fbpx

RMV, gjyqësori pritet të digjitalizohet deri në fund të vitit

Gjyqësori I Maqedonisë së Veriut do të digjitalizohet. Ky është informacioni që mbrëmë e ka miratuar Qeveria dhe ka të bëjë me aktiviteteve që do të ndërmerren gjatë vitit 2021, njofton Portalb.mk.

Plani përmban aktivitete që do të zhvillohen në disa faza, kurse do të fillohet me ndryshime në legjislacionin ekzistues, siç është përdorimi (e-maili dhe e-dërgesa) me pjesëmarrësit në procedurë, si dhe sigurimi i pajisjeve për onlajn gjykime ose për të prezantuar vetëm disa prova në atë mënyrë.

Për këtë, gjykatat duhet të pajisen me pajisje të përshtatshme, internet lidhje dhe pajisje të tjera të nevojshme për përgatitjen e dokumenteve elektronike, përdorimin e certifikatave digjitale (nënshkrimet) dhe përcaktimin e identitetit digjital për palët, avokatët dhe pjesëmarrësit tjerë në procedurë, si dhe promovimi i AKMIS-it, sigurim të stafit të mjaftueshëm dhe trajnimi i tyre i vazhdueshëm për përdorimin e sistemit dhe pajisjeve.

Kjo do të nënkuptojë pajisjen e më shumë se 100 sallave gjyqësore në 34 gjykata në të gjithë vendin, 27 gjykata themelore, katër gjykata të apelit, gjykatë administrative dhe administrative të lartë si dhe Gjykatën Supreme, pajisje të një salle gjyqësore brenda Akademisë për gjykatës dhe Prokurorë, si dhe në burgun e Idrizovës.

E gjithë kjo duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2021.

Në një intervistë për Portalb.mk, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq kohë më parë tha se digjitalizimi është një proces më gjithëpërfshirës, i cili përfshinë disa çështje të cilat çojnë në të njëjtin qëllim.

“Ka disa elemente që janë shumë të rëndësishme, njëri prej elementeve është krijimi i kushteve ligjore për mundësinë e gjykimit online dhe nxjerrjen e provave online, por edhe dëgjimin e dëshmitarëve. Pjesa e dytë është këtë që e thoni për pajisjen e sallave të gjykatave nëpër shtet. Plani ynë është që të pajisen afërsisht 180 salla të gjykatës në shtet. Ai plan është i mbuluar financiar nga disa faktorë të rëndësishëm nga komuniteti ndërkombëtar, Ambasada e SHBA-së, OSBE dhe BE në një pjesë. Me Qeverinë e Norvegjisë jemi në bisedime për mbështetje financiare për plotësim dhe avancim të sistemit AKMIS, i cili menaxhon me lëndët, pra është një komponentë tjetër e digjitalizimit. Vazhdon një projekt të cilin e zbaton OTA, a bëhet për digjitalizimin e urdhrave gjyqësor për Masat e Veçanta Hetuese dhe ajo është me mjete tona dhe gjithashtu në atë pjesë çështja e interoperabilitetit këtu më shumë duhet të na ndihmojë BE, pra këtu bëhet fjalë për komunikimin mes vete të institucioneve, gjegjësisht gjykatave, prokurorisë, Avokatit të Popullit, avokatëve, Kadastrës etj.  Këto elemente kur t’i mbledhim duhet të fitojmë një fotografi të plotë për digjitalizimin. Pjesa më e madhe duhet që të ndodh deri në fund të këtij viti, flas për pajisjen e sallave të gjykatave, pra lë hapësirë duke e pasur parasysh krizën e kovidit, që të ketë ndonjë anulim, megjithatë plani ynë është që për një vit të kemi rezultate të dukshme. Pres që së shpejti qeveria të miratojë plan aksional për digjitalizim të gjyqësorit dhe të definohen këto procese.” tha Bojan Mariçiq.

Onlajn gjykimet janë duke u shqyrtuar që nga fillimi i pandemisë, pasi ka raste pozitive ose të izoluara midis të pandehurve dhe seancat shpesh janë shtyrë.

Në tetor të vitit të kaluar, kryetari i Këshillit gjyqësor Kiro Zdravev vuri në pah se ekzistojnë pengesa për shkak të së cilave vihet në dyshim zbatimi i kësaj ideje, e kjo është pëlqimi i të pandehurit për këtë lloj gjykimi.

Megjithatë, përveç pengesave ligjore për mbajtjen e onlajn gjykimeve, problem tjetër me të cilin përballen gjykatat, nëse tashmë do të krijohen kushtet për gjykim të tillë, është fakti që shumica e gjykatave në vend nuk janë të pajisura teknikisht për procedura të tilla.

Se në çfarë gjendje e kemi gjyqësorin, tregon edhe anketa e Institutit Republika Ndërkombëtar (IRI), sipas të cilës 79 përqind e qytetarëve nuk kanë besim në gjyqësorin dhe ky është nivel rekord negativ, që nuk e ka asnjë shtet në rajon.

Reformat në pushtetin gjyqësor vazhdojnë të jenë pika e zezë e  të gjitha pushteteve të deritanishme, të cilat nuk arritën që ta ndajnë nga ndikimet politike. Pandemia e virusit korona i la në hije këto reforma, të cilat përveç se janë të rëndësishme për vetë funksionimin e shtetit ligjor, janë dhe kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e vendit në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button