Kryetarja e Supremes, Ademi: Gjykatësit dhe administrata gjyqësore po ankohen se Këshilli Gjyqësor nuk i ka futur në sistemin për imunizim

Kryetarja e Gjykatës Supreme Besa Ademi, në një bashkëbisedim për Portalb.mk, flet gjendjen aktuale të Supremes, pasi që më shumë se një muaj po e drejton gjykatën më të lartë në Maqedoninë e Veriut. Ajo thotë se bashkëpunimi me Këshillin Gjyqësor duhet të avancohet, në Supreme ka numër të vogël të lëndëve të vjetra, ndërkaq nuk pret që të hasi probleme në punën e mëtutjeshme, pos të recidivëve të caktuar të cilët kanë mbetur nga udhëheqja e mëparshme, shkruan Portalb.mk.

Gjykatësit dhe administrata gjyqësore po ankohen ndaj Këshillit Gjyqësor, për shkak se nuk janë futur në sistemin për imunizim, gjegjësisht vaksinimin, pavarësisht se listat janë dërguar me kohë.

“Në komunikimin e deritanishëm përshtypja është se bashkëpunimi duhet të avancohet, e veçanërisht është i nevojshëm bashkëpunim i mirë ndërmjet kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe Këshillit Gjyqësor. Do t’ju jap një shembull aktual në pjesën e angazhimit të Këshillit Gjyqësor në ballafaqimin me gjendjen e COVID 19. Aktualisht po ballafaqohemi me një numër të madh të ankesave nga gjykatësit dhe administrata gjyqësore, të cilët edhe krahas listave të dërguara me kohë në Këshillin Gjyqësor nuk hynë në sistemin e imunizimit. Mbetëm pa përgjigje dhe informatë adekuate në bazë të cilit kriter Këshilli Gjyqësor i ka përgatitur dhe dërguar listat për vaksinim deri tek organet kompetente. Gjithashtu, parashtrohet pyetja përse në periudhën e kaluar me gjendjen e përkeqësuar me pandeminë Këshilli Gjyqësor nuk kërkoi nga gjykatat informatë rreth numrit të gjykatësve dhe administratorëve gjyqësor të prekur nga sëmundja, si dhe për atë se a respektohen masat dhe rekomandimet për mbrojtje. Pritjet ishin të mëdha, por shpresoj se bashkëpunimi i ndërsjellë do të duhet të përmirësohet në interes të funksionimit të suksesshëm të gjykatave në ushtrimin e kompetencave të veta”, thotë Ademi.

Në lidhje me lëndët e vjetërsuara, kryetarja Ademi, shpjegon në detaje se nga sa lëndë janë të pazgjidhura nëpër departamentet e Supremes.

“Në rishikimin e detajuar të gjendjes me lëndë të vjetra në punën e Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut nëpër departamente, gjendja është si në vijim: në Departamentin për Vepra të Dënueshme nga viti 2020 ka vetëm 13 lëndë të pazgjidhura, nuk ka lëndë të vjetra të pazgjidhura në vitet 2019 dhe 2018. Bëhet fjalë për një lëndë nga viti 2017, e cila disa herë është kërkuar dhe kthyer në mënyrë administrative në gjykatat më të ulëta, por gjykatësi i cili ka vepruar në ndërkohë është shkarkuar, e gjykatësi i radhës i cili në pajtim me shpërndarjen automatike ka trashëguar lëndën si gjykatës raportues është përjashtuar pasi janë plotësuar bazat ligjore, dhe lënda akoma është në punim. Në Departamentin për Vepra Civile ka vetë një lëndë të vjetër nga viti 2018, ku gjithashtu bëhet fjalë për lëndë të gjykatësit i cili në ndërkohë është shkarkuar. Ka një numër të vogël të lëndëve të pazgjidhura nga viti 2019 dhe 2020, të cilat janë në veprime prioritare. Në departamentin për gjykim në kohë të arsyeshme, përsëri bëhet fjalë vetëm për një lëndë nga viti 2017. Në ecurinë e lëndës është konstatuar se i njëjti ka qenë te më shumë gjykatës edhe atë njëri është i ndjerë, dy të tjerë janë shkarkuar dhe një gjykatës i cili në ndërkohë është përjashtuar, kështu që lënda akoma nuk është zgjidhur. Nuk ka lëndë të pazgjidhura të vitit 2018, ndërsa 6 lëndë të vitit 2019 dhe lëndët e pazgjidhura të vitit 2020 pritet dërgesa dhe akte nga gjykatat më të ulëta dhe organet administrative”, shpjegon Ademi.

Për atë se a ka gjetur parregullsi pasi e ka marrë postin, kryetarja Ademi thotë se nuk mund të japë përgjigje të plotë, por se pret që Enti Shtetëror i Revizionit të bëjë analizë të punës së mëparshme dhe vërejtjet e detektuara në raport të korrigjohen.

“Në këtë afat të shkurtë kohor nga marrja e funksionit Kryetare e Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk mund të jap një përgjigje të plotë, por konsideroj se është një gjë e mirë që kryetari i Gjykatës Supreme zgjidhet nga radhët e gjykatësve të të njëjtit gjyq, me një eksperiencë shumëvjeçare dhe me një njohuri të mirë për gjendjen dhe punën e gjykatës. Sinqerisht, nuk pres të hasi në probleme në funksionimin e brendshëm të gjykatës Supreme, pasi, siç thash në intervistën time të parë, besoj se me kolegët e mi së bashku do të punojmë që të kthehet besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor, ky proces të përshpejtohet dhe të avancohet përmes sigurimit të një drejtësie kualitative dhe praktikë e qëndrueshme gjyqësore. Të vetmin problem e pres nga disa recidiv të gjetur nga udhëheqja e mëparshme e gjyqit. Për këtë në vijim është analizë e raportit të revizionit për revizion të kryer nga ana e Entit Shtetëror për Revizion të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për punën e mëparshme të gjykatës, për të cilën në periudhën që vjen do të punojmë me përkushtim për tejkalimin dhe eliminimin e vërejtjeve të detektuara”, shtoi Ademi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button