fbpx

ANALIZË: Administrata – ku punojnë “doktorët e shkencave”, ata me shkollë fillore dominojnë në Ndërmarrjet Publike!

46.1% e maqedonasve etnikë të punësuar në sektorin publik kanë arsim të lartë, te shqiptarët kjo përqindje është më e lartë dhe është 54.7% ndërsa me arsim të lartë janë 40.7% e boshnjakëve. Në Këshillin Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe Prokurorinë Publike, doktorët e shkencës përfaqësohen me 0%. Sipas nivelit të arsimimit – shpërndarja e “forcave” të punonjësve në administratë është e ndryshme, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Shumica e të punësuarve në sektorin publik me arsim të lartë…

Pothuajse gjysma e të punësuarve në sektorin publik janë me arsim të lartë, të pasuar nga ata me arsim të mesëm. Konkretisht, nga numri i përgjithshëm i të punësuarve, 52.891 janë me fakultet, ndërsa 38.493 janë me arsim të mesëm. Në sektorin publik, vetëm 2.4% janë doktorë të shkencave, ndërsa 8.3% kanë arsim fillor.

“Niveli më i ulët i arsimit për të cilin është paraparë një vend pune në sektorin publik është arsimi fillor – për vende të caktuara të punës në ndërmarrjet publike, ndërsa për numrin më të madh të vendeve të punës është paraparë arsim i mesëm ose i lartë” – thuhet në Raportin MSHIA-së.

   Struktura arsimore në sektorin publik  

Doktorë të shkencave 2,38%
Magjistra 3,84%
Arsim i lartë 47,40%
Arsim i lartë dyvjeçar 3,15%
Arsimi pas arsimit të mesëm 0,48%
Arsim i mesëm 34,50%
Arsim fillor 8,26%

Nëse hyjmë më thellë në analizën e nivelit të arsimimit të punonjësve në institucione, vërehet se Sekretariati i Qeverisë është institucioni me numrin më të madh të personelit të me arsim të lartë – 80% e punonjësve, pas tij vjen Qeveria, ku 67,5 % e të punësuarve kanë arsim të lartë, ndërsa më shumë se 60% e të punësuarve kanë arsim të lartë në ministritë, te Avokati i Popullit, organet në kuadër të ministrive, Presidenti i Shtetit dhe Këshilli Gjyqësor.

Nga ana tjetër, punonjësit me arsim të mesëm dominojnë në Ndërmarrjet Publike me 57,1%, Prokuroria Publike 51,3%, Shërbimi i Qeverisë 70,8%, Gjykatat 57,9%.

Doktorët e shkencave janë përqendruar në disa institucione, si institucionet publike, Banka Popullore, Presidenti i Shtetit.

     Doktorë të shkencave

Institucionet publike 3,8%
Presidenti i RMV-së 3,5%
Banka Popullore 2,8%
Sekretariati i Qeverisë 2,7%

Në Këshillin Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe Prokurorinë Publike, doktorët e shkencës përfaqësohen me 0%.  Nga ana tjetër, nuk ka punonjës me shkollë fillore në Qeveri, te Presidenti i Shtetit dhe në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo ata dominojnë në Ndërmarrjet Publike me 25,1%.

“Duke pasur parasysh vetë strukturën e sektorit publik dhe institucionet që përfshihen prej tij, si dhe llojin e vendeve të punës që ofrohen, mund të konkludohet se në sektorin publik ekziston një dallim i madh për sa i përket nivelit të arsimit që kërkohet për të plotësuar një vend pune në këto institucione” – thuhet në Raportin nga Regjistri i të punësuarve në sektorin publik për vitin 2020.

Struktura arsimore e punonjësve të sektorit publik që u përkasin komuniteteve të ndryshme është e ndryshme – 46,1% e maqedonasve, 54,7% e shqiptarëve etnikë, 40,7% e boshnjakëve, 52% e vllehëve kanë arsim të lartë. Pothuajse 60% e romëve etnikë të punësuar në sektorin publik kanë arsim fillor, 28,1% kanë arsim të mesëm, kurse 10,8% të romëve të punësuar kanë arsim të lartë. Nga ana tjetër, doktorë shkencash ka më së shumti nga bashkësia etnike vllahe, pothuajse 4%, pastaj vijnë maqedonasit me 2,74%, të a pas tyre janë doktorët e shkencave nga bashkësia etnike serbe me një përfaqësim prej 2,24%.

Përfaqësimi i të punësuarve nga bashkësi të ndryshme etnike është e ndryshme edhe në nivelin lokal. Maqedonasit etnikë me më shumë se 90% janë të përfaqësuar në komunat e Aerodromit, Manastirt, Berovës, Gazi Babës, Vinicës, Gjevgjelisë, Gradskos, Dojranit, Kratovës etj. Shqiptarët etnikë me përfaqësim 100% janë në Haraçinë, Bogovinë, Likovë, ndërsa me mbi 80% janë të përfaqësuar në Tearcë, Saraj, Zhelinë, Dibër, Vrapçisht. Romët etnikë janë më të përfaqësuar në komunat e Berovës dhe Manastirit me gati 2%, në Koçanë, Butel dhe Dibër me pothuajse 3%, në Shtip me 3,4%, kurse më së shumti janë në komunën e Shuto Orizares me 35,3%. Turqit etnikë me 16% janë më të përfaqësuar në komunën e Dollnenit, 11,1% në Konçe, Mavrovë dhe Rostushë, kurse me pothuajse 90% në Qendrën e Zhupës dhe me 23% në komunën e Studeniçanit. Serbët etnikë me 21,2% janë më të përfaqësuar në komunën e Staro Nagoriçanes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button