Austria do të sigurojë 651 mijë vaksina Pfizer për Ballkanin Perëndimor, Maqedonia do të marrë 119 mijë doza

Austria njoftoi se deri në gusht do të dorëzojë 651.000 doza të vaksinës Pfizer/Biontec në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si pjesë e skemës së Bashkimit Evropian për të ndihmuar vendet fqinje dhe Afrikën. BiH do të marrë pjesën më të madhe – 214.000 doza, ndërsa Maqedonia do të marrë 119.000, transmeton Portalb.mk.

Komisioni Evropian në janar i zbuloi planet e tij për një mekanizëm të ndarjes së vaksinave në janar dhe Austria tha se do të ishte koordinatori i saj për Ballkanin Perëndimor dhe se ky nuk do të jetë dorëzimi i fundit.

Përderisa Serbia po zbaton një nga imunizimet më të shpejta kundër kovid-19 në Evropë, Maqedonia, Mali i Zi, BiH, Kosova dhe Shqipëria kanë pasur më pak sukses. Mungesa e vaksinave madje ka çuar në protesta në rrugë në BiH.

“Me këtë iniciativë, tregojmë se nuk po e lëmë rajonin pas nesh. Austria ka negociuar personalisht me Pfizer/Biontec që këto vende të marrin vaksinat”, tha ministri i Jashtëm austriak Alexander Shallenberg.

Austria vetë do t’i financojë këto vaksina me 11 milion euro, megjithëse ato do të mbulohen nga fondet evropiane për të ndihmuar vendet kandidate të BE-së.

“Këto doza nuk janë nga kuota kombëtare. Këto janë vaksina që Bashkimi Evropian ka synuar për partnerët e tij që nga fillimi”, tha Shallenberg, duke shtuar se shpërndarja do të fillojë muajin tjetër.

Përndryshe, dje Ministria e Shëndetësisë informoi se ka arritur dërgesa e parë e vaksinave, nga po i njëjti prodhues, pra “Pfzer”, që është siguruar me negociata të drejtpërdrejta me këtë prodhues të vaksinës kundër Kovid-19.

“Bëhet fjalë për 10.530 doza të vaksinës ‘Pfizer’, të cilat nga e mërkura do të shpërndahen nëpër pikat e vaksinimit në shtet, ku zhvillohet vaksinimi në pajtim me Strategjinë kombëtare për imunizim nga Kovid-19”, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Paraprakisht, u paralajmërua se dërgesa e dytë nga “Fajzer”-i me edhe 10 mijë vaksina duhet të arrijë më 26 prill, me çka shteti ynë duhet të marrë gjithsej rreth 20.000 vaksina të këtij prodhuesi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button