Lehtësia e përfshirjes në korrupsion

Cilat janë arsyet që i shtyjnë njerëzit të përfshihen në korrupsion? Pangopësia? Lakmia e madhe? Mendimi se do t’ia hedhin pa u dënuar? Bindja se nuk do të mbajnë kurrë përgjegjësi?

Ish sekretari-gjeneral i qeverisë aktuale momentalisht gjendet në paraburgim, si i dyshuari i parë mes katër të dyshuarve në procedurën hetimore të ngritur nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion lidhur me parregullsi të mundshme në furnizimin publik të iniciuar nga Sekretariati gjeneral i qeverisë lidhur me softuerin për video-regjistrim i cili duhet të ishte vendosur në komunikacionin publik. Ky softuer nuk është vendosur në përdorim, ndërsa i njëjti është patentuar paraprakisht nga vetë ish-sekretari gjeneral i cili tani gjendet në paraburgim. Ai dyshohet se ka iniciuar blerjen e softuerit që vetë e ka patentuar, përmes kompanisë e cila udhëhiqet nga person i afërt me të. Normalisht, ai tani është vetëm i dyshuar në hetimin e ngritur nga prokuroria, dhe për të vlen prezumimi i pafajësisë deri në sjelljen e aktgjykimit të plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm që do të dëshmojë eventualisht fajësinë e tij.

Është dëshpëruese të vërehet që njerëz në pozita të larta shtetërore kaq lehtësisht përfshihen në skandale korruptive. Së pari ishte ish-prokurorja speciale Katica Janeva e cila u përfshi në njërin ndër skandalet më të mëdha korruptive dhe përfundoi si e dënuar në rastin Shantazhi. Tani ja ku është një preson tjetër nga një pozicion i eshalonit të parë të qeverisë, vet sekretari gjeneral i mëparshëm, ai i cili dyshohet për një tjetër skandal korruptiv që siç duket e ka “lehtësuar” buxhetin e shtetit për rreth 170.000 euro.

Në të dy rastet bëhet fjalë për juristë, të cilët shumë mirë e kanë kuptuar veprimin që e kanë kryer dhe kanë mundur të njëjtin ta kontrollojnë. Nuk bëhet fjalë për lajthim në fakte apo në të drejtë, por për procese mirë të planifikuara dhe të realizuara me vetëdije të plotë. Është e tmerrshme të shohësh sa lehtësisht njerëzit që mbajnë leksione për të drejtën mund të kalojnë në anën tjetër të ligjit, si pa të keq, sikur bëjnë një shëtitje rreth lumit gjatë një pasditeje me diell. Është i tmerrshëm komoditeti tek i cili ata e shohin veten aq të sigurtë për të ndërmarrë veprime të kësaj natyre, veçanërisht kur shumë mirë i kanë të qarta pasojat.

Por në anën tjetër, është shpresëdhënës fakti që rastet e tilla nuk vendosen më nën qilim por për të njëjtat reagohet në mënyrë të shpejtë dhe efikase. Vetëm të kujtohemi që Katica Janeva përfundoi në paraburgim para se aty të përfundojnë personat që ajo kishte për detyrë t’i ndjekë. Aktgjykimi në shkallë të parë për rastin Shantazhi u soll më herët se sa aktgjykimet për rastet më eminente të ish Prokurorisë Speciale, te të cilat ngjarjet kriminale kanë ndodhur vite më parë, ndërsa të dënuarit në shkallë të parë janë ende të pakapshëm për drejtësinë. Dhe ja tani në rastin ku i dyshuar është Dragi Rashkovski, në bazë të hulumtimit të publikuar nga mediumet, u ngrit procedurë parahetimore dhe vetëm pas një muaji të shkurtër e njëjta kaloi në procedurë hetimore dhe personi i dyshuar u vendos në paraburgim. Ne mbajmë mend kohëra jo shumë të vjetra kur mediumet që publikonin skandale të këtilla shuheshin brenda natës, ndërsa lidhur me vetë skandalet prokuroria refuzonte të inicioje çfarëdo lloj hetimi. Kështu që, është për tu përshëndetur kjo mënyrë efikase e reagimit të Prokurorisë në rastet në fjalë, edhe pse dikujt mund ti duket se ajo vetëm e bën detyrën e saj. Në këtë shtet, prokuroria publike për kohë të gjatë nuk e bënte detyrën e saj, prandaj tani është shpresëdhënës ndryshimi.

Mbaj mend ditën kur në Fakultetin e Drejtësisë në UEJL pritëm një prokuror të njohur nga SHBA i cili mbajti një ligjëratë për studentët tanë lidhur me rolin e prokurorisë në ndjekjen e korrupsionit. Ai tha diçka që ka mbetur e shënuar në kujtesën e të gjithëve që e ndoqën atë ngjarje: “Për ta kuptuar sa e suksesshme është prokuroria në ndjekjen e korrupsionit duhet t’u përgjigjeni dy pyetjeve: E para, sa persona të akuzuar për korrupsion janë shpallur fajtorë? Dhe e dyta, sa prej atyre personave i përkasin pushtetit aktual?”

Në shtetin tonë deri më tani praktika ishte që funksionarët të ndiqen penalisht vetëm kur të njëjtit nuk janë më në pushtet. Është shumë mirë që kjo praktikë ka filluar të ndryshojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button