Tetovë, 5 muaj pas nënshkrimit të kontratës, punët për rikonstruimin e rrugës “116” pritet të fillojnë të shtunën

Të shtunën (24 prill) pritet të fillojnë punët për rikonstruimin e rrugës “116” në Tetovë, kështu pohuan nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk. “Lufta” e banorëve të kësaj lagje për të bindur autoritetet komunale për rikonstruimin e kësaj rruge është disavjeçare. Bëhet fjalë për një lagje e cila për herë të fundit është asfaltuar para pavarësisë së RMV-së (1991), shkruan Portalb.mk.

Edhe pse disa herë nga Komuna e Tetovës kanë ndryshuar deklaratat në lidhje me fillimin e punëve për rikonstruimin e lagjes “116” në Tetovë, Fazliu nga kjo komunë sot theksoi se punët fillojnë me datë 24 prill.

“Po, punët për rikonstruimin e rrugës “116” në Tetovë do të fillojnë të shtunën” tha Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Gjendja e kësaj lagje është e mjerueshme, me shumë gropa dhe në disa pjesë thuajse e pakalueshme.

Foto-Galeri nga lagjja “116”

This slideshow requires JavaScript.

Disa herë ka “ndryshuar” plani i Komunës së Tetovës për këtë rrugë

Në nëntor të vitit të kaluar, nga Komuna e Tetovës u shprehën se plani i tyre për rrugën “116” është që të fillojnë punët për asfaltimin dhe rikonstruimin të fillojnë në mars të këtij viti.

“Në mars planifikohet të fillojnë punimet, tash është duke u realizuar programi i infrastrukturës” deklaruan nga Komuna e Tetovës më datë 24 nëntor.

Sot që flasim, jemi në fund të muajit prill ndërsa punët ende nuk kanë filluar, autoritetet komunale fajin për këtë ja adresojnë kushteve klimatike.

Çfarë thotë kontrata prej 40 mijë eurove?

Sipas kontratës në fjalë, të publikuar në sistemin për furnizime publike, bartësi i furnizimit publik që në këtë rast është kompania e lartpërmendur, është i detyruar që lëndën e kontratës, që është rikonstruimi i rrugës, ta realizojë në afat prej 60 ditëve nga dita e vënies së punëve, por nuk përcaktohet afat kohor për fillimin e punëve. 

Nëse puna fillon të martën, afat i fundit i kryerjes së punëve në terren do të ishte 24 qershori.

Ndërkaq, shuma e saj është 2,5 milionë denarë apo 40.633 euro.

Kontrata mes Komunës së Tetovës dhe kompanisë Be-Grupa.
Kontrata mes Komunës së Tetovës dhe kompanisë Be-Grupa.

Rruga 116 në Tetovë, e harruar nga viti 1991

Hera e fundit kur është shtruar me asfalt rruga “116” në Tetovë ka qenë para pavarësisë së Maqedonisë (1991), ajo aktualisht është në gjendje të tmerrshme.

Kjo rrugë është e mbushur përplot me gropa, asfalt të dëmtuar të cilat pamundësojnë kalimin e disa veturave të banorëve të kësaj lagje. Faktin se kjo rrugë është e lënë pas dore, e vërtetojnë edhe mbeturinat të cilat gjenden në secilin cep të kësaj lagje.

Banorët e kësaj lagje disa here me radhë kanë kërkuar nga institucionet kompetente që ta rregullojnë të njëjtën, mirëpo kërkesat e tyre nuk janë përfillur. Në nëntor të vitit të kaluar, banorët e kësaj lagje formuluan një kërkesë në të cilën nënshkrues ishin mbi 200 banorë të lagjes, me anë të së cilës kërkuan nga Komuna e Tetovës rikonstruimin e rrugës në mënyrë urgjente.

Megjithatë, përgjigjen nga Komuna e Tetovës këta banorë e morën disa javë më herët, pra me 1 vit vonesë nga ku edhe ua kishin dërguar kontratën e komunës me kompaninë për rikonstruimin e kësaj lagje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button