Shkup, autobusët e shpejtë dhe tramvaji me rrota do të financohen me hua nga BERZH

Linja nga Novo Lisiçe deri në Gjorçe Petrov të Shkupit me sistemin e autobusëve me shpejtësi të lartë (BAS) do të duhet të funksionojë më së voni deri në fund të vitit 2024 në Shkup, ndërsa linja e dytë e “tramvajit me rrota” do të lëshohet në përdorim në vitin 2025. Këtë e paralajmëroi Kryetari i Shkupit Petre Shilegov, i cili sot së bashku me ministrat, atë të Financave Fatmir Besimi dhe Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski nënshkruan një marrëveshje për kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 70 milionë euro, njofton Portalb.mk.

Megjithëse marrëveshja për kredi për “tramvajin me rrota” tashmë është nënshkruar, hartimi i projektit bazë ende nuk është realizuar dhe do të përfshihet në procedurën e tenderit që do të shpallet këtë verë, ndërsa do të financohet nga BERZH. Deri më tani janë përgatitur projekti ideor dhe dokumentacioni shoqërues.

“Ekipet e Qytetit të Shkupit dhe Ndërmarrja Publike për Transport deri tani kanë punuar në përgatitjen e dokumentacionit teknik për këtë sistem. Zgjidhja ideale e trafikut tashmë është përgatitur nga ekspertë nga Manastiri, Shkupi, Beogradi, Londra dhe Brukseli dhe do të jetë baza për dokumentacionin e tenderit të cilin unë pres që do të fillojmë ta realizojmë këtë verë, tha kryetari Shilegov.

Shilegov premtoi se zgjidhja ideore e trafikut do t’i paraqitet publikut para shpalljes së tenderit për realizimin e linjës së parë BAS nga Novo Lisiçe në Gjorçe Petrov, nga konsulentët e BERZH dhe ekspertët të angazhuar nga Qyteti i Shkupit. Ky dokument tashmë u është dorëzuar konsulentëve të BERZH-it për verifikim.Lidhur me funksionimin e sistemit të autobusëve të shpejtë, Shilegov njoftoi sot se stacionet e autobusëve do të jenë të tipit të mbyllur, që do të thotë se verfikimi i biletave do të bëhet para hyrjes së udhëtarëve në stacion. Është planifikuar gjithashtu, të ndërtohet një “lidhje e shpejtë” midis Stacionit Hekurudhor – Shkup dhe linjës së parë BAS, e cila do t’ju mundësojë qytetarëve të transferohen drejtpërdrejt nga platformat në autobusë.

Minstrat, Shilegov dhe përfaqësuesi i BERZH, foto nga Qyteti i Shkupit

Lidhur me çmimin e biletave e transportit publik në Shkup, Shilegov nuk ka përgjigje specifike nëse ato do të ishin më të shtrenjta, por sqaroi se të dy linjat BAS do të integrohen në transportin publik në Shkup. Do të zhvillohet një sistem i veçantë biletash, i cili do të zhvillohet paralelisht me zbatimin e “tramvajit me rrota”. Qëllimi është t’u sigurojmë qytetarëve numër më të madh të biletave, nga më të ndryshmet, siç është bileta për përdorimin e transportit publik për një periudhë prej 1 ore.

Ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoj Boçvarski deklaroi se dy BAS linjat midis Novo Lisiçe-s dhe Gjorçe Petrov-it, si dhe midis Pintija-s dhe Shkup- Veri, kur ato të bëhen funksionale, duhet të përmirësojnë efikasitetin dhe ekonominë e transportit publik të Shkupit, por edhe të ulin ndotjen e ajri sepse qytetarët do të përdorin më pak makina për udhëtimet e tyre.

Boçvarski tha se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Qyteti i Shkupit janë në duke e përgatitur komplet dokumentacionin teknik, për të cilin ai premtoi se do të punohet me ekspertët për të bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme për sistemin e autobusëve të shpejtë.

“Gjatë këtij viti dhe në vazhdim, do të investojmë në projekte që do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit jetësor, do ta lehtësojnë transportin, do të kontribuojnë në kursimin e kohës dhe burimeve të energjisë, do të mundësojnë rritje të investimeve dhe vendeve të punës, si dhe do të sjellin përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Si ministër i Financave e përkrah bashkëpunimin ndërkombëtar, i cili do ta ndihmojë të ashtëquajturin “tranzicion i gjelbër”, ndërsa ky projekt është pjesë e këtij plani të madh. Gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme duhet të kenë mundësi që të thithin ajër më të pastër dhe të udhëtojnë në mënyrë më të shpejt dhe më të sigurt, tha Fatmir Besimi.

Përfaqësuesi i BERZH në krye të vendit tonë, Henri Aranitasi, tha se sipas planeve, sistemi i ri BAS parashikon uljen e emetimeve të monoksidit të karbonit me mbi 95 përqind, grimcave PM me afërsisht 90 përqind dhe oksidit të azotit dhe dyoksidit të karbonit me të paktën një çerek.

Kredia nga BERZH do të tërhiqet në dy këste. I pari, në vlerë prej 47.6 milionë euro, duhet të përdoret për ndërtimin e linjës nga Novo Lisiçe në Gjorçe Petrov. Kësti i dytë, e cila është planifikuar të tërhiqet në vitin 2023, kur do të shpallet tenderi për realizimin e linjës nga vendbanimi Pintija deri në vendbanimin Shkupi Verior, për të cilin duhet të ndahen 22.4 milion euro.

LEXO: Qyteti i Shkupit: “Autobusët e shpejtë” në dy linja do të lidhin Gjorçe Petrovin dhe Novo Lisiçen, si dhe Butelin e lagjen Pintian

Kredia është për të blerë autobusë, me dysheme të ulët, me gaz natyror, 26 për linjën e parë dhe 22 automjete për linjën e dytë. Në të njëjtën kohë, fondet duhet të përdoren për të ndërtuar dy depo të reja në Novo Lisiçe dhe brenda depove ekzistuese në Gjorçe Petrov, për të bërë ndërhyrje në infrastrukturën e bulevardeve dhe rrugëve të Shkupit, për të ndërtuar stacione autobusësh dhe për të zbatuar zgjidhje të veçanta softuerike për funksionimi i sistemit të automatizuar.

Pritshmëritë janë që i gjithë sistemi me dy linja BAS në Shkup do të jetë funksional në vitin 2025. Shilegov gjithashtu foli shkurtimisht edhe për ndryshimet në linjat ekzistuese qytet-periferi nga transporti publik i Shkupit, që në të ardhmen do të shërbejë për të sjellë udhëtarët në linjat BAS, ku do të bëhet transferimi i udhëtarëve. Megjithatë, më shumë detaje rreth kësaj ai paralajmëroi gjatë prezantimit të projektit.

Autobusë, NQP, NTPFoto nga Meta.mk/Bojan Bllazhevski

Kredia e BERZH-it ka një periudhë të kthimit prej 15 vjetësh, me grejs periudhë prej 4 vitesh. Banka do të sigurojë gjithashtu një grant të pakthyeshëm prej 1.5 milion euro për mbështetje teknike për Qytetin e Shkupit dhe Ministrinë e transportit dhe lidhjeve. Ministri i transportit dhe lidhjeve informoi se ministria e tij do të punojë në një studim të ri për zhvillimin e transportit urban në Shkup.

LEXO: Për transport të shpejtë dhe cilësor, Shkupit i nevojiten investime urgjente (FOTO+VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button