Maqedonia këtë vit dy vende më lart në Indeksin e lirisë së mediave të Reporterëve pa kufij (INFOGRAFIK)

Maqedonia e Veriut ndodhet e 90-ta në Indeksin për lirinë e mediave 2021 të Reporterëve pa Kufij. Vendi është ngritur dy vende në renditje krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa krahasuar me vitin 2014, kur ishte pozicioni më i keq në histori, kemi avancuar me 43 pozicione, tranmeton Portalb.mk.

Përkundër kësaj, sipas lirisë së medias, ndodhemi në një grup me Moldavinë (vendi i 89-të), Serbinë (vendi i 93-të) dhe Hungarinë (vendi i 92-të). Më keq të renditura janë Mali i Zi në vendin e 104 dhe Bullgaria në vendin e 112, i cili është i vetmi vend anëtar i BE i renditur si jo i lirë.

Nga vendet në rajon, të renditura më mirë se Maqedonia janë Shqipëria në vendin e 83-të, Kosova në vendin e 78-të, Greqia në vendin e 70-të, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 58-të dhe Kroacia në vendin e 56-të.

“Viti 2020 ishte një vit i jashtëzakonshëm për Maqedoninë e Veriut. Parlamenti ishte shpërndarë, qeveria e përkohshme mori pushtetin, dhe më pas zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhej të shtyheshin për shkak të pandemisë kovid-19 dhe gjendjes së jashtëzakonshme. Situata në media është përkeqësuar, zyrtarë të lartë qeveritarë kanë vazhduar t’i kërcënojnë dhe fyejnë mediat, ndërsa sajber maltretimi dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve janë rritur në rrjetet sociale. E gjithë kjo shërbeu për të forcuar kulturën e rrënjosur mirë të mosndëshkimit. Në të njëjtën kohë, pandemia ka ndërlikuar raportimin”, theksojnë nga Reporterët pa Kufij mbi lirinë e medias në vend.

Në shpjegimin për vendin, Reporterët pa Kufij kujtojnë se organizatat që përfaqësojnë mediat kundërshtuan fuqishëm ndryshmet dhe plotësimet e propozuara në Ligjin për Shërbime mediatike audio dhe audiovizive, i cili do të mundësonte reklamimin shtetëror në media. Në të njëjtën kohë, në raportin mbi vendin përmendet Ministria e Drejtësisë, e cila po përgatit një kod të ri penal që duhet ta bëjë punën e gazetarëve dhe punonjësve të medias më të sigurt.

Maqedonia ishte renditur më keq në Indeksin e lirisë së medias në vitin 2014, kur u rendit e 123-ta. Përmirësimi i lirisë së mediave në vend filloi në vitin 2017, ndërsa nga viti 2016 deri më sot vendi është ngjitur në 26 vende në listën e Reporterëve pa Kufij.

Reporterë pa kufij

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button