fbpx

Sot vaksinohen deputetët, Xhaferi: Shpresoj se kjo do ta kthejë në normalitet punën e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe një pjesë e nëpunësve në Kuvend sot do të vaksinohen në sallën “Boris Trajkovski” me Sputnik V. Vaksinimi zbatohet si pjesë e imunizimit të infrastrukturës kritike në vend, transmeton Portalb.mk.

Para fillimi të vaksinimit, kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, folën për mediat.

Xhaferi tha se vaksinimi do të mundësojë punë më të përshtatshme të Shtëpisë ligjvënëse dhe shtoi se pret që të kthehet funksionimi normal i Kuvendit nga gjysma e dytë e muajit maj.

I pyetur se sa deputetë do të vijnë të vaksinohen, Xhaferi tha se si kryetar i Kuvendit ka paraqitur një listë të plotë me të gjithë 120 deputetët.

“Sipas procedurave, secili prej tyre merr një mesazh në lidhje me terminin që është dhënë dhe në cilin grup është. Kush do të vijë dhe kush nuk do të vijë, ai është vendimi i tyre personal, kjo nuk është punë e Kuvendit”, tha Xhaferi.

Vaksinim, foto nga Anadolu Agency

Vaksinimi i deputetëve do të realizohet në tre grupe, përkatësisht nga ora 10:00 deri në orën 18:00. Shërbimet parlamentare janë vaksinuar të parët.

Ndërkaq, ministri Filipçe njoftoi se deputetët janë ndarë në tre grupe për t’u vaksinuar me vaksinën ‘Sputnik V’ dhe se procesi i vaksinimit të tyre zhvillohet në sallë paralelisht me imunizimin e të moshuarve mbi 73-vjeç.

“Imunizimi në të gjithë vendin po shkon mirë. Kanë mbetur afër 5 mijë doza të vaksinës ‘AstraZeneca’. Po ashtu edhe rreth 5 mijë vaksina ‘Pfizer’ të cilët tashmë kanë mbërritur në vend”, tha Filipçe.

Duke theksuar se sot ata morën një listë nga kompania ‘Pfizer’ për mbërritjen e vaksinave në muajin maj, Filipçe tha se çdo të hënë do të marrin 5 deri në 7 mijë doza ose rreth 26 mijë doza të parashikuara për të gjithë muajin.

Ai po ashtu tha se me mbërritjen e 200 mijë dozave të vaksinës kineze ‘Sinopharm’ më 28 prill, plani i shpërndarjes do të jetë plotësisht i gatshëm.

Vaksinimi me ‘Sinopharm’, sipas ministrit të Shëndetësisë do të fillojë më 4 maj, menjëherë pas përfundimit të festave të Pashkëve.

Vaksinë, foto nga Anadolu Agency

Filipçe njoftoi se deri më tani për t’u vaksinuar janë regjistruar rreth 150 mijë qytetarë si dhe apeloi që të gjithë qytetarët të regjistrohen në faqen e vaksinimit.

Lidhur me situatën epidemiologjike dhe kapacitetet e spitaleve, Filipçe tha se ka trende në rënie të numrit të të diagnostikuarve të rinj dhe se presioni për pranimin e pacientëve në institucionet spitalore është ulur seriozisht.

Kujtojmë se të hënën në vend arritën 10.530 doza të vaksinës ‘Pfizer’. Deri më tani në vend kanë arritur rreth 90 mijë doza të vaksinës, pjesa më e madhe e të cilave apo rreth 48 mijë të ardhura nga Serbia nga prodhuesi rus ‘Sputnik V’.

Deri më tani në vend janë administruar rreth 40 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19.

Vaksinim, foto nga Anadolu Agency

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button