RMV, nga sot kompanitë mund të aplikojnë për përkrahje financiare nga pakoja e pestë, Besimi: Në vitin 2021 parashohim rimëkëmbje ekonomike

Ministri i Financave, Fatmir Besimi informoi se nga dita e sotme deri më 30 prill, ndërmarrjet dhe ushtruesit e pavarur të veprimtarive, do të mund të aplikojnë për përkrahje financiare për pagesën e pagave për muajt shkurt dhe mars. Në një konferencë për media, ai tha se sot do t’i publikojnë rregulloret sipas të cilës punëdhënësit dhe ushtruesit e pavarur të veprimtarisë do të mund të parashtrojnë kërkesë në Drejtorinë e të Hyrave Publike, shkruan Portalb.mk.

“Për këtë masë kemi ndarë 1,9 miliardë denarë nga buxheti i vitin 2021, gjegjësisht 31 milionë euro që do të përfshijnë rreth 60 mijë punëtorë. Për çdo punëtorë do të paguhet përkrahje në interval prej 14,500 denarë deri në 21,776 denarë në muaj. Vlera e përkrahjes do të përcaktohet sipas përqindjes së zvogëlimit të të hyrave të ndërmarrjes në tre muajt e fundit para muajit për të cilin parashtrohet kërkesa në raport me periudhën e njëjtë të muajit paraprak. Kështu që, për zvogëlimin e të hyrave prej 30 deri në 40 për qind, vlera e përkrahjes financiare o të jetë 14.500 denarë, prej 40 deri në 50 për qind 15,955 denarë, nga 50 deri në 60 për qind 17,410 denarë, prej 60-70 për qind deri në 18,865 denarë, prej 70-80 për qind 20,320 denarë, mbi 80 për qind 21,776 denarë”, deklaroi Besimi.

Drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike, Sanja Llukarevska bëri të ditur se, për shfrytëzimin e përkrahjes financiare për pagesën e pagave për muajt shkurt dhe mars të vitit 2021, punëdhënësi dorëzon kërkesë për përkrahje financiare për pagesë të pagave të punëtorëve për çdo muaj përmes sistemit e-tatime më së voni deri më 30 prill.

Sipas saj, kushtet nga ligji për shfrytëzimin e përkrahjes financiare janë të njëjta si dhe nga ligji paraprak. Përkatësisht;

  • Punëdhënësi duhet të ketë rënie të të ardhurave prej më së paku 30 për qind, të mos kryhet pagesa për divident apo shpërblim për sukses.
  • Punëtori të mos ketë realizuar pagë neto më shumë se 39,900 denarë në katër muajt e kaluar. Punëdhënësi të mos paguaj pagë më të madhe se 120 mijë denarë për muajin për të cilin kërkohet mbështetja financiare të më shumë se 10 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve.
  • Të mos shfrytëzoj lirim të pagesës së tatimit personal dhe kontribute si dhe sigurim shëndetësor. Punëtori të mos jetë i paraqitur në orar pune shtesë.
  • Punëdhënësi në llogarinë vjetore dhe raportet financiare të vitin 2017, 2018 dhe 2019 ka realizuar përfitime akumulative para taksimit më pak se 600 milionë denarë.

Ndërkaq, ministri i Financa tha se në vitin 2021 parashohin edhe një revitalizim, rimëkëmbje ekonomike që do të stimulohet përmes masave për nxitje ekonomike, nxitjen e investimeve por edhe zhvillimin e mëtutjeshëm të kompanive. Ai po ashtu tha se po përgatite edhe pakoja e gjashtë e masave ekonomike.

“Në këtë kontekst është edhe një masë tjetër nga pakoja e pestë që u prezantua gjithashtu, e cila së shpejti do të fillojë aplikimin. Bëhet fjalë për linjën kreditore pa interes Covid 4 përmes Bankës për Zhvillim, për të cilën janë ndarë 10 milionë euro për kredi prej 3000 deri në 30 mijë euro dhe parashikohet për kompani të cilat do të rrisin numrin e të punësuarve apo qarkullimin një pjesë e kësaj kredi të transformohet në grant. Politikat stimuluese do të vazhdojnë dhe njëkohësisht do të jenë edhe prudente, në kuptimin të jenë të kujdesshme, masa të cilat do të jenë me ndërhyrje të menduara mirë. Vazhdojmë në këtë drejtim. Sot në Qeveri ne do të diskutojmë po ashtu edhe pakon e gjashtë për të cilën së shpejti do t’ju informojmë si opinion”, deklaroi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button