Pasojat e edukimit etnocentrik

Bashkimi Evropian (BE) i kushton rëndësi arsimit dhe kulturës së shteteve anëtare dhe atyre që janë në proces të aderimit. Pasi unioni është i përbërë nga diversiteti etnik, kulturorë dhe fetarë, vetë organet e BE-së nuk lejojnë që edukimi dhe kultura të jetë nxitëse e ndarjeve të reja në BE. Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë një përbërje tjetër kulturore, etnike dhe fetare që e vështirësojnë edhe më shumë procesin e edukimit në mes vete dhe aq më shumë përshtatjen e ligjeve kombëtare me institucionet e unionit.

1.Kapitulli i 26 i Aquis-it që ka të bëjë me edukimin dhe kulturën thotë: “Fusha e arsimit, trajnimit, rinisë dhe kulturës janë kryesisht kompetencë e shteteve anëtare. Një kornizë bashkëpunimi mbi politikat e arsimit dhe trajnimit synon të bashkojë politikat kombëtare dhe arritjen e objektivave të përbashkëta përmes një metode të hapur koordinimi, e cila çon në programin “Edukimi dhe Trajnimi 2010”, i cili integron të gjitha veprimet në fushat e arsimit dhe trajnimit në niveli evropian. Për sa i përket diversitetit kulturor, shtetet anëtare duhet të mbështesin parimet e përfshira në nenin 151 të Traktatit të KE-së dhe të sigurojnë që zotimet e tyre ndërkombëtare të lejojnë ruajtjen dhe promovimin e diversitetit kulturor. Shtetet anëtare duhet të kenë kuadrin ligjor, administrativ dhe financiar dhe kapacitetin e nevojshëm zbatues për të siguruar menaxhim të shëndoshë financiar të programeve të komunitetit për arsimin, trajnimin …”

Maqedonia e Veriut (MV) si vend serioz për të hyrë në procesin e hapjes së kapitujve me Brukselin, ka një varg pengesash jo vetëm të harmonizimit të ligjeve me BE-në, por si një shoqëri e sëmurë dhe që lëngon vazhdimisht nga plagët e kaluara. Më e keqja është se ende qeveritë vazhdojnë të ndërtojë një sistem edukimi dhe kulture që kultivon urrejtjen në mes etnive dhe kulturave. Gjatë tre dekadave të fundit në tekstet shkollore janë hasur fyerje dhe nënvlerësime etno-kulturore për grupet tjera etnike në MV. Siç dihet të gjitha gabimet dhe projektet e qëllimshme nuk janë dënuar dhe asnjëri nuk ka mbajtur përgjegjësi. Në “Ditën e Evropës” është fatkeqësi që MV dhe në pjesën tjetër të rajonit ku frika etnike është përditshmëri të vazhdohet edukimi me urrejtje  dhe ndërtim të imazheve të vjetra të kohës jugosllave dhe romantizmit nacional.

Për në BE do të duhet së pari të edukojmë një gjeneratë të re brezash dhe politikanë që veprojnë jashtë koncepteve shoviniste dhe që duhet të paraqesin simbole të veprimit në një ambient edhe pse të vrazhdë, por me shpresë të përmirësimit të standardeve të edukimit dhe jetës kulturore.

Përkundër përpjekjeve për edukim bashkëkohorë dhe dërgimit të mijëra studentëve në SHBA, BE dhe në shtetet fqinjë, pas ardhjes së tyre në MV, po të njëjtit vazhdojnë dozën etno-centriste të shpërndarjes së “diturisë”. Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ambasadat amerikane në rajon kanë shpenzuar miliona dollarë në shkëmbimet ndër-arsimore me MV. Rezultati është i zbehtë, pasi konceptet ideologjike të mësuara në institucionet e hershme arsimore të MV-së, nuk kanë ndryshuar dhe kanë ndikuar në formimin e kuadrove nacionaliste që sot flasin për vlerat evropiane.

2.Për më shumë, Ministria e Arsimit e MV-së po ashtu shpenzon miliona denarë për shkëmbimet ndërkombëtare, por me pak sukses e pothuajse rezultatet janë dëshpëruese. Në rast se do të vazhdojmë t’i edukojmë gjeneratat mbi baza të mendimit racist dhe etno- fetarë, konfliktet do të jenë më afër se sa paqja e qëndrueshme në shtetet e brishta.

Sëfundmi jemi dëshmitarë të nepotizmit të madh në universitetet tona dhe keqpërdorimeve akademike të profesorëve të përmendur në raportet e mediave. Janë lakuar emra të ndryshëm si i Shefit të Repartit të Gjinekologjisë të Spitalit të Tetovës, Ragip Rufati, kuadër partiak i cili në informacionet e fundit bënë pjesë në “Grupin e Beadinit” dhe të tjerëve. Shembuj të tillë kemi gjithandej dhe nuk paraqesin vetëm deformime në MV. Megjithatë, ngjarjet e fundit tregojnë se arsimi ynë po qëndron jashtë trendeve botërore dhe kuadrot profesionale detyrohen të lëshojnë shtetin ose veprojnë në izolim. Arsimi dhe kultura janë dy komponentë të lidhura ngushtë dhe tregues të së ardhmes sonë para hyrjes në BE dhe pas.

Si shembull do të përmendja Gjermaninë e sotit, suksesin e shtetit dhe kombit gjerman në ekonomi, financa dhe sferat tjera teknologjike. I gjithë ky sukses dhe zbulim, mbështetet në edukim e mëhershëm prusian të brezave gjermane që u reflektua pas vitit 1871 dhe 1945.

Reformat e paralajmëruara nga Ministria e Arsimit nuk janë të mjaftueshme për një vend siç është MV-ja ku e kaluara mbetet pjesë e strategjisë arsimore. Kur jemi tek kultura mund të nënvizojmë diskriminimet e shumta që vinë nga ministrat, zv. ministrat apo politikat kulturore qeveritare ndaj etnive dhe zvogëlimit të buxheteve për të njëjtat etni. Në MV dhe në Ballkan kanë mbetur çështje të hapura dhe duhet bërë shumë punë që ky rajon dhe shtet të jetë i njëjtë me pjesët tjera të zhvilluara të botës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button