Qeveria: Nëse është në kundërshtim me ligjin, nuk do të ketë ndërtim përballë Holiday Inn-it

Qeveria do t’i respektojë ligjet dhe nëse diçka nuk është sipas ligjit, atëherë aty nuk do të ketë ndërtim, kështu deklaroi sot zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me planin e paralajmëruar për ndërtimin e tre ndërtesave shumëkatëshe përballë hotelit Holiday Inn, shkruan Portalb.mk.

“Ajo që mund të them është të thirremi në ligj dhe çdo gjë që është në kundërshtim me këtë, do të thotë se aty nuk do të ketë ndërtim. Miratimi për ndërtim jepet nëse plotësohen të gjitha kushtet e ligjit për ndërtim. Me planin urbanistik sqarohet çka është planifikuar në përfshirjen e atij lokacioni, çfarë lloje të mbindërtimeve, sa gjelbërim është paraparë infrastrukture nevojitet. Në bazë të të gjitha këtyre informatave, investitori përgatit një projekt dhe nëse i plotëson të gjitha kushtet merr leje për ndërtim. Me ligjin për ndërtim, është paraparë që investitori të fillojë me ndërtim në afat prej dy vitesh, nëse nuk fillon brenda asaj periudhe mund t’i merret leja apo nëse nuk ndërton sipas projektit që ka paraqitur”, deklaroi Arsovski.

Investitori MG Fashion planifikon të ndërtojë tre ndërtesa shumëkatëshe me nga 16, 20 dhe 22 kate në parkingun ekzistues përballë Hotel Holiday Inn. Kompleksi rezidencial dhe afarist “Shkupi i Madh” është planifikuar të ndërtohet në parcelën ndërtimore 1.1 të planit ekzistues të detajuar urbanistik për lokalitetin Unaza e Madhe pjesa jugore – lindje.

Në fazën fillestare së pari do të ndërtohet kulla me katin përdhes, 20 kate dhe papafingo me një sipërfaqe të zhvilluar bruto prej 29.438 metra katrorë do të ndërtohet së pari, ndërsa në fazën e dytë, do të ndërtohet ndërtesa shumëkatëshe 22-katëshe me një sipërfaqe bruto të zhvilluar prej 27.870 metra katrorë. Këto dy ndërtesa janë të vendosura në zonën përreth bregut të lumit Vardar, ndërsa ndërtesa e fundit 16-katëshe do të ndërtohet në anën e kundërt të parcelës, përballë Soravia dhe garazhin ekzistues shumëkatësh.

Disa organizata të shoqërisë civile, profesorë universitarë, arkitektë dhe media dërguan thirrje publike për kryeministrin Zoran Zaev që të mbështete pezullimin nga Komuna Qendër për Planin e Detajuar Urbanistik CO8 për parkingun përballë hotelit Holiday Inn, ku duhet të ndërtohet ky kompleks për banim dhe afarist.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button