fbpx

U mbyll samiti për klimën, SHBA me premtime të reja

Shtëpia e Bardhë kërkoi të premten ndihmën e disa miliarderëve, drejtuesve të korporatave dhe të sindikatave, për të reklamuar vizionin e Presidentit Joe Biden, që synon transformimin e ekonomisë amerikane në një mënyrë miqësore ndaj klimës, raporton VOA.

Në ditën e dytë dhe të fundit të samitit për klimën, folën miliarderët Bill Gates dhe Mike Bloomberg, si dhe drejtues të sindikatave të metalurgjisë e industrisë elektrike, krerë kompanish të energjisë diellore dhe energjive të tjera të ripërtëritshme.

Ata argumentuan se nëse investohet tani në teknologjitë e reja që lidhen me sistemet efikase elektrike dhe të transportit, kjo do të sillte përfitime të mëdha afatgjata në krijimin e vendeve të punës dhe të begatisë.

Presidentë dhe kryeministra nga e gjithë bota iu bashkuan debatit, duke shprehur angazhimet e tyre për t’u shkëputur nga nafta dhe qymyri që konsiderohen të dëmshme për klimën.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, duke folur virtualisht, ashtu si dhjetëra zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë pjesëmarrës në samit, tha se shkencëtarët në qindra kompani të reja izraelitë po punojnë për të përmirësuar teknologjinë e baterive, që janë me rëndësi kritike për ruajtjen e energjisë diellore, të erës dhe energjive të tjera të ripërtëritshme.

Presidenti Uhuru Muigai Kenyatta foli për kalimin ekonomik të Kenias nga qymyri, vajguri dhe zjarret me dru në një përdorues dhe prodhues kryesor i energjisë gjeotermike dhe të erës.

Kryeministri Mette Frederiksen përsëriti zotimin e Danimarkës për t’i dhënë fund kërkimit të naftës dhe gazit në Detin e Veriut e për të kaluar në fermat e energjisë së erës.

Miliarderi Bloomberg tha: “Ne nuk mund ta mposhtim ndryshimin e klimës pa investimeve të reja të përmasave historike.”

“Ne duhet të bëjmë më shumë, më shpejt për të ulur emetimet”, tha zoti Bloomberg, i cili ka dhuruar miliona dollarë për zëvendësimin e termocentraleve të qymyrit me impiante që funksionojnë me energji të rinovueshme gjithnjë e më të lirë.

I dërguari i Presidentit Biden, John Kerry theksoi se thirrja e presidentit për rindërtimin e infrastrukturës së vendit që ajo të funksionojë më pastër, do ta vinte Amerikën në një pozitë ekonomike më të favorshme në vështrimin afatgjatë. “Askujt nuk po i kërkohet të bëjë sakrificë,” tha zoti Kerry. “Ky është një shans për ne.”

E gjitha kjo ishte në shërbim të argumentit që zyrtarët amerikanë thonë se ka rëndësi vendimtare për axhendën e Presidentit Biden për klimën: Derdhja e triliona dollarëve në teknologji, kërkime dhe infrastrukturë me energji të pastër do t’i bënte SHBA ekonomikisht më konkurruese në të ardhmen dhe do të krijonte vende pune, duke shpëtuar njëkohësisht planetin.

Republikanët po u përmbahen argumenteve të ish-Presidentit Donald Trump kur ai e tërhoqi vendin nga marrëveshja e Parisit për klimën në vitin 2015. Ata e venë gishtin te Kina si ndotësja më e madhe e klimës në botë (SHBA janë të dytat) dhe thonë se çdo kalim drejt energjisë së pastër dëmton punonjësit amerikanë të naftës, gazit dhe qymyrit.

Kjo do të thotë “të eliminosh vendet amerikane të punës që paguhen mirë”, tha të enjten udhëheqësi i pakicës së Senatit Mitch McConnell në një fjalim ku hodhi poshtë planet e administratës si të kushtueshme dhe joefektive.

