Plagjiaturat: Janë “amnistuar” 5 profesorë, dy do të hetohen, “Veritas” sot akuzoi rektorin, profesorë dhe inspektoratin

Vetëm për dy nga shtatë profesorët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, të akuzuar për plagjiaturë mund të ketë elemente për këtë vepër të kundërligjshme, të tjerët ende janë studentë të ciklit të tretë dhe nuk e kanë mbrojtur disertacionin e doktoraturës, kështu vlerësoi raporti i Inspektoratit të Arsimit pas hetimit për disa ditë në Universitetin e Tetovës.
Nga ana tjetër, revista anonime “Veritas” sot ka publikuar vëllimin e dytë ku akuzon profesorë tjerë, rektorin dhe shefin e inspektoratit, shkruan Portalb.mk.

Në një deklaratë për Portalb.mk, drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Ardian Musliu, potencoi se akuzat për pesë nga gjithsej shtatë profesorë për plagjiaturë të mundshme kanë rënë në ujë, kjo për shkak se të njëjtit ende janë në studime të ciklit të tretë.

Ardian Musliu, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.
Ardian Musliu, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.

“Përfundoi faza e parë e inspektimit në Fakultetin Mjekësisë, në Universitetin e Tetovës. Sa i përket pretendimeve të parashtresës që ka arritur te ne, për plagjiaturë, dua të qartësoj se nuk bëhet fjalë për 7 apo për 8 profesorë, por bëhet fjalë për vetëm dy profesorë dhe emrat e tjerë të cilat përfliten, janë studentë të ciklit të tretë në Fakultetin e Mjekësisë” tha Ardian Musliu, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.

Ndërkaq, për dy profesorët e akuzuar për plagjiaturë në të cilët edhe ekziston mundësia që të kenë kryer një akt të tillë, fjalën e fundit do ta thotë Ministria e Kulturës duke u bazuar në ligjin për të drejtat autoriale, jozyrtarisht bëhet fjalë për profesorët Nexhbedin Beadini dhe bashkëshorten e tij, Sheqibe Beadini.

“Sa i përket punimeve shkencore të profesorëve që nuk janë në ciklin e tretë të studimeve, ne i kemi dërguar deri te institucionet kompetente, gjegjësisht deri te Ministria e Kulturës, në bazë të Ligjit për Të drejtat Autoriale, sepse ne si institucion nuk jemi kompetent dhe adekuat për vlerësimin e punimeve shkencore” tha Musliu.

Portalb.mk ka dërguar pyetje deri te Ministria e Kulturës për atë se kur pritet që të japin përgjigje në bazë të vlerësimit për plagjiaturë që do ta bëjnë për këta dy profesorë, përgjigje ende nuk kemi marrë.

Ndërkaq, për asistenët të cilët ende janë në ciklin e tretë të studimeve dhe ligjërojnë në Universitetin e Tetovës por akuzohen nga revista anonime “Veritas” për plagjiaturë, nga Inspektorati i Arsimit e kanë obliguar Universitetin e Tetovë që të formojë komision adekuat i cili do të përpilojë raport për temat e doktoraturës të këtyre kandidatëve.

Parregullsi inspektorati i Arsimit ka konstatuar edhe në rregulloren për regjistrim dhe studim të ciklit të tretë, si dhe në zgjedhjen e një profesori me korrespodencë. Megjithatë, Musliu shtoi se nuk ka pasur parregullsi në pezullimin e ish dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Kastriot Haxhirexha.

“Është konstatuar lëshim në rregulloren për regjistrim dhe studim të ciklit të tretë, përkatësisht i njëjti nuk është harmonizuar me ligjin për arsim të lartë në momentin që është ndryshuar ligji. Ndërkaq, suspendimi i ish dekanit Kastriot Haxhirexha është kryer në përputhshmëri me statutin e universitetit dhe ligjit për arsim të lartë” tha Ardian Musliu, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.

