fbpx

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projekt-ligjin për njohjen e Uashington DC si shtet

 Mbështetësit për njohjen e Uashington DC-së si shtet, u përballën me një moment të rëndësishëm në lëvizjen e tyre prej disa dekadash për të riformatuar hartën politike amerikane, raporton VOA.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të enjten legjislacionin që do të krijonte një shtet të 51-të, duke i dhënë mundësinë Uashington DC-së të ketë një përfaqësues dhe dy senatorë në Kongres. Ndërsa u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve, propozimi përballet me një betejë të ashpër në Senat, ku kontrolli i ngushtë i demokratëve nuk do të jetë i mjaftueshëm për të kapërcyer kundërshtimin e fortë të republikanëve.

Një copë toke e vogël, që përfshin Shtëpinë e Bardhë, Kapitolin dhe Shëtitoren Kombëtare do të mbetej sipas projekt-ligjit, distrikt federal. Në vend të Distriktit të Kolumbias, shteti i ri do të njihej me emrin Uashington, Komonuelthi Daglas – për nder të luftëtarit të famshëm kundër skllavërisë, Frederick Douglass, i cili jetoi në Uashington nga viti 1877 deri kur vdiq në vitin 1895.

Masa ka marrë mbështetje të fortë nga Presidenti Joe Biden. Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë të martën duke e quajtur statusin aktual të Uashingtonit “një fyerje ndaj vlerave demokratike mbi të cilat u themelua vendi ynë”.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë e vlerëson Uashingtonin si të denjë për të qënë shtet, me “një ekonomi të fuqishme, një kulturë të pasur dhe një popullsi të larmishme amerikane nga të gjitha sferat e jetës që kanë të drejtë për pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë në demokracinë tonë”.

Projekt-ligji pritet të përballet me kundërshti nga republikanët, duke qenë se shteti i 51-të i propozuar do të ishte me shumicë demokrate. Ky kundërshtim u duk qartë gjatë debateve paraditen e së enjtes përpara votimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Themeluesit e vendit, “kurrë nuk dëshironin që DC-ja të ishte një shtet dhe e formuluan në mënyrë specifike kushtetutën për ta thënë një gjë të tillë,” tha përfaqësuesi republikan i Xhorxhias, Jody Hice. “Kjo është absolutisht kundër asaj që synonin themeluesit tanë dhe duhet refuzuar me forcë”.

Por përfaqësuesi demokrat i Virxhinias, Gerald Connolly vuri në dukje se shteti i Kentakit ishte dikur pjesë e Virxhinias dhe u krijua si shtet më vete me një ligj të thjeshtë të Kongresit.

Përfaqësuesi Connolly argumentoi se distrikti federal ishte një koncept teorik kur u krijua për herë të parë, dhe jo një komunitet me një popullsi më të madhe se dy shtete të tjera amerikane që është tani.

Një projekt-ligj i ngjashëm për shtetësinë e Uashington DC-së u miratua në vitin 2020 në Dhomën e Përfaqësuesve, por u hodh poshtë në Senatin e kontrolluar nga republikanët në atë kohë. Tani, me zgjedhjet e vitit 2020 që sollën demokratët në kontroll të të dyja dhomave dhe Shtëpisë së Bardhë, senatorët republikanë mund të përdorin një kërkesë procedure për të penguar votimin e shtetësisë.

Gjatë një seance dëgjimore në mars në Komisionin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, një sërë ligjvënësish republikanë thanë se që DC-ja nuk i plotëson kushtet për shtetësinë ndërsa e quajtën krejt përpjekjen një lojë cinike të pushtetit nga ana e demokratëve.

Kundërshtarët propozuan një shumëllojshmëri alternativash, që nga heqja e taksave federale për Uashingtonin e deri tek “bashkimi” përsëri me shtetin e Merilendit.

Argumenti se Kongresi nuk ka autoritetin për të ndryshuar statusin e DC-së është një pikë e njohur sulmi kundër propozimit – edhe pse çdo shtet tjetër përveç 13 shteteve origjinale janë pranuar në union përmes votimit të Kongresit.

Kundërshtarët e shtetësisë thonë se DC-ja është një rast i veçantë që kërkon hapa të veçantë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button