Maas: Dialogu të përfundojë me njohje, duhen kompromise

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke, teksa ka theksuar se në procesin e dialogut duhet të ketë kompromise deri në zgjidhjen përfundimtare, raporton Koha.net.

“Natyrisht që njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe s’do të realizohet. Është normale që në dialogjet për normalizim, duhet të ketë dhe ka kompromise. S’dua të tërheq linja të kuqe, por e di që edhe nga ana tjetër, për shkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë dhe s’dua ta ngarkoj edhe më tej procesin, por në fund të procesit dëshiroj të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet”, ka deklaruar ai.

Çështjen e kompromiseve në dialog ditë më parë e përmendi edhe presidenti amerikan, Joe Biden, në një letër drejtuar kryeministrit Albin Kurtit.

Heiko Maas, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, ka qenë i prerë sa i përket dy çështjeve që janë të ndërlidhura me Kosovën, në konferencën për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani. Ai është shprehur i qartë se Gjermania përkrah liberalizimin e vizave për kosovarët, ndërsa ka theksuar se zgjidhja e çështjes së rajonit përmes kufijve të ri është temë e rrezikshme dhe aspak realiste.

Maas është shprehur se në Kosovë së shpejti do të shtohen dozat e vaksinave kundër koronavirusit, ndërsa ka thënë se Gjermania mbështet Kosovën në luftën ndaj COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike.

“Kur kemi biseduar rreth temave, e di se për qytetarët e Kosovës me rëndësi është liberalizimi i vizave. I kam shprehur presidentes edhe një herë që qëndrimi i Qeverisë së Gjermanisë është i qartë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se ai duhet të jepet. S’është çështje vetëm e përmbushjes së kritereve, por edhe e asaj që BE-ja t’i përmbahet premtimit të dhënë. Ne gjatë presidencës sonë e kemi vënë këtë çështje në krye të agjendës gjatë presidencës sonë të BE-së. Do të angazhohemi edhe për çështje të tjera si njohja e patentë-shoferëve. Ne jemi para një zgjidhjeje”, ka thënë ai.

Si pengesë kryesore për zhvillimin e Kosovës në rrugën euroatlantike ai e ka parë dialogun me Serbinë. Ka ofruar mbështetjen e tij për këtë teksa ka thënë se asgjë nuk mund të zgjidhet përmes vizatimeve mbi harta.

“Dua të nënvizoj qartë që çështjet që janë shprehur se çështjet mund të zgjidhen me vizatime me vija në harta, i konsiderojmë jo vetëm jorealiste, por edhe të rrezikshme. E konsiderojmë të rrezikshëm edhe diskutimin për këtë. Jam i lumtur që kjo të futet shpejt në sirtar e të jetë pjesë e një dosjeje të kalueshme”, ka shtuar Maas teksa ka ofruar mbështetje për zotimet e Qeverisë së re të Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button