RMV, KSI propozoi që ora policore nga e mërkura të fillojë në orën 21 dhe të hapen tarracat e lokaleve

Komisioni për Sëmundjet Infektive propozoi që ora policore nga e mërkura, 28 prill, të fillojë në orën 21:00 dhe të zgjasë deri në orën 5 të mëngjesit, njoftoi MIA. Komisioni do t’ia paraqesë propozimin Qeverisë, e cila duhet të vendosë në seancë. Qeveria duhet gjithashtu të vendosë nëse do të hapen tarracat verore të objekteve hotelierike, transmeton Portalb.mk..

Shtabi kryesor për koordinim me kriza javën e kaluar i propozoi Qeverisë që ora policore nga 27 prilli deri më 15 maj të fillojë në orën 21, ndërsa objektet hotelierike të hapin vetëm tarracat verore për mysafirët.

Kufizimet në lëvizjen dhe funksionimin e objekteve hotelierike, hoteleve u miratuan më 6 prill për shkak të situatës serioze me kovid-19 lidhur me numrin e pacientëve të infektuar dhe të hospitalizuar.

Nga Shtabi i Krizave javën e kaluar theksuan se masat e propozuara të Komisionit për Sëmundjet Infektive do të shqyrtohen vetëm nëse do të ruhen trendet në rënie të numrit të infektuarve të rinj dhe të hospitalizuarve, për të cilët respektimi i masave personale për mbrojtje kundër kovid-19 dhe protokollet aktive janë thelbësore për operimin në kushte pandemie.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, situata me epideminë është në trend rënës, ndërsa masat kanë dhënë rezultate.

Sidoqoftë, ai theksoi se përvoja na ka treguar situata mund të destabilizohet shumë shpejt nëse nuk respektohen masat.

“Para nesh vijojnë festat, ditët e lira dhe kohë e bukur. Le t’i shfrytëzojmë ato me përgjegjësi, të mos grupohemi dhe të mos i shkelim masat e mbrojtjëse”, njoftoi Filipçe dje në profilin e tij në Facebook.

Sipas të dhënave të publikuara dje nga Instituti për Shëndet Publik, u regjistruan 314 raste të reja me kovid-19, 27 të vdekur dhe 557 pacientë të shëruar. Numri i rasteve aktive në vend është 16.858, prej të cilëve 7.597 janë në Shkup.

Në repartet infektive në Shkup dhe spitalet në qytete të tjera kurohn 1.507 pacientë pozitivë dhe të dyshimtë për koronavirus, nga të cilët 587 pacientë janë në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button