MEDITIME MBI VIKINGËT 

Në këto ditë vetë veçimi, me shumë zhurmë dhe pa gjë të re, është e pamundur mos përjetosh gjendje amullie. Sa për ta kaluar kohën shikoj “Vikingët”, këtë serial për Ragnar Lothbrok-un e famshëm dhe bijtë e tij, të përmendur në shumë legjenda nordike.

Herë pas here e shikoj botën nga xhami i avulluar prej ofshamave. Kam ndjesinë se do isha më i lumtur nëse do jetoja në vende me borë, akull, ngricë e acar, se sa në vendet me vapë e verë të nxehtë. Ndoshta në Skandinavi, atje ku marrëzitë, plaçkitjet dhe krimet e tmerrshme janë bërë para shumë shekujsh nga vikingët, këta luftëtarë që besonin në Odinin, Thorin dhe hyjtë tjerë, për të cilët vdisnin pa dridhje qerpiku. Besonin vikingët se lavdia u takonte vetëm atyre që bënin jetë të trazuar dhe me shumë rreziqe. Besonin ata se pas flijimit i priste jeta tjetër në Valhala, aty ku, sikurse thotë mitologjia, shkonin luftëtarët që vdisnin në fushëbetejë dhe priteshin nga Valkiret e bukura.

Këta luftëtarë të guximshëm shpesh janë ftuar të luftojnë për mbretër e perandorë të Europës, kurse normanët në shekullin XI e pushtuan edhe Durrësin, Shkupin, Pollogun, Ohrin edhe shumë vende të Ballkanit.

Kronistja bizantine Ana Komnena tek Aleksiada shkruan se pas fitores së Boemundit në Ohër e Artë, ishte Petar Alifa që i mori dy Pollogët, kurse Puntesi e mori Shkupin.

Vikingët ngjanin me stradiotët, këta kalorës të famshëm arbërorë që luftonin me pagesë. Mercenarizmin e kanë vazhduar edhe pasardhësit e stradiotëve. Shqiptarët, thotë një udhëpërshkrues, duke luftuar për të tjerët u bënë forcë e humbur për atdheun e tyre.

A frymojnë vikingët në qenien e skandinavëve të butë dhe tepër njerëzorë? A do të bëheshin sërish vikingë nëse dikush do t’i sulmonte këta njerëz të qetë e paqësorë? A ka te çdo qenie njerëzore diçka nga vetëdija e largët e paraardhësve të tyre?

Sot skandinavët e duan atdheun në një mënyrë tjetër. Ata janë vikingë të mendjes dhe përgjegjësisë qytetare. Rebelohen kur dikush tenton të abuzojë me (pu)shtetin. Prandaj nga vendet e vikingëve të dikurshëm rrallë vijnë lajme të këqija.

Nuk di nga më erdhën kësi mendimesh në këtë ditë me një armik të padukshëm, të cilin nuk e kanë mposhtur as vikingët me sëpatat dhe shpatat e tyre, as stradiotët, as ushtritë më të fuqishme perandorake. Ky armik i padukshëm mposhtet me armë tjera: nëpërmjet mendjes dhe përgjegjësisë njerëzore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button