Gjermania e Franca kërkojnë përjashtimin e klubeve “rebele” të Super Ligës

Asnjë skuadër nga kampionati gjerman i futbollit nuk ka preferuar të bëhet nismëtare apo t’i bashkohet kompeticionit më të ri, Super Ligës, ndërsa së fundi edhe Federata Gjermane e Futbollit ka sulmuar 12 klubet që i dhanë jetë këtij organizimi të ri, raporton SS.

Nëpërmjet një komunikate zyrtare, me tone shumë të ashpra, Federata Gjermane e Futbollit kërkoi që klubet nismëtare të Super Ligës të përjashtohen nga të gjithë ligat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Federata Franceze e Futbollit, që nëpërmjet kreut të saj Noel Le Graet theksoi se UEFA dhe FIFA janë të bashkuara në këtë qëndrim dhe se klubet “rebele” duhet të ndëshkohen për këtë nismë aspak të mirë-menduar.

“Është vërtetë një skandal. Kam vënë re që UEFA dhe FIFA janë të bashkuar anë këtë betejë dhe kjo u pa edhe nga deklaratat e tyre të sotme. Nuk mund të vazhdohet në këtë rrugë pa u ndëshkuar. Këto klube duhet të marrin ndëshkim, nëse vijojnë me këtë projekt jorealist, ndonëse jam i mendimit që t’u japim shansin të reflektojnë”, u shpreh Le Graet.

Super Liga u krijua nga 12 klube, 6 prej të cilave angleze, 3 italiane e 3 spanjolle, ndërsa nisma u refuzua nga Bayern Mynih, Borussia Dortmund dhe Paris Saint Germain, të cilat vendosën të respektojnë modelin tradicional të udhëhequr nga UEFA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button