Njoftojmë se kjo lëndë ende nuk është mbyllur plotësisht, menjëherë pas vendimit të Ministrisë së Kulturës për plagjiaturë ose jo të dy profesorëve të lartpërmendur, nga Inspektorati i Arsimit do të vazhdojnë me fazat tjera të hetimit.

Revista anonime “Veritas” sot publikoi vëllimin e dytë, ka akuza të ndryshme

vëllimin e ri të Nismës Intelektuale për Rritjen e Cilësisë në Arsimin e Lartë janë përmendur edhe emra tjerë të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, të njëjtit akuzohen për plagjiaturë.

“Nga 14 disertacionet e verifikuara të doktorantëve, 12 kanë rezultuar plagjiaturë. Sipas “Veritas”, Rita Halili Idrizi, Selim Qerkezi, Zamira Begjeti, Nagib Rufati, Ekrem Hismani, Emira Bexheti Hamzai, Avdil Nazifi, Destan Halidi, Albulena Beadini, Nadir Ajruli, Nexhmedin Abazi dhe Mirlind Bexheti kanë bërë punime plagjiaturë, respektivisht pa vlerë shkencore. Gjithmonë sipas kësaj “Reviste”, shumica janë publikuar në Revistën “Universi”, në bordin editorial të së cilës janë Nexhbedin Beadini dhe Sheqibe Beadini” shkruajnë nga “Veritas”.

Përveç kësaj, sipas hulumtuesve të “Veritas”, profesorët Nexhbedin Beadini dhe bashkëshortja e tij, Sheqibe Beadini pa asnjë procedurë konkurrimi janë transferuar nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore në Fakultetin e Mjekësisë ku sipas tyre, ligjërojnë 60 lëndë edhe pse kanë të lejuar vetëm 4.

“Profesorët Nexhbedin Beadini dhe Sheqibe Beadini pa procedurë konkurrimi janë transferuar nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore në Fakultetin e Mjekësisë, ku ligjërojnë 60 lëndë, ndërsa ligji iu lejon vetëm 4. Ish rektori, Beadini, për disa muaj nga docent u bë profesor inordinar e më pas edhe profesor ordinar dhe e ndihmoi edhe rektorin aktual, Vullnet Ameti të avancohet në të njëjtën mënyrë” shkruan në “Veritas”.

Këta hulumtues e akuzojnë edhe rektorin e Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti, për ngritje akademike në formë të kundërligjshme, ndërkaq si ndihmues në këtë proces, sipas tyre është Nexhbedin Beadini dhe Shezai Rrokaj.

“Në CV e rektorit aktual shihet se ai ka doktoruar në vitin 2008. Sipas ligjit të Maqedonisë së Veriut, kalimi në nivel akademik bëhet çdo 5 vjet, që do të thotë se ai ligjërisht në pozitën e rektorit ka mundur të ulet në vitin 2018. Si e arriti këtë pozitë në vitin 2012?! Çelësi është miku i Nexhbedin plagjiatorit, Prof. Shezai Rrokaj dhe vendimi i lëshuar në Tiranë për titullin profesor për Vullnet Ametin!”, shkruan në “Veritas”.

Përveç kësaj, “Veritas” e akuzoi edhe shefin e Inspektoratit të Arsimit, Afrim Saliu se mbron krimin akademik.

Ndryshe, në emailin e redaksisë së Portalb.mk, më 16 mars ka arritur një dokument (PDF) i cili është nënshkruar se është bërë nga “hulumtuesit e Iniciativës për Përmirësimin e Kualitetit në Arsimin e Lartë (NIRCAU)” dhe që mban emrin “Revista Veritas”. Në të, thuhet se disa profesorë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, titullin e tyre e kanë marrë në mënyrë jo të ligjshme, gjegjësisht duke vjedhur punime nga të tjerët pa i cituar ata si dhe dy prej tyre, kanë arritur të bëhen profesorë duke mos e respektuar Ligjin për Arsim të Lartë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button