BE diskutoi për Maqedoninë: Nuk heq dorë nga konferenca e parë ndërqeveritare deri më 30 qershor

Sekretarja e shtetit e Portugalisë tha se të gjithë anëtarët dëshirojnë lëvizje përpara dhe kishin biseduar me ta dhe vendet kandidate. Ajo shtoi se Bullgaria është në një periudhë pas zgjedhjeve, por që debati për Maqedoninë e Veriut vazhdon për të arritur deri te rezultati, e që është fillimi i negociatave deri në fund të presidencës portugeze, transmeton Portalb.mk.

Portugalia, si kryesuese e Bashkimit Evropian, dhe Komisioni Evropian ende shpresojnë që deri në fund të presidencës Portugeze, të mbahet konferencë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, raporton MIA nga Brukseli.

Ana Paula Zakariash, sekretarja e shtetit e Portugalisë për çështje evropiane, shpjegoi se sot, gjatë Këshillit për çështje të përgjithshme, ministrat kishin diskutuar për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe në përgjithësi për zgjerimin.

“Do të thoja që të gjitha vendet anëtare duan të shohin progres këtu, presidenca ka biseduar me vendet kandidate dhe vendet anëtare dhe me mbështetjen e Komisionerit të BE Oliver Varhei kemi biseduar me autoritetet Bullgare”, tha në konferencë për shtyp Zakariash.

Ajo shtoi se në këtë moment Bullgaria është në periudhën pas zgjedhore, por se debati për Maqedoninë e Veriut vazhdon për të arritur rezultat.

“E ky rezultat gjatë presidencës tonë është të fillojmë konferencat ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha sekretarja e shtetit portugez .

Nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviç, shtoi se në këtë institucion po bëhet gjithçka që është e mundur për të miratuar Kornizën Negociuese për Maqedoninë e Veriut që deri në fund të presidencës portugeze më 30 qershor edhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

“Për Komisionin Evropian, të gjitha kushtet nga Maqedonia Veriore janë përmbushur dhe duhet të punojmë së bashku për të miratuar Kornizën negociuese dhe të mbajmë konferencën ndërqeveritare”, tha Shefçoviç.

Ndërkohë, po kalojnë tashmë gati katër muaj që Portugalia kryeson me Bashkimin Evropian, por asnjë hap konkret nuk është bërë për negociatat me Maqedoninë e Veriut. Kjo “paralizë” ishte edhe e pritshme, sepse akoma pa marrë presidencën, ky vend shihej si më pak i interesuar për zgjerimin e BE-së.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button