Derisa pastrohet, deponia e vogël e lindanit në OHIS do të mbulohet me tendë me filtra për pastrim të ajrit

Deponia e vogël e lindanit në OHIS do të mbulohet me tendë në të cilën do të instalohen filtra për pastrim të ajrit për të siguruar mbrojtjen e mjedisit gjatë pastrimit të kimikateve të rrezikshme, parashihet në Planin për sanim që e ka paraqitur kompania “Polieko” nga Greqia, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Qeveria dhe Ministria e mjedisit jetësor, së bashku me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për zhvillim industrial, UNIDO, e kanë miratuar tashmë Planin e punës.

Ministria përkatëse informon se në procesin e përgatitjes për realizimin e pastrimit, përveç tendës me njësi të integruara për presion negativ dhe filtrave HEPA me karbon të aktivizuar për pastrimin e ajrit, në vendin ku ndodhet deponia e vogël do të bëhet edhe zonimi edhe shënimi.

Do të instalohen edhe pajisje e makineri paketimi të miratuara nga KB, si dhe pajisje për mbrojtjen personale të punëtorëve, si dhe materiale për shëndetin dhe sigurinë e mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Do të instalohen perde për mbrojtje nga pluhuri, tenda për dekontaminim, makinë thithëse e pluhurit me filtër HEPA, pajisje për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe makina për thërrmimin e copave të dheut që do të lidhen në rripin e transportues në ambient të mbyllur.

Projekti parashikon që kompania greke të pastrojë, paketojë dhe transportojë për shkatërrim të sigurt një pjesë të kimikateve ose 450 tonë lindan dhe 200 tonë tokë të ndotur, me të cilën në të kaluarën ka qenë e mbuluar deponia. Sipas planit, punimet duhet të përfundojnë deri në tetor dhe sanimi i asaj pjese të deponisë do të kushtojë rreth dy milionë euro.

Deponia e vogël ka gjithsej 6.661 tonelata mbeturina, nga të cilat 1.601 tonelata janë nga HCH, 4.060 tonelata janë tokë e ndotur dhe 1000 tonelata beton i kontaminuar. Për të pastruar pjesën tjetër të sasive, sipas Ministrisë, fondet do të sigurohen përmes fondit multi-partner, të menaxhuar nga UNOPS.

“Polieko do të trajtojë, paketojë, etiketojë dhe deponojë përkohësisht mbetjet në përputhje me udhëzimet e Konventës së Bazelit dhe standardeve ndërkombëtare për menaxhim të mbetjeve që përmbajnë ndotës organikë të qëndrueshëm. Mbeturinat do të ripaketohen në fuçi të miratuara nga KB, ndërsa toka e ndotur do të ripaketohet në kontejnerë të specializuar, të certifikuar dhe licencuar për bartje të mbeturinave në përputhje me Konventën ADR”, thonë nga MMJPH.

Lindani do të transportohet përmes portit të Selanikut dhe prej atje me anije në Francë, në kompaninë për djegie të mbetjeve “Fos Sur Mer”. Nga ana tjetër, toka e ndotur gjithashtu do të transportohet në Selanik, përmes vendkalimit kufitar Bogorodica e prej andej me anije në portin e Roterdamit në Holandë, ku do të përpunohet nga kompania ATM.

“Mbeturinat e HCH dhe toka e ndotur, përmes Maqedonisë dhe Greqisë, do të udhëtojnë në Selanik me kamionë të një transportuesi të licencuar, i cili do të duhet të jetë në përputhje me dispozitat e Konventës së Bazelit mbi Kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme, si dhe Marrëveshjen evropiane për transportin ndërkombëtar të substancave të rrezikshme nëpër rrugë. Kjo pjesë e rehabilitimit të deponisë së vogël në OHIS financohet nga Fondi global ekologjik (GEF) dhe buxheti, i cili këtë vit ka ndarë 43.6 milion denarë për realizimin e këtij projekti”, theksojnë nga ministria.

Përndryshe planin për pastrimin e deponisë së vogël me lindan rreth ish-gjigantit kimik OHIS, qeveria e miratoi në një seancë më 13 prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button