Hakuna matata fushata

Proceset dhe ngjarjet e mëdha në një vend, vendojnë nën hije gjëra tjera. Disa tjera gjëra, të cilat, ndonëse mund të jenë po ashtu të mëdha apo edhe të vogla, por me të njëjtën rëndësi për atë vend, shoqëri dhe shtet. Me rëndësinë, intensitetin dhe sasinë e uzurpimit të opinionit publik, kjo vlen sidomos për zgjedhjet dhe fushatën elektorale, sidomos për shtetet në rajonin tonë dhe sidomos në Maqedoni. Në këtë shtet ku edhe një palë zgjedhje lokale arrijnë të duken si çdo proces elektoral këtu, sikur janë një ribërje apo rinisje e shtetit. 

Nuk mund deri në fund të sqarohet se pse zgjedhja e atyre, të cilët për katër vite do kryesojnë me fshatrat dhe qytetet tona, do duhej të ishte aq ngjarje e madhe, thënë si në vargun e poetit rus: një mbledhje, që anulon gjithë mbledhjet tjera?! Kjo pasi bëhet fjalë për zgjedhje komunale në një vend që ka aq pak decentralizim të ingerencave të pushtetit lokal dhe me përqindje të vogël të daljes në kësi votime, gati sa herë nën gjysmën e numrit të votuesve. 

Ingerencat e pakta dhe jehona e vogël e votuesve shpjegojnë shkëputjen e klasës politike nga baza e legjitimitetit  të tyre; qytetarët. Ashtu zhurma dhe tendenca për uzurpim të opinionit mund të sqarohet me këtë nevojë të ngjizjes, deri në atë masë sa që edhe në fushata lokale përmenden fjalët si: referendum për të ardhmen e kombit, shtetit etj, etj. Ashtu në mungesë të ofertës dhe politikbëries së vërtetë synohet që nëpërmjet zhurmës të kthehet vëmendja e qytetarëve për rëndësinë e akëcilit proces zgjedhor. Procese të cilat, shpesh, vetëm vazhdojnë të legjitimojnë ata vet, politikanët, por rrallë përbëjnë zgjidhje e vërtetë për qytetarët.
Por, shpjegimi më i madh se pse çdo fushatë politike në Maqedoni është hakuna fushata ose fushata matata, sipas thënies “hakuna matata”, është etatizmi. Varësia, jo vetëm e politikës, por edhe e kulturës, ekonomisë, medieve dhe i shoqërisë nga shteti dhe aparati shtetëror. Shteti këtu është punëdhënësi më i madh dhe reklamuesi më i madh. Kurse për popullatën shumicë, atë të vetidentifikuar si maqedonase (shumicë kjo që tani mbetet e paverifikuar me census, pasi censusi i fundit ishte ndërprerë dhe nuk ka paralajmërim nëse do mbahet ndonjëherë) shteti perceptohet edhe si përcaktues i qenësisë së tij dhe si i tillë edhe si linjë identiteti. 

Me këtë shpjegim të kontekstit në fund të kthehemi në fillim për të hulumtuar se çka janë ato gjëra të mëdha që fshihen me zgjedhjet dhe ndër zgjedhje. Më e madhja e kësaj është rivaliteti, hutia dhe konfliktualiteti rreth asaj se i kujt është ky shtet. Edhe atë, prej asaj nëse vërtetë i shërben dhe është i bartësve të sovranitetit të tij; qytetarëve, është vetëm i një populli apo edhe vetëm i votuesve të një regjimi polico-partiak, që ja kështu disi legjitimohet, me procese zgjedhore.