“Ky është një grusht i fortë,” tha senatori McConnell. “Kërkesa të buta ndaj kundërshtarëve tanë të huaj … dhe dhimbje maksimale për qytetarët amerikanë,” tha ai.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve të propozuara për të luftuar ndryshimet klimatike përfshihet në faturën e infrastrukturës prej 2.3 trilion dollarë të Presidentit Biden, e cila parashikon rrugë të reja, ura të sigurta dhe transport të mirë publik, si dhe automjete elektrike, ujë të pastër dhe investime në energji të pastër si ajo diellore dhe e erës.

Plani i Presidentit Biden përballet me sfida në Senatin e ndarë ngushtë, ku republikanët e udhëhequr nga zoti McConnell kanë shprehur kundërshtime.

Shtëpia e Bardhë thotë se zyrtarët e administratës do të vazhdojnë të flasin me republikanët dhe do t’u kujtojnë atyre se idetë e propozuara janë tashmë mjaft popullore mes amerikanëve të të gjitha bindjeve politike.

Urgjenca për klimën vjen për faktin se sipas shkencëtarëve, ndryshimi i klimës i shkaktuar nga impiantet e qymyrit, motorët e makinave dhe përdorimi i karburanteve të tjera fosile po sjell më shumë thatësira, përmbytje, uragane, zjarre të mëdha dhe katastrofa të tjera dhe se njerëzimit nuk po i mbetet shumë kohë për të shmangur pasojat katastrofike të ngrohjes globale.

Në samit, fuqitë e mëdha të botës dhe ndotësit kryesorë u zotuan të bashkëpunojnë në uljen e emetimeve të shkaktuara nga nafta dhe qymyri që po ngrohin me shpejtësi planetin.

Premtimet e Presidentit Biden

Të enjten, Presidenti Biden premtoi se SHBA do të ulin ndjeshëm emetimet e gazeve karbonike deri në vitin 2030 dhe do të dyfishojnë fondet vjetore ndaj vendeve në zhvillim deri në vitin 2024 për të luftuar ndryshimin e klimës.

Me fjalët se bota duhet të “kapërcejë krizën ekzistenciale të kohës sonë,” presidenti amerikan deklaroi synimin e ri për të reduktuar ndotjen nga gazet karbonike në masën 50-52% brenda vitit 2030.

“Kjo është dekada kur duhet të marrim vendime që do të shmangin pasojat më të rënda të krizës klimatike,” tha zoti Biden, duke u bërë thirrje vendeve të tjera, veçanërisht ekonomive më të mëdha të botës, “t’i përgjigjen sfidës”.

Kryeministri britanik Boris Johnson vlerësoi zotimin e Presidentit Biden si “një faktor përcaktues,” duke thënë se “do të ketë një ndikim transformues në luftën globale kundër ndryshimit të klimës”.

“A është e realizueshme? A do ta tejkalojmë ndoshta? Parashikoj se po,” u tha gazetarëve John Kerry, emisari i administratës amerikane për klimën, kur u pyet për qëllimin e Shteteve të Bashkuara. “A është e mjaftueshme? Jo. Por është maksimalja që mund të bëjmë në këto momente”, tha ai.

Synimi që deklaruan Shtetet e Bashkuara merr si bazë nivelet e ndotjes në vitin 2005.

Zhgënjyes për organizatorët dhe ambientalistët në takim ishte mungesa e angazhimeve gjatë punimeve të së enjtes nga dy vendet më të populluara në botë, Kina dhe India.

Zotimet Ndërkombëtare

Presidenti kinez Xi Jinping tha se vendi i tij do të kontrollojë në mënyrë rigoroze përdorimin e qymyrgurit në vitet e ardhshme dhe do të eliminojë gradualisht burimet energjetike karbonike gjatë periudhës 2026-2030. Zoti Xi përsëriti gjithashtu zotimin e Kinës se vendi i tij do të ketë arritur sasinë maksimale të gazeve të çliruara karbonike para vitit 2030.

