fbpx

Më shumë varfëri se bamirësi

Gjatë përvojës sime si gazetare, por jo vetëm, në vendin tim, sytë më panë shumë varfëri, shumë mjerim. Aq shumë sa para kësaj përvoje s’mund ta imagjinoja. Jo se në qytetin tim të lindjes dhe rritjes s’kishte, por arsyetoja veten se ky është fati i provincave. Por që kjo tablo të m’i verbonte sytë në kryeqytet, më bëhej e pa besueshme, e padurueshme. Sikur të mos mjaftonte kjo, por te këta njerëz, përveç barrës së varfërisë, rëndonte edhe mungesa e shpresës, se nesër do bëhet më mirë. Shumicën e këtyre njerëzve i ndiqte edhe një e keqe tjetër, u mungonte dhurata më e mirë për çdo njeri – shëndeti. Së paku vuanin nga një sëmundje, aktuale, akute, e trashëguar, e shërueshme, vështirë e shërueshme. Mund të ishte e çdo lloji dhe fare, por pa të nuk ishin.

Takova shumë fëmijë, në mesin e tyre kishte edhe fëmijë të lumtur, por nuk ishte i pakët edhe numri i atyre me sindromin Down, me sëmundje cerebrale, me sëmundje të zemrës e shumëçka. Pashë fëmijë autikë.Dhe këta familje e vuajnë shumë gjendjen në të cilën janë. E vuajnë edhe pozitën e prindërve të tyre, ose: përjetonin vuajtje binjake. O Zot, janë mësuar me jetën e re, me jetën me dhembje. Me jetën që e kanë krijuar vetë. Në jetën guaskë, ku e kanë robëruar mjerimin. Por, këtë nuk mund ta fshehin prej familjes, prej të afërme. E, ata që mund t’u ndihmojnë, qofshin ente shtetërore, apo të ngjashëm si ato, nuk bëjnë përpjekje ta çelin këtë guaskë. Ose bëjnë sikur përpiqen, sa për sy e faqe.

E, siç thash pak më lart, kanë ndërtuar një jetë të re, apo një botë të re, të tyren, të ndërtuar mbi rrënojat e premtimeve, mbase shpeshherë boshe. Por, të gjithë i kishin vënë vetes një qëllim: do ta mundnin të keqen me guximin e tyre, me shpresën e tyre. Do mbijetonin me çdo kusht. Të mos përballesh me luftën për mbijetesë, është një akt burracakërie. T’u dorëzohesh sfidave të jetës e të fatit, është akt dorëzimi. Është dobësi t’i hapësh derën armikut tinëzar, të pabesë – mjerimit shpirtëror. Vuajtjet trupore edhe durohen, por ato shpirtërore – shumë vështirë.

Kam parë fëmijë kryeqytetas me shikim të trishtuar, se barkun s’e kishin ngopur. Jo me banane e çokollata, si të shumë moshatarëve të tyre në qytet e në shtet, por as me ushqimin më tradicionalë të popullit tonë. Kam parë fëmijë me fytyra të ngrysura, se në trupin e tyre, edhe me ndonjë të metë, nuk kishin veshur teshën e dëshiruar. Le të mos ishte firmato, por e re. Të gëzohej edhe trupi i tyre me atlete kohe, me tuta kohe. Si shumë moshatarë të tyre në qytet e në shtet. Kam parë e çfarë s’kam parë nëpër rrugicat e ngushta pa shtruar e pa ndriçuar të kryeqytetit tonë. Kanë parë sytë e mi edhe shtëpi që, kujtoja se mos shemben derisa qëndroja brenda.

Po banorët e tyre të përhershëm, si ndjeheshin brenda tyre me vite e vite!? O Zot, sa të fortë i paske bërë! Sa durim u paske falur!? Po shpresë? Edhe shpresë u paske dhuruar sa të thuash. Por me shpresë as barku nuk ngopet, as trupi gëzohet, as shtëpia ndërtohet. Këtë e dinë ata, e dinë edhe shumë organizata bamirësie. Vetëm ata kryesorët, ata të pushtetit, nuk e dinë. Aq më keq: nuk duan ta dinë. Ata dhe të tyret përreth, jetojnë jetë mbretërore. Po sikur të kujtoheshim, të paktën gjatë këtij muaji, Muajit të Shenjtë të Ramazanit, Muajit të Mëshirës e Bamirësisë t’u hidhnin një sy lëmoshe këtyre fëmijëve, të cilët janë pjesë e kësaj shoqërie. Këtë fat nuk e kanë zgjedhur, por kanë rënë në grackën e tij. Të bëjmë përpjekje të gjithë me sa mundemi, t’i shpëtojmë nga kjo grackë fatkeqe.

Nga Delvina Kërluku

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button