Tetovë, “Parkingu njëkatësh” – 4.555 euro për një vendparkim, banorët u ankuan tek institucionet: Ka shkelje të ligjit

Përderisa nga kompania “Eurovia” i bëjnë përgatitjet e fundit për ndërtimin e parkingut në kate në pjesën qendrore të Tetovës, e që pritet të jetë gati në shtator të këtij viti, dhjetëra banorë të kësaj lagje kanë deponuar një ankesë deri te Qeveria e RMV-së dhe institucionet tjera përkatëse. Ata thonë se ky parking po bëhet në mënyrë të kundërligjshme dhe se do të sjellë dëme të mëdha shëndetësore. 4.555 euro ka kushtuar një vendparkim, gjithsej do të ketë kapacitet për 180 vende. Për Portalb.mk, ankesën e konfirmuan edhe nga Qeveria e RMV-së.

Qeveria e RMV-së, Ministria e Transportit si dhe Inspektorati Shtetërorë për Ndërtim dhe Urbanizëm dje kanë marrë një ankesë të detajuar nga ana e banorëve të lagjes ku pritet të ndërtohet parkingu në kate nga ana e komunës së Tetovës si porositës i projektit.

Sipas banorëve, edhe pse ky parking pritet të ndërtohet në oborrin e tyre, askush nga autoritetet komunale nuk i ka informuara ata paraprakisht ndërsa procedura ka rrjedhur në formë jotransparente.

“Kryetarja Arifi pa procedurë dhe në mënyrë jotransparente është marrë me këtë punë, ka zgjedhur kompaninë e cila do të obligohet të ndërtojë parking në kate për parkim të veturave në lokacionin e vetëm në qendrën e qytetit e cila mund të shfrytëzohet për ndërtimin e një parku dhe parkingu nëntokësorë, për rreth 1000 banorë të cilët jetojnë aty. Vlera e parkingut në kate është rreth 824 mijë euro” shkruan në ankesën e banorëve të lagjes.

Sipas tyre, ka shkelje të disa neneve të ligjit për ndërtim si dhe të ligjit për ambient jetësorë, edhe atë bëhet fjalë për “shkelje të nenit 3, 8, 10, 13, 43, 71, 72 si dhe të nenit 136 të ligjit për ndërtim si dhe shkelje të nenit 22, 22-a, 22-b, 23, 26, 26-a, 28 të ligjit për ambient jetësorë nga ana e kryetares të komunës së Tetovës, Teuta Arifi, si porositës”.

Banorët e lagjes paralajmërojnë se me ndërtimin e këtij parkingu, lehet hapësirë që dikush në të ardhmen të bartë përgjegjësi penale, për shkak të shkeljeve të shumta ligjore, që sipas tyre është shpejtuar “për shkak të situatës”, duke aluduar në zgjedhjet lokale.

Përveç pjesës ligjore, banorët paralajmërojnë se ndërtimi i këtij parkingu sipas tyre mund të rris numrin e pacientëve me sëmundje pulmonare si dhe të shpeshtojë sëmundjet kancerogjene, për disa arsye.

“Ky ndërtim i pa planifikuar nga ana e Komunës së Tetovës për qytetarët do të sjellë rritje të sëmundjeve pulmonare, edhe atë të popullata e re në moshë, si dhe sëmundje më të shpeshta kancerogjene për shkak të hapësirës së mbyllur dhe mos pasjes së asnjë gjelbërimi në pjesën qendrore të qytetit” shkruan në ankesë.

Ata kërkojnë nga institucionet e lartpërmendura që të fillojnë procedurë përkatëse me anë të së cilës sipas tyre, “do të konfirmohet procedura e kundërligjshme nga ana e Komunës së Tetovës”.

This slideshow requires JavaScript.

