krijesë mitologjike nga përrallat popullore në viset malore skoceze, kurse ky yni nga grafikët është i vërtetë, agresiv dhe vdekjeprurës. (Вангели, 2020)

Sikur në vendet tjera edhe tek ne ka një korelacion mes virusit dhe fetarisë. Nga hulumtimet ndërkombëtare dhe vendore konstatohet se popullata e Maqedonisë së Veriut është një nga më religjiozet në botë. Në studimin që ne kemi realizuar në vitin 1997, 78 % e studentëve janë shprehur se besonin te Zoti krijues i gjithësisë (te studentët shqiptarë kjo % doli 98.4, kurse tek ata maqedonas 58.9). (Pajaziti, 2003: 95, 98) Një studim i vitit 2009 i realizuar me 160 studentë (5 % maqedonas ortodoksë) të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” është konstatuar se 81,3 % të të anketuarve janë përgjigjur se besojnë në Zot (39.5% fetarë konform fesë të cilës i përkasin; 10.2% jofetarë, 2.3% kundërshtarë të fesë). (Ацески, 2009: 70) Të kësaj vije janë edhe të dhënat nga studimi i Amel Kurtishit, realizuar më 2010 me 333 të rinj nga qyteti i Shkupit, sipas të cilit për 93 % të myslimanëve dhe 74.9 % të të krishterëve “praktimi i fesë është një gjë shumë e rëndësishme” (për 85.3 %-shin “Zoti është krijues i gjthçkaje që ekziston”). (Куртиши, 2020: 97-98) Punimi i masterit i Mixhit Osmanit, mbrojtur në universitetin e Bursës, nga viti 2014, që ngërthen një hulumtim empirik, anketë me 940 nxënës e studentë të qytetit të Tetovës, sjell gjetje më te reja, fetari edhe më të theksuar:  98.6 % janë shprehur se besojnë në njëshmërinë e Zotit. (Osmani, 2014: 89).

Hulumtimi i Brima Gallup i fundvitit 2016 i realizuar në 68 shtete me 66,541 person tregon se Maqedonia është vendi i dytë për nga religjioziteti në Europë: 84 % e qytetarëve janë religjiozë (10 % afetarë dhe vetëm 1 % ateistë; 88 % besonin në Zot). Sipas një hulumtimi të realizuar vitin e kaluar nga IPIS, Religija.mk dhe Konrad Adenauer Stiftung me 1110 respondentë, 86 % të qytetarëve janë shprehur se janë fetarë ose deri diku fetarë (% e njerëzve pa ndjesi fetare te të krishterët 16 %, kurse te myslimanët 4 %). (Божиновски-Николовски, 2020a:9) Sipas tre hulumtimeve te realizuara në dhjetor 2019, prill 2020 dhe korrik 2020 konstatohet një rritje të fetarisë me plot bindje. Në pyetjen “A e konsideroni veten fetar?” vargu i përgjigjes me “Po” të palëkundshme është ky: 50.9%. 51.1% dhe 54 .5% (këtyre duhet shtuar edhe përgjigjet me “Deri diku po”, 33.4 %, 32.7% dhe 30.7%).

Gjendja e krizës tmerruese shëndetësore sikurse të tjerat (p.sh në arsim ka shkaktuar dëmtime marramendëse, ka ndikuar te 94 % të nxënësve-studentëve, 1.6 miliardë fëmijë; “ka shkaktuar humbje të nxënies” [Li & Lalani, 2021]) ka prekur edhe sferën e fesë dhe të fetarisë. “Covid-19 që është reflektuar te besimtarët si edhe funksionimin aktual të organizatave fetare në Maqedoninë e Veriut. (Божиновски & Никловски/b, 2020: 5)

Një webfaqe për të ilustruar situatën ka shfaqur imazhin e një besimtari orthodoks që në kohë të koronavirusit ndez qirinjtë për lutje gjatë shërbimit të mëngjesit në Kishën e Shën Klementit të Shkupit. (directrelief.org) Në rrjetet sociale më 20 mars të vitit të kaluar, e premte, një besimtar nga Maqedonia pati postuar edhe këtë: “Of. S’paska pasë pervojë më të hidhur për besimtarin se ezani i xhumasë në të thatë.” Një kolumnë e datës 30 të muajit të njëjtë do të shënojë edhe këtë:

“20 mars. E premte, tradicionalisht, konservatorisht, fetarisht, myslimançe: e xhuma. Dita e tubimit, e takimit, e kuvendimit javor, në tempull, në xhami. Dita më e mbarë e javës. E kulturizimit religjioz, e socializimit, e mbushjes së baterive nga priza hyjnore. Shkollë javore, stërvitje shpirtërore. Çaste të kontaktit me metafiziken, me qielloren duke qenë përtoke, në këtë botë. Momente të kalimit në një botë tjetër, të ngjitjes drejt vertikales së pafundme. Rutinë e homo religiosus-it për çdo javë. Destinacioni i mesditës premtore. Por “virusi enigmatik” neve besimtarëve myslimanë na e ndryshoi edhe jetën fetare. Zbrazi rreth-Qabenë, Medinen, shkretoi faltoret në të katër anët e botës. Sot ezani i xhumasë më dridhi të tërin, më rrëqethi.” (Pajaziti, 2020)  (vazhdon).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button