fbpx

Xhaferi u sqarua për situatën e krijuar në Kuvend: Deputetët me skafanderë në seancë ishin në përputhje me protokollin

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në një konferencë të sotme për media ka sqaruar paqartësitë rreth zhvillimeve të fundit në Kuvend. Xhaferi deklaroi se paraqitja e deputetëve të infektuar me Covid – 19 me skafandër në seancën plenare ku u votua pakoja e pestë ekonomike, ka qenë në përputhje me protokollet shëndetësore. Ai tha se muaj më parë ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë plotësim të protokollit, i cili do të parashihte edhe situata të këtilla, shkruan Portalb.mk.

“Në ndërkohë, duke e vlerësuar situatën dhe duke menduar për gjendjen se mundet të përkeqësohet dhe jo  të përmirësohet më 17 nëntor të 2020 i jam drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, gjegjësisht, Komisionit Shtetëror të Shëndetësisë për plotësim të protokollit për rastet e deputetëve të prekur të cilët sipas gjendjes personale do të kenë mundësi në rrethana dhe kushte të veçanta, me protokoll të veçantë të jenë prezent në hapësirat e veçanta të parlamentit dhe në atë mënyrë t’ju mundësohet që të shfrytëzojnë të drejtën për pjesëmarrje në vendim marrje në seancë të Parlamentit, gjë që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme. Ky ndryshim në mënyrë të rregullt është prezantuar para koordinatorëve prezent në koordinim më 23 nëntor. Në atë kohë për shkak të propozim rregullores, opozita unanimisht nuk merrte pjesë në koordinimet e rregullta dhe në mënyrë plotësuese i kam informuar se ka ndryshime. Nuk e kemi në zbatim deri më tani, duke llogaritur në korrektësinë dhe rezonin e opozitës se gjendja faktike dhe Parlamenti nuk është imun nga pandemia”, deklaroi Xhaferi.

Ai po ashtu, tha se deputeti Arben Zyberi ishte ndër të parët që u prek nga pandemia dhe në bazë të protokollit e siguruan që të jetë në hapësirën e veçantë ashtu siç parashihte protokolli, që të mund të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit.

Xhaferi theksoi se edhe përkundër përpjekjeve për të mundësuar punë online për deputetët e infektuar, kjo gjë është refuzuar nga opozita.

“Në ndërkohë në debatin që e hapëm në mundësinë e punës online të Kuvendit, opozita njëzëri refuzoi atë mundësi, edhe pse ajo ishte praktikë e gjitha parlamenteve evropian dhe në rajon. Zyrtarizova propozim ndryshimet e rregullores të cilat u pritën në thikë me 3000 amendamente nga opozita. Me disa përpjekje që të tejkalohet ajo situatë nuk ramë dakord”, tha ai.

Kryeparlamentari Xhaferi po ashtu, sqaroi edhe situatën e ditës së enjte dhe arsyen se pse u ndërpre seanca.

Sipas tij, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski kërkoi pauzë në ora 18:20, dhe sipas Rregullores, ai është i detyruar që të japë një orë pauzë dhe koha kur deputetët duhej të ktheheshin në sallë përkonte me kohën e iftarit 19:20, dhe për këtë shkak, Xhaferi ka vendosur që në sallë të mos kthehet atëherë, por në ora 20:45.

“Nuk kishte arsye të ndërpritet seanca e 32-të dhe të kalohet në seancën e 36-të. Arsye për të ndërprerë seancën në atë moment nuk kishte, për faktin se në sallë kishte mbi 62 deputetë dhe kishte parakushte që pikat të vihen në votim. Në momentin kur unë filloj që pikat t’i vendos një nga një në votim, ata dalin jashtë. Ndërkohë rikthehet koordinatori dhe në ora 18:30 kërkon pauzë për një orë dhe unë sipas Rregullores, me kërkesë të koordinatorit të grupit parlamentar, mund të jap pauzë më së shumti një orë brenda ditës. Fakti që grupi parlamentar kërkon pauzë, unë e kam për obligim që të jap pauzë dhe ajo pauzë përkonte me orën 19:20, që në fakt rezultonte me afatin kur fillon iftari për deputetë që mbajnë Ramazan dhe për këtë arsye në ora 19:20 nuk jam kthyer në seancë, sepse nëse kthehesha do të duhej të konstatoj se deputetët që mbajnë Ramazan, janë duke bërë iftar dhe duhej përsëri të jap pauzë edhe për një orë. Për këtë arsye deri në ora 20:45 nuk jam kthyer në sallë, që të mundësoj që deputetët të çelin iftar dhe të vazhdojmë me punë”, deklaroi Xhaferi.

Sipas tij, me muaj qëndrojnë 20 seanca të papërfunduara në të cilat ka shumë ligje të cilat nuk mund të shqyrtohen derisa nuk kalojnë në komisionet amë. Mes tyre është edhe seanca e 32-të për të cilën ka pasur 8 vahzdime, por edhe seanca e 36-të, në të cilën ishin masat antikrizë, për të cilat paraprakisht ishin dorëzuar mijëra amendamente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button