fbpx

Sipas KE-së, RMV ka ende shumë punë për të bërë për prokurimin publik, rasti me Rashkovskin pasojë e mos-reformimit

Vendi në fushën e prokurimit publik në raportin e Komisionit Evropian u vlerësua si mesatarisht i përgatitur dhe pati vërejtje që kishin të bënin me nevojën e forcimit të kapacitetit të organeve kryesore që zbatojnë prokurimin publik dhe kompletimit të platformës së prokurimit elektronik. Aty kërkohej që vendi të rrisë përpjekjet për parandalimin e parregullsive dhe korrupsionin gjatë procesit të prokurimit, duke ndjekur parimet e transparencës, trajtimit të barabartë të konkurrencës së lirë dhe mos-diskriminimit, shkruan Portalb.mk

Rasti me skandalin e fundit të prokurimit të softuerit për shkeljet në trafik, nga ana e Dragi Rashkovskit i cili u paraburgos, me siguri se pritet të shënohet edhe në raportin e ardhshëm të këtij komisioni, ashtu siç janë shënuar edhe shumë skandale të tjera që kanë bërë bujë për shkak të përfshirjes së funksionarëve të ndryshëm. Por, nëse kjo do të konsiderohet si vullnet i mirë i vendit dhe organeve të drejtësisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin apo si fakt se ekziston akoma krim, korrupsion, jo transparencë dhe diskriminim gjatë prokurimit, duhet të presim deri në raportin e ardhshëm.

Gjithsesi, përveç kësaj, në raportin e vitit 2020, mbetën rekomandimet e njëjta si edhe në raportin e vitit 2019, që siç thuhej se nuk ishin implementuar plotësisht 64 prej tyre, dhe kërkohej:

  • Sigurimi i zbatimit të ligjit të prokurimit publik, duke përfshirë azhurnimin e portalit të prokurimit me module të reja, dhe përafrimin e mëtejshëm me Direktivat e BE-së për koncesionet;
  • Sigurimi që raportet e parregullsive të prokurimit publik të hetohen si duhet dhe shkelësit të penalizohen;
  • Forcimi me staf të duhur të kapacitetit administrativ të Byrosë për Furnizime Publike, Komisionit Shtetëror të Ankesave dhe Zyrës së Auditimit për mbikëqyrjen dhe monitorimin e prokurimit publik, dhe të Ministrisë së Ekonomisë për menaxhimin e koncesioneve dhe partneriteteve publiko-private.

Përveç kësaj, u kritikuan edhe praktika e përjashtimit të kompanive, që thuhej se nuk ishte në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

“Të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare të përdorura në fushën e prokurimit publik dhe koncesioneve, përfshirë marrëveshjet ndërqeveritare të lidhura me vendet jo-BE për zbatimin e projekteve të përbashkëta, duhet të jenë në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mos diskriminimit”, thuhej në raport.

Byroja për Furnizime Publike, shtylla kryesore e sistemit të prokurimit publik, sipas raportit, ka mungesë të personelit me kompetenca adekuate për mbikëqyrjen e zgjeruar dhe mandatin e saj të monitorimit.

“Bashkëpunimi midis organeve të prokurimit publik dhe palëve të interesuara, përfshirë Komisionin Shtetëror të Ankesave, Komisionin Shtetëror për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, mbeti i kufizuar. Portali i prokurimit publik u azhurnua dhe u përshtat me kornizën e re ligjore. Kontratat e dhëna, të lidhura me njoftimet e kontratave, tani janë në dispozicion në mënyrë elektronike”, thuhej në raportin e KE-së.

Ligji për furnizime publike

Edhe ligji për furnizime publike, kërkon zbatimin e parimit të transparencës duke publikuar planin e prokurimit publik, dokumentacioni i tenderit dhe kontrata e prokurimit publik, si dhe ndryshimet e tyre.

Sipas nenit 5 në procedurën e prokurimit publik, autoriteti kontraktues nuk duhet të kufizojë në mënyrë të padrejtë konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë, që rezulton të ketë ndodhur e kundërta, pasi në rastin me softuerin e Rashkovskit, tre prokurime i fitoi një kompani e vetme.

Se qëndrojnë fortë akoma vërejtjet e Komisionit Evropian, tregon më së miri edhe mos-zbatimi i ligjit. Në të thuhet se Byroja për furnizime publike, duhet të monitorojë prokurimet publike dhe nëse vërehet ndonjë pa rregullësi ta shqyrtojë prokurimin dhe të veprojë sipas nevojës.

nenin 177 për këtë çështje thuhet:

“Nëse Byroja konstaton parregullsi që ndikojnë në rezultatin e procedimeve, ajo do të japë udhëzime që do të merren nga organi kontraktues për t’i korrigjuar parregullsitë ose për të anuluar procedurat nëse kjo nuk është e mundur në këtë fazë të procedurave”.

Fakti që shumë rrallë dëgjohet për këtë institucion shumë të rëndësishëm dhe madje për mungesën e reagimit të gjithë këtij skandali, tregon edhe për efikasitetin e tij. Gjithashtu, mungesë prononcimesh ka pasur edhe nga Komisioni Shtetëror për Ankesa dhe Komisionin Shtetëror për Mbrojtjen e Konkurrencës, të cilat po ashtu, sipas po të njëjtit ligj kanë rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesit të prokurimeve në mënyrë ligjore.

I vetmi institucion i dëgjuar dhe prononcuar më shpesh për keqpërdorimet e funksionarëve dhe ngritjen e lëndëve ndaj tyre dhe veçanërisht ndaj Rashkovskit ka qenë Komisioni Shtetëror për Antikorrupsion.

Përndryshe, vitin e kaluar në vend se resori kompetent i Ministrisë së Brendshme, softuer për nevojat e shkeljeve në trafik e bleu ish sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë – atëkohë i kryesuar nga Dragi Rashkovski.

Njoftimi u bë në nëntor të vitit 2019,u paraqitën tre kompani, ndërsa me fituesin “Invoka Group” në shkurt të vitit 2020 u nënshkrua kontratë me vlerë rreth 81.000 euro.

Sipas Rashkovskit, Softueri nuk ishte në funksion për shkak të koronës dhe ndryshimeve të nevojshme ligjore, ndërsa nga MPB-ja thanse se për softuerin e sekretariatit të përgjithshëm nuk kishte koordinim dhe se nuk ishte në planet e Ministrisë së Brendshme

Kompania “Inovka Group”,  që të tre prokurimet publike që i fitoi, ishin përmbyllur me Sekretariatin e përgjithshëm, kur me të udhëhiqte Dragi Rashkovski edhe pse ishin paraqitur edhe kompani tl tjera.

Nga kompania pretenduan se janë paraqitur edhe në tenderë të tjerë, ndërsa hodhën poshtë çdo relacion me Rashkovskin.

Pikëpamjet e kundërta të Ministrisë së Brendshme dhe ish Sekretarit të Përgjithshëm Rashkovski konstatuan se softueri me vlerë 81.000 euro nuk do të vihet në funksion.

Emri i Rashkovskit shpesh është përmendur për përzierje nëpër tenderë dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ai më në fund, më 14 prill, pas skandaleve të një pas njëshme që publikoheshin në media ato dit, dha dorëheqje nga nga posti sekretar në kabinetin e Kryeministrit. Ndërkohë një javë më vonë, gjegjësisht më 21 prill ai u dërgua në burgun e Shutkës, ku ndodhet në repartin pranues dhe në bazë të protokolleve për mbrojtje nga Covid – 19, 10 ditë do të jetë vetëm në qeli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button