RMV, pas Pashkëve fillon vaksinimi me “Sinofarm”, çdo të hënë të muajit maj do të mbërrijnë vaksina nga “Pfizer”

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se menjëherë pas përfundimit të fundjavës së vazhduar të festës së Pashkëve, duhet të fillojë imunizimi me vaksinën kineze “Sinofarm”, transmeton Portalb.mk.

“Ajo për të cilën përgatitemi është sasia e përgjithshme prej 200 mijë doza të vaksinës “Sinofarm”, e cila duhet të arrijë rreth 28 prillit dhe për të cilën është përgatitur edhe plani dhe distribuomi në pajtueshmëri me numrin e qytetarëve të paraqitur. Menjëherë pas arritjes, me siguri ajo do të përkon me festat e Pashkëve, do të shpërndahet nëpër shtet dhe vaksinimi me këtë vaksinë do të fillojë të martën menjëherë pas përfundimit të festave të Pashkëve”, deklaroi Filipçe.

Deri atëherë do të përgatiten sallat sportive në gjashtë qytete, të cilat do të shfrytëzohen si pika për vaksinim masiv. Siç tha Filipçe, salla në Ohër është veç më gati, ndërsa javën e ardhshme edhe ato në Shtip, Kumanovë, Manastir, Tetovë dhe Kavadar do të jenë të gatshme dhe të pajisura me frigoriferë.

Pas “Sinofarm”, gjatë muajit maj çdo të hënë duhet të arrijnë edhe vaksinat nga “Pfizer” apo gjithsej 26 mijë doza.

“Sot kemi marrë listë nga kompania “Pfizer”, me të cilën na u prezantua orari sipas të cilit do të arrijnë sasitë e tjera në maj. Çdo të hënë do të arrijnë mes 5000 dhe 7000 apo rreth 26 mijë janë paraparë të arrijnë gjatë gjithë muajit”, tha Filipçe.

Ministri bëri u bëri thirrje qytetarëve të paraqiten për imunizim përmes internet faqes vakcinacija.mk. deri më tani janë paraqitur rreth 150 mijë persona.

Duke folur për procesin e deritanishëm të imunizimit, Filipçe tha se ai shkon mirë edhe nga vaksina “AstraZeneca”, kanë mbetur rreth 5000 doza, ndërsa rreth 5000 nga ato që veç më kanë arritur nga “Pfizer” do të distribuohen nëpër shtet që të vazhdojë procesi.

Me “Sputnik V” sot janë vaksinuar deputetët si dhe të punësuarit në Kuvend të cilët nuk kanë marrë vaksina në grupin e parë, pas çka nga kjo vaksinë do të mbesin vetëm edhe 150-200 doza.

Prej 2000 vaksinave të “Sinofarm” që i kemi marr si donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, deri më tani janë shfrytëzuar gjysma.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button