RMV, paga më të larta, por fuqia blerëse më e vogël

Qytetarët ankohen se pagat janë të ulëta, sepse ka rritje të çmimeve, e të cilat sipas tyre duhet të rregullohen disi. Njohësit e rrethanave mendojnë se trendi i rritjes së pagave në relacion me shportën e konsumatorit është pozitiv. Sidoqoftë, ata shtojnë se jo të gjitha familjet mund ta përballojnë shportën themelore, transmeton REL.

Çdo vit ka rritje të pagave, por në të njëjtën kohë rriten edhe shpenzimet e jetesës. Sipas të dhënave më të fundit nga Enti shtetëror i statistikave, paga mesatare është 27.948 denarë dhe është rritur për 742 denarë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa shporta minimale e sindikatës e përllogaritur nga LSM është 33.772 denarë dhe është 831 denarë më e lartë se në vitin 2020. Qytetarët që i anketuam ankohen se pagat janë të ulëta në relacion me shpenzimet e tyre.

“As pagat dhe as pensionet nuk janë në përpjesëtim me rritjen e çmimeve. Statistikat që janë bërë thonë se rreth 33.000 denarë do të ishte shporta bazë e konsumatorit, por unë do të shtoja edhe 20% të tjera, sepse statistikat për vlera të caktuara e bëjnë këtë, ndërsa realiteti është shumë ndryshe. Çmimet kanë shkuar shumë më lart, ndërsa pensionet nuk janë rritur as gjysmë % në 12 muajt e fundit. Çmimet rriten shumë më tepër sesa të ardhurat. Shpenzimet e jetesës janë rritur dukshëm, rritja e energjisë elektrike, heshtur dhe pa shumë zhurmë, shërbime të caktuara që nuk afirmohen por që ndikojnë mjaft në buxhetin e familjes”, tha një grua e moshuar nga Shkupi.

“Pagat janë shumë më të ulëta se sa është shporta e konsumatorit. Më shumë se dyfish”, shtoi një bashkëqytetare e saj më e re.

“Ekziston një ndryshim katastrofik midis rritjes së pagave dhe çmimeve aktuale të tregut, midis nivelit të pagave dhe pensioneve që nuk ka lëvizur dhe rritjes së çmimeve. Çmimi i një vaji për gatim është rritur me gjysmë euro në muajt e fundit. Një litër vaj. Çfarë të themi më shumë për çmimin e naftës, çmimin e karburantit, çmimin e shërbimeve, çmimin e ushqimit. Çdo ditë bëj pazarllëk dhe çdo ditë hyj me të njëjtat para kurse dal me qese më të vogël”, shton një tjetër grua e re.

Nëse janë sipas rritjes së pagës mesatare në relacion me shportën e konsumatorit në 5 vitet e fundit, do të vërehet se pagat kishin një rritje më të shpejtë, thotë drejtori ekzekutiv i Fajnens Think, Bllagica Petreski. Në vitin 2016, siç thekson ajo, paga mesatare ka mbuluar 67 % të shportës së konsumit, ndërsa vitin e kaluar 83 %, që është një trend pozitiv.

“Sidoqoftë, kjo shportë minimale nuk mund të përballohet nga të gjitha familjet. Është problem i veçantë për familjet e mëdha dhe ato me të ardhura minimale. Ato preken nga dy aspekte. Së pari në strukturën e shportës, konsumi i pijeve dhe ushqimit është dominant me rreth 80 %. Së dyti, të ardhurat e tyre shpesh janë nën pagën mesatare neto. Te familjet më të varfra, për shkak të të ardhurave më të ulëta, këto shpenzime kanë pjesëmarrje më të madhe në fondet në dispozicion, kështu që te shtresat më të varfra ushqimi dhe pijet kapin mbi 70 %. Te më të pasurve kjo është nën 20 %. Prandaj, familjet më të varfra i shpenzojnë fondet për këtë qëllim”, tha Petreski.

Çmimet me pakicë, sipas statistikave, në 5 vitet e fundit janë rritur për 6.7 %. Edhe të moshuarit dhe të rinjtë pajtohen se rritja e çmimeve duhet të rregullohet.

“Absolutisht duhet të ketë ndonjë rregullore, por, për atë duhet analiza profesionale, atë duhet ta bëjnë ekspertë, e veçanërisht në kohë pandemie. Duhet të ketë një lloj ekuilibri midis shportës së konsumatorit dhe të ardhurave mujore. Le të mos shkojmë më tej e të flasim për atë se sa njerëz i kanë humbur punët dhe sa familje janë sjellë në situatë të mbijetojnë. Kjo është e frikshme. Kjo te ne është sistem hibrid, përveç se të “ngarkojnë gomarët të tyre”, nuk u  intereson asgjë tjetër, qoftë edhe nëse njerëzit vdesin, madje edhe nga uria. Duhet të ketë absolutisht një rritje të pagave dhe pensioneve aq më tepër tani që shpenzimet në kohë pandemie janë rritur për gjëra për të cilat nuk kemi menduar kurrë më parë”, shtoi gruaja e re të cilën e anketuam.

“95 denarë për një shishe vaj janë shumë. Vaji më tërhoqi vëmendjen, megjithëse gjithçka është më e shtrenjtë, diku një, dy, dhjetë denarë, por kjo është shumë. Në të kaluarën, çmimet e vajit dhe miellit ishin nën juridiksionin e shtetit dhe çmimet e tyre nuk lejoheshin të rriteshin. Nevojitet ndërhyrje. Ka gjithashtu dallim të madh të çmimeve nga dyqani në dyqan. Ose do të duhet të ndahemi, vende ku blejnë të varfrit, e ku të pasurit. Nuk e di se sa para kanë autoritetet tani, por duhet të ketë rritje të pensioneve. Ashtu u paralajmërua. Kam mbetur në të njëjtin pension për të pestin vit radhazi”, thotë pensionistja Marija Çallovska.

“Duhet të ketë rregullore në lidhje me çmimet, sepse nëse vazhdon kështu, njerëzit thjesht nuk do të jenë në gjendje të mbijetojnë sepse nuk arrihet asgjë. Ja konkretisht, nëna ime është në pension, është për të ardhur keq t’i shohësh si mundohen”, shtoi një bashkëqytetare më e re.

Çmimi i vajit të gatimit, sipas Fajnens Think, është rritur për 28.6 % në dy vitet e fundit. Gjysma e kësaj rritjeje është në 6 muajt e fundit. Petreski mendon se vaji i gatimit është një nga përjashtimet që kanë një trend të ndjeshëm të rritjes në gjashtë muajt e fundit dhe kjo është kryesisht për shkak të mungesës globale të këtij lloji të produkteve dhe prodhimit të lulediellit.

“Megjithatë, kjo nuk duhet të na trembë se në të ardhmen mund të presim ndonjë presion mbi inflacionin. Mendoj se presione të tilla nuk janë theksuar seriozisht në këtë moment, gjegjësisht të paktën inflacioni do të mbahej brenda atyre kornizave normale që ne duhet t’i konsiderojmë të qëndrueshme,” shtoi Petreski.

Paga minimale prej 15,194 denarë gjithashtu u rrit pak. Dy paga minimale janë në fakt më pak se shporta e konsumatorit.

Paga mesatare mujore e paguar neto për punonjës në 5 vitet e fundit, sipas statistikave, është rritur për 5522 denarë. Ndërsa indeksi i shpenzimeve të jetesës për periudhën e njëjtën është rritur për  5.4 %. Rritja më e madhe e shpenzimeve prej 1.9 % ka ndodhur këtë vit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button