Kryeministri indian Narendra Modi njoftoi një partneritet me Shtetet e Bashkuara për një axhendë të energjisë së pastër për vitin 2030 “për të ndihmuar mobilizimin e investimeve, demonstrimin e teknologjisë së pastër dhe mundësimin e bashkëpunimeve të gjelbra”.

Presidenti Biden tha se ai ishte “i inkurajuar” nga thirrja e Presidentit rus Vladimir Putin të enjten që bota të bashkëpunojë për eliminimin me metoda të përparuara të dioksidit të karbonit dhe se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të punojnë me Rusinë dhe vendet e tjera në këtë teknologji.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha para pjesëmarrësve: “Ne kemi nevojë për një planet të gjelbër, por situata e globit është emergjencë e nivelit të kuq. Duhet të garantojmë që hapat e ardhshëm të jenë në drejtimin e duhur. Udhëheqësit kudo duhet të marrin masa”.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau gjithashtu njoftoi synimet për të reduktuar në masën 40-45% sasinë e gazeve të çliruara brenda vitit 2030 krahasuar me nivelin e regjistruar në 2005.

Evropa do të zbatojë sistemin e shkëmbimeve/tregtimeve të sasive të gazit të çliruar për ndërtesat dhe transportin, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke shtuar: “Gazet karbonike do të kenë koston e tyre, sepse natyra nuk mund ta paguajë më këtë çmim”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu kënaqësinë që Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë përsëri në politikën e klimës.

“Faleminderit për këtë dhe faleminderit për organizimin e këtij takimi,” i tha Kancelarja Merkel Presidentit Biden. “Kjo është një detyrë prej Herkuli, sepse kjo nuk kërkon asgjë më pak se një transformim të plotë, një ndryshim të plotë të mënyrës sesi ne bëjmë biznes”.

Lufta kundër Ngrohjes Globale

Udhëheqësit botërorë ranë dakord për të kufizuar ngrohjen globale në nivelin nën 2 gradë Celcius në marrëveshjen e OKB-së të arritur në Paris në 2015 dhe për të synuar për reduktimin në 1.5 gradë Celcius.

Mesatarisht në të gjithë globin, temperaturat janë rritur më shumë se 1.1 gradë Celcius që nga viti 1980. Shkencëtarët e komentojnë këtë rritje si faktor për frontet atmosferike më të nxehta, zjarre jashtë kontrollit, stuhi dhe fenomente të tjera. Ata vërejnë se ritmet e rritjes së temperaturës janë përshpejtuar që nga vitet 1980.

Gazeta Washington Post shkruante në një artikull redaksional se megjithëse Presidenti Biden ka ofruar një premtim të madh, vënia në jetë do të jetë shumë më e vështirë.

“Shteteve të Bashkuara do t’u duhen linja të reja të tensionit të lartë për të transportuar energjinë elektrike nga zonat ku mund të ngrihen turbinat e erës, apo nga zonat me diell tek zonat ku nuk ka burime të tilla (të gjelbra),” thuhej në artikull.

“Sisteme të mëdha infrastrukturore për energji nga era, dielli dhe potencialisht, energjia bërthamore dhe hidro duhet të ndërtohen në një kohë të shkurtër dhe objektet që punojnë me naftë, gaz apo qymyrguri do të duhet të mbyllen para kohe. Transformimi i sektorit të transportit duke zëvendësuar automjetet ekzistuese me makina me energji elektrike do të jetë sfidë edhe më e madhe. E gjithë kjo do të kërkojë shuma të mëdha investimesh publike dhe private”, thuhej aty.

Objektivi i ri i Shteteve të Bashkuara “është një hap i rëndësishëm përpara”, sipas grupit “Climate Action Tracker” që analizon në mënyrë të pavarur shkencore veprimet e qeverive për klimën. Por ky konsorcium ndërkombëtar shtoi se zotimi “është ende afro 5-10% më pak se masat që kërkoheshin për të arritur brenda vitit 2030 objektivin për të kufizuar rritjen e temperaturës së planetit me vetëm 1.5 gradë Celcius”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button