Qeveria e RMV-së e konfirmon për Portalb: Kemi pranuar ankesë, po e shqyrtojmë

Muhamed Hoxha, zëdhënësi i qeverisë së RMV-së sot përmes një konferencë për shtyp potencoi se ka arritur një ankesë nga disa banorë të lagjes ku pritet të ndërtohet parkingu në kate, dhe se të njëjtën po e shqyrtojnë.

“Qeveria e RMV-së do të shqyrtoj ankesën e cila ka arritur nga disa banorë të lagjes në fjalë të cilën ju e theksoni për ndërtimin e parkingut në kate dhe pas konsultimit me institucionet relevante do të ndërtojmë qëndrim për të cilën edhe opinioni do të jetë i njoftuar” tha për Portalb.mk, zëdhënësi i qeverisë së RMV-së, Muhamed Hoxha.

Cili do të jetë kapaciteti i këtij parkingu dhe sa ka kushtuar?

Nga kompania e cila ka fituar tenderin për ndërtimin e këtij parkingu në kate, informojnë se bëhet fjalë për gjithsej 180 hapësira parkimi dhe se do të jetë parking njëkatësh, gjegjësisht kati përdhes dhe dyshemeja.

Zona që mbulohet është 2200 m2 me rreth 180 hapësira parkimi. Hapësira për parkim është në dy nivele. Kati përdhes dhe dyshemeja” informuan për Portalb.mk nga “Eurovia”.

Nga “Eurovia” premtuan se punët do të fillojnë gjatë muajit prill ndërsa parkingu njëkatësh pas restorantit “Tivoli” në Tetovë, sipas tyre pritet të përfundojë në shtator të vitit 2021.

Polemika të shumta ka pasur nga qytetarët në lidhje me kushtueshmërinë e këtij projekti, ky parking njëkatësh taksapaguesve tetovarë ju ka kushtuar gjithsej 820.000 euro, që i bije për një vendparkim, është paguar 4.555 euro, këtu duke mos llogaritur edhe çmimin për punët tjera.

Sa për informatë, vitin e kaluar në komunën e Kumanovës u përurua parkingu i parë në kate, i cili ka kapacitet për gjithsej 80 vetura ndërsa ka kushtuar 240.000 euro, që i bie 3.000 euro për një vendparkim.

Ky është vendi ku pritet të ndërtohet parkingu:

This slideshow requires JavaScript.

Ky projekt premtohet nga kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nga viti 2013

Projekti i parkingjeve nëntokësore apo në kate ngelet premtim i parealizuar i kryetares Arifi, edhe pse i njëjti është premtuar nga viti 2013 kur për herë të parë kjo e fundit kandidoi për postin e kryetares së komunës së Tetovës.

“Unë e shoh Tetovën me infrastrukturë efikase rrugore, parkingje nëntokësore dhe linja të rregullta të transportit publik” tha Teuta Arifi në vitin 2013.

Të njëjtin premtim kryetarja Arifi e përsëriti edhe në fushatën parazgjedhore të vitit 2017, e cila tha se këto parkingje do të zgjidhnin problemin e komunikacionit në Tetovë

„Ngarkesa e komunikacionit është një prej problemeve më të mëdha që i ka qyteti. Ne kemi themeluar ndërmarrjen Parkingjet e Qytetit dhe sadopak kemi arritur të zvogëlojmë tensionin në qytet dhe jemi në projektim të zgjerimit në mandatit që vjen pikërisht zonave të parkingut. Mendoj që edhe garazhet në kate do të zgjidhin këtë problem” tha Teuta Arifi  Top Tema në vitin 2017.

Ndryshe, këto nuk janë projektet e vetme të parealizuara në fushën e lehtësimit të komunikacionit në Tetovë, si në fushatën parazgjedhore të vitit 2013 ashtu edhe në vitin 2017 kryetarja Arifi kishte premtuar hapjen e bulevardit “Blagoja Toska”, sigurimin e autobusëve për Transport Publik si dhe hapjen e dy bulevardeve tjera, nga të cilët, deri tani është bërë vetëm vazhdimi i bulevardit industrial.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button