RMV, 17.8 milionë euro për pakon e 6-të, ky sektor përfiton më shumë

17,8 milionë euro peshon pakoja e 6 ekonomike, me të cilën do të ndihmohen rreth 10 mijë kompani dhe afër 60 mijë të punësuar. Nga këto do të përfitojnë 12 kategori ekonomike, tregon zëvendëskryeministri për ekonomi, Fatmir Bytyqi. Gastronomisë do t’i takojë pjesa më të madhe e kësaj shume, 9,9 milionë euro. Atyre do t’u mbulohen 30% të të ardhurave nga mesatarja mujore e fitimit, shkruan TV21.

 “Mesatarja për ato që janë të mbyllura merret nga 2019 dhe 2020. Ne mund të kompensojmë 30% të të ardhurave mesatare, por përskaj kësaj, për shkak se ata janë të mbyllur vetëm 21 ditë, përllogaritet 30% në ditët në të cilat janë të mbyllur, ose thënë në mënyrë më plastike, 30% nga 100 mijë denarë (fitim mujor), duhet të jetë 30 mijë denarë, por për shkak se ai ka qenë i mbyllur vetëm 75% të kohës së gjithë muajit, do të marrë 75% e 30 mijëshit”, deklaroi Fatmir Bytyqi – zv/kryeministër për çështje Ekonomike.

Me 2,5 milionë euro do të mbështeten rreth 1200 kompani  për veprimtaritë si  vendpushimet private për fëmijë, klubet e natës, këndet e lojërave, restorantet e dasmave, industritë e eventeve, qendrat e fitnesit, fotografët dhe studiot fotografike. 1,4 milionë euro do të shkojë për agjencitë e kategorizuara turistike. 2 milionë euro janë paraparë për mbështetje për likuiditet për kompanitë. 1 milionë euro me zero për qind normë interesi do të shkojë për mediat radio-televizive. Nga 30,750 denarë do të marrin muzikantët dhe guidat e licencuara turistike.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, pret që viti 2021 në ekonominë vendore do të shënojë trend rritës, ashtu siç është shënuar deri më 15 prill.

Në pakon e 6-të ekonomike po ashtu janë paraparë mjete edhe për sigurimin e 50 mijë testeve PCR falas për turistët që qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut e të cilëve u duhet test PCR kur kthehen në vendet e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button