fbpx

RMV, për lokacionin përballë “Holiday Inn”, Shoqata e Arkitektëve kërkoi që të respektohet PPU dhe interesi publik

Asociacioni i arkitektëve të Maqedonisë (AAM) dhe Akademia e arkitektëve, si pjesë e Asociacionit, u prononcuan lidhur me parcelat përballë hotelit “Holiday Inn” në qendër të Shkupit, në të cilat duhet të ndërtohen shumëkatëshe. Ata vënë në pah hapësira është një burim i pa rinovueshëm dhe duhet të trajtohet me kujdes dhe respekt, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“AAM është për respektimin e vazhdueshëm të qëllimeve, parashikimeve dhe zgjidhjeve të Planit të përgjithshëm urbanistik të Qytetit të Shkupit 2012-2022. dhe planet e nivelit më të ulët duhet të harmonizohen me këtë plan strategjik. Kjo i referohet planit i cili përfshin këtë lokacion përballë hotelit “Holiday Inn”, por edhe për të gjithë të tjerët për të cilët ka interes publik siç janë fabrika Treska, Debar Maallo, Unaza e vogël, Liqeni Treska, Rarsadnik etj”, thuhet në shkresën e AAM dhe Akademisë së Arkitektëve dërguar mediave.

Ata shtojnë se planet e detajuara urbanistike janë akte me interes publik, të cilat duhet të përmbajnë zgjidhje kreative, të cilat do të mundësojnë që banorët, përdoruesit dhe vizitorët e hapësirës ta përdorin atë në mënyrë të sigurt, me cilësi dhe komoditet, e nëse jo, ato duhet të korrigjohen.

AAM në periudhën e kaluar ka mbështetur “moratoriumin” për ndërtimin e 33 Planeve të detajuara urbanistike në Komunën Qendër, si mënyra e vetme për të parandaluar zbatimin e planeve ekzistuese ku janë gjetur shkelje serioze dhe mospërputhje në relacion me Planin e përgjithshëm urbanistik dhe rregullat e parametrat e përgjithshëm të planifikimit urban, derisa të miratohen të reja, që të garantohet dhe respektohet një nga të drejtat më të larta kushtetuese, që është interesi publik.

“Por theksojmë se ‘moratoriumi’ ka kuptim nëse është i kufizuar me kohë në mënyrë rigoroze për nga qëllimi dhe përmbajtja” përkujtojnë nga AAM.

Ata shtojnë se janë akoma në dispozicion të institucioneve kompetente për përfshirje në veprimin për të optimizuar proceset dhe procedurat në mënyrë që të marrin vendime në kohë dhe korrekte që do t’u sigurojnë arkitektëve kushte të ligjshme të punës.

“Ne si arkitektë nuk jemi kundër ndërtimit, as kundër interesave personale dhe të biznesit të individëve, për sa kohë që ato nuk rrezikojnë cilësinë e hapësirës së jetesës dhe të mirës publike”, thanë AAM dhe Akademia e arkitektëve.

Duke iu drejtuar kolegëve arkitektë, AAM dhe Akademia e arkitektëve shprehin mbështetje për ata për të cilët hapësira cilësore dhe humane është qëllim imanent i planeve dhe projekteve të tyre, duke e arritur këtë me ekspertizë dhe profesionalizëm dhe me integritet personal dhe dinjitet.

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Odës së arkitektëve dhe inxhinierëve të autorizuar që të përfshihen aktivisht në proceset e krijimit të hapësirës, ​​si dhe të kujdesen për të drejtat dhe dinjitetin e profesionit”, thuhet në komunikatën e AAM.

Asociacioni i arkitektëve gjithashtu u drejtohet qytetarëve që të përfshihen dhe të marrin pjesë në vendimmarrje gjatë krijimit të hapësirës, ​​duke respektuar ekspertizën e profesionistëve.

Më në fund, AAM dhe Akademia e arkitektëve i bëjnë thirrje qeverisë lokale që të respektojë hapësirën cilësore të qytetit, historinë e saj urbane dhe arkitekturore duke krijuar kushte për përfshirje të plotë në krijimin e tij me metoda të ndryshme të konkurrencës transparente të ideve për lokacione, përmbajtje dhe programe të rëndësishme.

Në të njëjtën kohë, duke iu drejtuar Ministrisë për transport dhe lidhje, AAM kërkon menaxhim të përgjegjshëm të tokës shtetërore si një e mirë publike me ç’rast vizioni për qytetin në të ardhmen, megjithëse është një proces kompleks, duhet të jetë politikë thelbësore e qytetit e krijuar në bashkëpunim me ekspertë nga të gjitha fushat e përfshira.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button