Jonida Jusufi: Unë shkruaj për gjithçka që më ngacmon qetësinë

Vajza me të cilën sot do t’ju njoftojë Portalbi është Jonida Jusufi, 15-vjeçarja nga Kërçova. Edhe se mëson në shkollë të mesme për mjekësi, pasioni i Jonidës është shkrimi. Ajo para pak kohë botoi librin e saj të parë të quajtur “Mendimet e arratisura”. 

“Poezia ka qenë dhe mbetet pjesë e karakterit tim. Shkrimet më falin siguri në shpirt, mundësojnë që t’i vënë emër heshtjes dhe brengave. Duke qenë fëmijë kurioz, shpeshherë e gjeja veten të përballur me situata që më vinin në mendime. Për të çliruar veten, mendimet arratiseshin në letër. Orët e gjuhës shqipe në fillore ishin të preferuarat e mia, sepse ishte pjesa e ditës kur shpirti vetë fliste. Fletoret e para janë plot me poezi sepse ka qenë pika ime mbështetëse, një pjesë e imja që më bënte të ndihem e sigurt. Talentin tim arrita plotësisht ta ndaja me të tjerët në klasë të gjashtë, kur në publik u gjet grupi i shkrimtarëve “ Penestia”, e vërejtën talentin tim dhe më bënë anëtaren më të re të tij.” tha Jonida.

Në shkrimet e veta, Jonida mundohet që t’i jep zë çdo fenomeni që haset rreth nesh. Kryesisht, shkrimet e saj bazohen në problematikat e pafolura shoqërore.

“Libri im i parë trajton tema të ndryshme. Është i ndarë në tre cikle. Trajton figura me eminencë, historike, sociale, romantike e tjerë. Vargu është i lirë po aq sa shija për lirinë shpirtërore. Tematika e cikleve është nga jeta e përditshme. Flet për ëndërrimtarët, botën e pakuptueshme të fëmijëve, llojet e shoqërive, për dashurinë, për rolin e grave, detet me gënjeshtra, pendimet dhe shumë tema të tjera që i hasim dhe i përjetojmë në jetën e përditshme. Libri kërkon përgjigjen se kush do të fitonte mes jetës, dëshirave dhe artit.” u shpreh Jonida.

Mesazhi që Jonida përcolli për të gjithë të rinjtë është:

“Shpesh herë ia them vetes dhe të tjerëve, që rruga drejt suksesit nuk ka ndonjë definicionit, nuk ka ndonjë formulë të caktuar që duhet ta ndjekim. Rruga drejt suksesit paraqet vetëm gjetjen e qetësis shpirtërore që arrihet vetëm duke dëgjuar zemrën dhe jo fjalët e të tjerëve.” tha Jonida. 

Jonida tha që librin i ardhshëm i saj ka të bëjë me dhunën psikologjike ndaj vajzave dhe paragjykimeve e të qenurit grua. Vendit tonë i duhen të rinj ambicioz dhe punëtor si Jonida!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button