Gjykata Kushtetuese vendosi të fillojë procedurë për Ligjin për Bankat në RMV

Gjykata Kushtetuese sot vendosi të fillojë procedurë për nenin 163 paragrafi 3 nga Ligji për bankat, pas iniciativës së kursimtarëve të dëmtuar nga Banka Eurostandard në RMV, transmeton Portalb.mk.

Zgjidhja aktuale ligjore, për të cilën fillohet procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë, në praktikë do të thotë që kur një bankë dështon, së pari kompensohet Fondi i Sigurimit të Depozitave, i cili, nga ana tjetër, u krijua për të kompensuar qytetarët me një investim kursimi deri në në 30,000 euro, investimi maksimal i garantuar me ligj. Nëse dikush ka kursime mbi atë shumë, ata duhet të presin për të parë nëse kanë për të marrë para për pjesën tjetër të depozitës.

Gjykata nuk zbuloi me sa vota “pro” dhe sa “kundër” u mor vendimi, por është e sigurt që një ose disa nga gjyqtarët ndryshuan mendjen sepse kjo nuk është hera e parë që gjyqtarët vendosin për një iniciativë të tillë.

Më pak se dy muaj më parë, gjyqtarët kushtetues nuk filluan procedurë mbi iniciativën e paraqitur për të njëjtën dispozitë të Ligjit për bankat

Iniciativa u paraqit nga depozituesit e dëmtuar të Eurostandard Bank dhe me të kundërshtohet dispozita ligjore e cila thotë se Fondi i sigurimit të depozitave ka përparësi të arkëtojë nga bankat e falimentuara. Iniciatorët e ankesës në Gjykatën Kushtetuese konsiderojnë se nuk është e drejtë për ata që kishin më shumë se 30.000 euro në bankën e falimentuar dhe për kompanitë.

Në pritje të seancës së sotme të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Financave dërgoi disa mesazhe të qarta dhe të drejtpërdrejta, mes të cilave, se Fondi i sigurimit të depozitave ka përparësi në mbledhjen e kursimeve nga banka e dështuar, pasi, në mënyrë indirekte, ajo ruan stabilitetin e sistemit bankar.

E gjithë historia është “rast më vete” pasi vetëm dy muaj më parë Gjykata Kushtetuese vendosi të mos hapte procedurë për një iniciativë tjetër të depozituesve të dëmtuar që kundërshtuan të njëjtin nen. Tani, me sa duket, diçka ka ndryshuar.

Ligji u bë problem pas 14 vitesh në fuqi

Pavarësisht interpretimeve ligjore, ajo që do të mbetet pas vendimit të gjyqtarëve kushtetues, çfarëdo qoftë ai, janë pasoja për qytetarët. Gjegjësisht, nëse ai vendim do t’i sjellë dikujt drejtësi apo padrejtësi.

Zgjidhja aktuale ligjore u shpjegua nga Ministria e Financave. Fondi është formuar, thonë Ministria e Financave, që qytetarët të kenë besim në kursime.

“Fondi për sigurim të depozitave është një institucion i specializuar financiar, i themeluar nga Ligji për Fondin e sigurimit të depozitave, i cili dëmshpërblen depozitat e siguruara në bankat dhe shtëpitë e kursimeve ku ka ndodhur një ngjarje e rrezikshme. FSD, si institucion i specializuar financiar, nuk kryen veprimtari tregtare dhe nuk punon për përfitim, prandaj ka një status tjetër në krahasim me personat e tjerë juridikë. Roli i FSD-së është të ruajë besimin e qytetarëve në sistemin financiar të brendshëm, sepse depozitat e familjeve janë një mënyrë e sigurt dhe më e lirë për të financuar ekonominë e vendit”, shpjegoi Ministria e Financave.

Më tej, resori i ministrit Fatmir Besimi shpjegon se çfarë do të ndodhë nëse Fondi, për një arsye ose një tjetër, do të mbesë pa para.

“Nëse me pagesën e depozitave nga një bankë shterohen fondet në dispozicion të FSD-së, i njëjti nuk do të mund t’i kompensojë qytetarët nëse ndodh një ngjarje tjetër e rrezikshme në një bankë tjetër ose shtëpi kursimesh, e cila vë në dyshim sigurinë e të gjithë sistemit financiar, si dhe sigurimin shoqëror të qytetarëve. Për shkak të kësaj, FSD ka avantazh në mbledhjen e arkëtimeve, bazuar në kursimet e paguara, pasi mbron interesin publik. Përparësia në mbledhjen e të arkëtueshmeve është në interesin publik, sepse në atë mënyrë ruhet stabiliteti i sistemit bankar dhe sigurohet siguria shoqërore e qytetarëve ”, thonë nga Ministria e Financave.

Nga Ministria, megjithatë, nuk donin të komentonin mbi situatën hipotetike – çfarë nëse Gjykata Kushtetuese heq ose anulon përparësinë që tani gëzon Fondi i Sigurimit të Depozitave. Përgjigja për këtë pyetje u transferua në Fondin e Sigurimit të Depozitave.

Nga ana tjetër, Fondi për sigurim të depozitave, disa ditë më parë u përgjigj se është në gjendje të mirë financiare, por theksuan se nëse fillojnë të shterojnë paratë në rast rreziku dhe nuk kanë përparësi, atëherë në fillim do të paguajnë më shumë banka. Ndërsa nëse kjo nuk është e mjaftueshme, do të marrin hua nga Buxheti, gjegjësisht nga arkat e të gjithë taksapaguesve

Përndryshe, kursimtarët e dëmtuar nga falimentimi i Bankës Eurostandard më 14 prill kanë protestuar para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button