Dy shembuj nga java e kaluar, askund kështu të nënvizuar, ilustrojnë më së miri këtë huti dhe kontest. Sqarimi i kryeministrit se pse nuk ka shumë rëndësi se kush është Ministër i Mbrojtjes, (aktualisht ai është një ish-komandant i UÇK-së, Talat Xhaferi) ishte se; deri sa partia e tij-DPMNE  të qeverisë me vendin, ARM-ja do jetë në mbrojtje të Maqedonisë dhe maqedonasve. Kështu ky kryeministër dalloi vetëm disa qytetarë të cilët do mbrohen nga një ushtri, të cilën e përbëjnë dhe e mbajnë të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Shembulli i dytë është gjykata administrative që gjykoi në favor të vendimit të koalicionit maqedonas për lista të përbashkëta këshilltarë në dy qytete: Kërçovë dhe Strugë. Kjo pasi Komisioni Shtetëror Zgjedhor, ku shqiptarët kanë prezencë, nuk kishte pranuar këto lista që ishin produkt i një marrëveshje politike por jo edhe të rregullta sipas procedurës. Kjo gjykatë është instanca e fundit, që nëse nesër vjen puna, vendos edhe për rezultatet zgjedhore. Mjafton që kështu sërish të parakalohet një apo dy herë KSHZ-ja dhe votat në shumë vende të rezultojnë tjera nga ato që në realitet mund të jenë; sidomos në komunat, etnikisht të përziera.
Por si duket në nivelin primitiv në të cilin ndodhen politikanët tanë: pa pësim nuk ka mësim. Kështu që do duhet të u ndodhin gjërat që mandej të kuptojnë se që në momentin kur maqedonasit vendosin që të mos bëjnë politikë në dy qytete por të kenë kështu qëndrime etnike, për marrje të qyteteve, sikur Kërçova dhe Struga janë qytete të Shqipërisë, nuk duheshe të mjaftohen vetëm gjykim dhe denoncim të kësisoj politike. Por, që aty, me politikë, partitë shqiptare, pa pasë nevojë fare për gjykatë administrative, të refuzojnë pjesëmarrje në zgjedhje etnike, qofshin ato lokale apo parlamentare, pa u kryer paraprakisht censusi i popullatës që i llogarit këto përqindje. Fundja përqindjet janë kategori kushtetuese në Maqedoni dhe ato duhet domosdoshmërish të vërtetohen me census.

Nuk bëhet politikë kuturu në një shtet ku disa qytetarë nuk kanë emër e disa të tjerë janë të emërtuar me numër. Sipas kushtetutës së këtushme, shqiptarët janë të emërtuar si: popullata që është më shumë se 20%?! 
Kushtetutë kjo e cila për të satën herë nuk u zbatua as edhe të premten e kaluar kur me policë dhe gruevistë, prej nëpër partia e deri nëpër xhamia, u pengua e drejta kushtetuese e disa të rinjve që të protestojnë para qeverisë për dhunën në baza etnike dhe përkufizimin e lirisë që iu bëhet atyre, shpeshherë kur ata dalin për mësim ose shëtitje në pjesët, pa lloç dhe pluhur, të qytetit mijëravjeçar të tyrin: Shkup. 

Ndoshta do duhej të ndodhte ndonjë pësim edhe për gjithë shtetin që të merrej mësim, se mu ato qytetarë të ri janë bërthama e ushtrisë që do mund të mbron gjithë shtetin, në rast se dikush vendos ta sulmon. Gjithë vrojtuesit ndërkombëtar, të energjisë, gjallërisë dhe perspektivës së atyre të rinjve shqiptarë, sidomos të atyre nga e shtuna e kaluar, tani më do duhet të kishin bërë llogaritjet teorike se nëse diçka do i ndodhte Shkupit ose Maqedonisë kush do ishin ata në të cilët do mbetej mbrojtja e Maqedonisë, pasi, sigurisht në orët e para, gjithë gruevistët me kushërinjtë, partitë, ministra dhe bashkëpunëtorë të tjerë do ia kishin mbathur, dorëzuar ose transformuar në diçka tjetër. Kjo, pasi në botën reale, ende, kështu llogariten gjërat e jo kuturu dhe me gjykata administrative.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button