fbpx

Tetovë, për tre ditë 32 automjete janë marrë nga “merimanga”, ja sa do të paguajnë vozitësit

Për vetëm tre ditë nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë janë marrë gjithsej 32 automjete të parkuara në mënyrë të kundërligjshme apo të parregullt nga shërbimi komunal “merimanga e Tetovës”. Nga SPB-ja informojnë se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në periudhën që pason, shkruan Portalb.mk.

Fatmir Rexhepi nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) potencoi se marrja e këtyre veturave nga shërbimi komunal është në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për rend dhe siguri në qytet.

“Në tri ditët e kaluara të kësaj jave, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për rend dhe siguri më të madhe me parkimin në Tetovë të ndërmarra nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, gjithsej 32 automjete të parkuara në mënyrë të paligjshme ose të parregullt janë marrë nga shërbimi komunal ,,Merimanga e Tetovës ” informoi Fatmir Rexhepi nga SPB-ja.

Ndërkaq ai shtoi se këta vozitës të pakujdesshëm do të paguajnë gjobë prej 45 deri në 180 euro në kundërvlerë të denarit, Rexhepi informoi se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme në Tetovë.

“Këto automjete kanë penguar lëvizjen normale të pjesëmarrësve të tjerë të trafikut, ku të njëjtat kanë qenë të parkuara në zona të kryqëzimit, në të ashtuquajturat “rreshta të dyfishtë” ose në vende të tjera të ku ndalohet parkimi.  Për të gjithë shkelësit janë përgatitur urdhra pagese për kundërvajtje dhe do të përballen me gjobë prej 45 deri më 180 euro në kundërvlerë të denarit dhe të njëjtit do të duhet të paguajnë edhe një tarifë për mbajtjen e automjeteve. Aktivitete të këtilla do të vazhdojnë edhe në periudhën që pason” shtoi Rexhepi.

Ndryshe, rikujtojmë se Tetova përballet me mungesë të vendparkingjeve në qytet, kjo për shkak se numri i veturave të regjistruara në Tetovë në krahasim me numrin e vendparkingjeve është shumë i lartë. Edhe pse nga kryetarja Arifi premtohet parkingu në kate nga viti 2013, punët për këtë pritet të fillojnë në fund të këtij muaji.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button