Bunari pa ujë..!

Arlind Musliu

Dua që ta paramendoni veten sikur jeni humbur në shkretëtirë. Jeni i vetëm, pa ushqim, pa ujë, pa përgatitje tjera rrugore dhe po ecni në shkretëtirën e pafund. Po ngjiteni në majën më të lartë të kodrës me rërë dhe po vështroni horizontin që duket sikur rëra nuk përfundon kurrë.

Dhe diku atje larg, në një skaj të horizontit, filloni të dalloni diçka. Janë ca drunjë të hurmave që simbolizojnë oazën dhe ndoshta një burim uji. Ju jeni i lodhur aq shumë saqë mezi ecni një hap e leje më të udhëtoni me orë të tëra. Por, shpresa juaj se në atë oazë do të gjeni shpëtim, ju jep kurajë dhe vendosshmëri që të ecni deri atje me energjinë tuaj të fundit. E ja, pas disa orëve tepër të lodhshme, ju më në fund arritët aty dhe menjëherë vraponi për tek bunari që të nxjerrni ujin e jetës suaj.

E tani, dua që t’ju tregoj për dy mundësitë e përfundimit të kësaj historie. E para është që aty të ketë ujë të pijshëm dhe kjo do ju jep juve jetë edhe për disa ditë, si dhe shpresë se deri atëherë dikush do t’ju gjejë. E dyta është që aty të mos ketë ujë fare, apo të mos jetë i pijshëm, e kjo e kthen këtë histori në një elegji të trishtuar. Të gjithë jemi dakord se verzioni i parë i përfundimit është më i dëshirueshëm dhe askush nuk dëshiron që të realizohet verzioni i dytë.

Sot po shohim qartë, se populli ynë ka humbur në një shkretëtirë pa fund dhe nuk po sheh askund një bunarë shprese. Herë pas herë del ndonjë bunarë, që duket sikur do jetë shpëtim. Por, pas arritjes aty, populli dëshpërohet edhe më shumë kur e sheh se uji në atë bunarë është helm e jo shërim. Sa herë që populli ynë fiton pak shpresë se do bëhet më mirë, se do mund të rregullohet gjendja, kjo shpresë shndërrohet në tragjedi edhe më të madhe.

Tani, më shumë se kurrë, populli ynë ka nevojë për burim të vërtetë shprese. Ka nevojë për njerëz të sinqertë, besnik, punëtorë, inteligjent dhe të dobishëm për shoqërinë. E pse mos të jemi ne ata që do e plotësojnë këtë boshllëk të madh? Pse mos bëhemi ne burimi i shpresës dhe jetës? Pse mos jemi shembull i drejtësisë, mëshirës dhe përkushtimit? Pse mos të ndihmojmë popullin e përvuajtur që ka humbur të gjitha shpresat?

Por, përpara se të shpëtojmë popullin, ne duhet të shpëtojmë veten. Sepse një i humbur nuk mund të ndihmojë një të humbur tjetër. Ne duhet të mbushemi me njohuri të thellë, me besim të pastërt dhe me vullnet të fuqishëm. Kjo bëhet duke lexuar vazhdimisht libra të dobishëm, që të marrim këshillat dhe përvojat e njerëzve të mençur. Kjo do na ndihmojë që të bëjmë një plan të qartë të cilit do i përmbahemi gjatë rrugëtimit tonë. Gjithashtu duhet të kemi një lidhje të sinqertë dhe të pastërt me Zotin. Ky besim do jetë ai që do na bëjë dritë në ato momente kur duket sikur errësira nuk përfundon kurrë.

Lumturia e vërtetë nuk është kur merr, por kur jep. Kënaqësi nuk është gjumi, por kontributi i dobishëm për shoqërinë. Suksesi nuk gjendet në rehati, por në lëvizjen e vazhdueshme për të qenë burimi i shpresës. Mos prit të tjerët, fillo nga vetja. Mos prit të nesërmen, fillo sot. Mos prit mrekullinë, fillo vepro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button