MMJPH: Me rifillimin e Programit të mjedisit jetësor dhe edukimit GLOBE shënohet Dita e planetit Tokë

Sot u mbajt pjesa e parë e trajnimit dyditor onlajn për ligjëruesit nga Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia në Programin e mjedisit jetësor dhe edukimit GLOBE, i cili shënoi 22 Prillin, Ditën e planetit Tokë dhe rifillimin e këtij programi në sistemin arsimor të vendit tonë, shkruan Portalb.mk.

Ministri i Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini e hapi ngjarjen, duke theksuar se nuk ka mënyrë më të mirë për të festuar Ditën e Tokës, sesa fillimi i programit arsimor që do t’i sjellë të rinjtë më afër mjedisit jetësor dhe t’u japë mundësinë për të kuptuar nevojën për mbrojtjen e tij.

“Ndihem i privilegjuar që si ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kam mundësinë të jem nikoqir në trajnimin e parë të përbashkët GLOBE për mësimdhënësit nga Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia dhe shoh që janë kyçur edhe kolegët nga Mali i Zi. Në këtë mënyrë realizojmë një mision të rëndësishëm dhe fisnik në dy fusha me rëndësi kyçe për të ardhmen tonë – mbrojtjen e mjedisit jetësor, përmes njohurive dhe edukimit të brezave të rinj se si të ruajnë dhe të sigurojnë jetë cilësore në mjedisin jetësor që do të trashëgojnë nga ne” – theksoi ministri Nuredini.

Donacionet për zbatimin e programit GLOBE në vendin tonë janë siguruar nga Ambasada Amerikane, si mjete për mbajtjen e këtij trajnimi në bashkëpunim me Zyrën për koordinim të GLOBE për Europë dhe Euroazi. Instrumentet, kimikatet dhe mjetet e tjera të siguruara janë të nevojshme që mësimdhënësit dhe nxënësit të mund t’i kryejnë në mënyrë efektive aktivitetet dhe trajnimet e planifikuara në bashkëpunim me partnerët e GLOBE nga Kroacia dhe Sllovenia.

“Jam i kënaqur që ky bashkëpunim, angazhim dhe entuziazëm i ndërsjellë për kontribut në programin GLOBE u mbështet edhe nga kolegët në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, të cilët e kuptojnë rëndësinë e programit GLOBE në të gjithë botën. Ne jemi duke bashkëpunuar me ta për ta përfshirë këtë program në kurrikulën shkollore dhe për të mundësuar arritjen e sukseseve të reja dhe rezultateve të njohura ndërkombëtarisht – tha Nuredini.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska theksoi se fëmijët në shkollë duhet të mësojnë ta duan dhe ta shpëtojnë planetin Tokë.

“Në aksionin global për shpëtimin e planetit Tokë, fëmijët, gjegjësisht nxënësit zënë një vend qendror. Rritja e vetëdijes për nevojën e mbrojtjes së mjedisit që në fëmijëri, kontribuon në të ardhmen e të gjithë Tokës.

Përvetësimi i informacioneve themelore përmes hulumtimeve konkrete, përkatësisht mësimeve të marra nga përvoja, janë parakushtet themelore për të kuptuar problemet, por edhe një motivim më i madh për të vepruar në drejtim të mbrojtjes së mjedisit dhe përfshirjes aktive të të rinjve në të gjitha fazat e mbrojtjes. Në fakt, dashuria për planetin Tokë mësohet në shkollë, tha Carovska.

Prandaj, në të gjitha kurrikulat e reja që zhvillohen në përputhje me Konceptin e ri për arsimin fillor, vëmendje e madhe i kushtohet temave të mbrojtjes së mjedisit dhe njëherësh mësuesit përveç aktiviteteve gjatë mësimdhënies, do të kenë mundësinë që përmes aktiviteteve jashtëmësimore shtesë të ngrisin vetëdijen për rëndësinë e një mjedisi të shëndetshëm – shtoi Carovska.

Në hapjen e trajnimit fjalime mbajtën gjithashtu edhe ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Kejt Mari Bërns dhe Dana Votapkova përfaqësuese e Zyrës për koordinim në rajonin e Evropës dhe Euroazisë.

Duke njoftuar rinisjen e Programit  të mësimit dhe mbikëqyrjes në dobi të mjedisit jetësor  ose GLOBE, dhe mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, ambasadorja Bërns e filloi fjalimin me një citim nga i dërguari i posaçëm presidencial për klimën Xhon Keri: “Suksesi do të thotë të përfitosh sa më shumë nga zgjuarsia, krijimtaria dhe diplomaci  jonë kolektive, nga fuqia mendore deri te fuqia alternative energjetike, duke përdorur çdo mjet që na duhet për ta arritur atje ku duhet të shkojmë “.

“Në mënyrë që të demonstrojnë vërtet talentet e tyre dhe të kontribuojnë në botën e nesërme, të rinjtë kanë nevojë për një themel të fortë në shkencë. Ne planifikojmë të punojmë me Maqedoninë e  Veriut për t’ua sjellë burimet e GLOBE  të rinjve në Maqedoninë e Veriut, duke i ndihmuar  të mësojnë për mjedisin, të kryejnë eksperimentet e tyre dhe të mbledhin të dhënat e tyre për botën përreth tyre. Ambasada e SHBA-së po punon me një OJQ-të lokale për të siguruar pajisje shtesë themelore të shkencës për studentët që të jenë në gjendje të përdorin burimet e GLOBE nga dora e parë dhe të kryejnë eksperimentet e tyre shkencore “, tha ambasadorja Bërns, duke theksuar se Programi GLOBE është në partneritet me Qeverinë të Maqedonisë së Veriut.

“Dhe kjo është arsyeja pse  jam e kënaqur që po bashkëpunoj me Ministrinë e Mjedisit jetësor dhe Ministrinë e Arsimit për këtë mundësi emocionuese.” Me energji të ripërtërirë dhe mbështetje të fortë nga ministri Nuredini dhe ministrja Carovska, unë kam besim se programi GLOBE do të mbështesë arsimin shkencor të merituar për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, “tha ambasadorja.

Programi GLOBE – Mësim global dhe mbikëqyrje në favor të mjedisit jetësor, është një program global shkencor dhe arsimor që koordinon punën e nxënësve dhe mësimdhënësve në mënyrë që të studiohet dhe kuptohet gjendja e mjedisit jetësor. Ai kombinon shkencën, arsimin dhe teknologjinë në nivel ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e rreth 38,000 shkollave nga mbi 124 vende të botës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button