Të fundit në Ballkan: Rruga e vështirë e Kosovës për të siguruar vaksina

Arbër Fetahu

Para disa javësh, pandemia shënoi përvjetorin e saj të parë. Kovid-19 vuri në pah problemet sistematike në sistemin shëndetësor dhe institucionet e tjera të Kosovës. Ndërsa numri i lartë i rasteve pozitive dhe rasteve të vdekjes u bënë lajmi kryesor në media, deklaratat e qeverisë se ata kishin siguruar qindra mijëra vaksina ishin plot shpresë, por me kusht që këto të ishin të vërteta.

Më 6 janar 2021, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i shëndetësisë dhanë lajmin aq shumë të pritur: “Vaksinat do të mbërrijnë në muajin shkurt”. Ata shpjeguan planin e imunizimit kundër Kovid-19 – në të cilin, sipas tyre, Kosova kishte përfunduar bisedimet për të siguruar 535 mijë vaksina dhe 600 mijë të tjera nga Austria. Megjithatë, detajet ishin të paqarta, gjë që linte shumë hapësirë për dyshime. Sidoqoftë, për të luftuar Kovid-19 dhe për të siguruar vaksinat, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një buxhet prej 40 milion euro. Përkundër të gjitha këtyre, institucionet e Kosovës dështuan të sigurojnë vaksinat deri në fund të muajit mars dhe mbetën vendi i fundit në Ballkan që ka filluar procesin e imunizimit.

Rritja e numrit të rasteve pozitive me Kovid-19

Vonesa në procesin e vaksinimit po shoqërohet me një numër të lartë të infektuarve. Nga fundi i marsit dhe deri në mes të prillit, numri i të infektuarve lëviz nga 345 deri në 800 raste në ditë, dhe numri i vdekjeve, mesatarisht nga 9 deri në 17 në ditë. Si rrjedhojë, në vitin 2021 filloi një fazë e re me numër të lartë të infektuarve. Për më tepër, një shqetësim tjetër është përhapja e të ashtuquajturit lloj britanik i Kovid-19, i cili përkeqëson edhe më shumë gjendjen shëndetësore të pacintëve. Me 13.186 raste aktive dhe 99.535 raste të regjistruara pozitive që nga marsi i vitit 2020, Kosova po përballet me një problem të madh në sistemin e saj shëndetësor. Në këtë situatë, kapacitetet e institucioneve shëndetësore janë shterur për shkak të numrit të lartë të rasteve klinike dhe mungesës së infrastrukturës së duhur. Nëse shtojmë edhe problemin e imunizimit, situata duket mjaft zhgënjyese.

Duhet thënë se problemi është i shumëanshëm: së pari, vendosmëria e qeverisë dhe strategjia për imunizim nuk i përmbushën objektivat e saj në sigurimin e vaksinave të vetë-financuara. Përpjekjet dhe koha e negociatave me prodhuesit e vaksinave ishin shumë të vonuara për Kosovën. Megjithëse, ministri i shëndetësisë deklaroi se vonesa në sigurimin e vaksinave kishte të bënte me faktin se Kosova nuk është pjesë e BE-së dhe OBSH-së, gjë që i ndërlikoi gjërat edhe më shumë. Së dyti, Qeveria e Kosovës u mbështet plotësisht në BE-në dhe mekanizmin COVAX i cili parashikonte rreth 360.000 doza vaksinash falas për Kosovën si pjesë e planit rajonal. Si pasojë, Kosova mbeti me pak alternativa për të siguruar vaksina për qytetarët e saj.

Përveç kësaj, Kosova kaloi nëpër një proces zgjedhor gjatë të cilit vaksinat patën fjalën kryesore në fushatë. Fushatën e dominuan premtimet për qindra-mijëra vaksina, megjithatë partive politike u mungonte një plan i qartë se si do të siguroheshin këto vaksina. Paqëndrueshmëria politike në kohën e pandemisë ka shkaktuar një rrëmujë të madhe në lidhje me prokurimin e vaksinave dhe në menaxhimin e situatës pandemike në përgjithësi.

Përparësia e politikës mbi shëndetin publik

Sidoqoftë, dështimi i institucioneve për të siguruar vaksinat, në radhë të parë ishte për shkak të dhënies përparësi politikës, e jo vaksinave. Duke marrë parasysh qeverisjen e dy garniturave qeveritare në mes një pandemie globale, kjo shkaktoi vonesa institucionale në furnizimin e vaksinave. Deri në muajin gusht 2020, Kosova nuk e kishte miratuar dhe ndryshuar Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë KOVID-19. Për më tepër, ngecja e Kosovës për t’u furnizuar me vaksina ishte edhe për shkak të paaftësisë së lobimit. Institucionet mund të kishin bërë më shumë sa i përket lobimit me kompani private për të blerë vaksinat, dhe në rastet më të mundshme për të siguruar donacione. Për të siguruar vaksinat është dashur të ketë një bashkëpunim dhe angazhim më thelbësor institucional midis ministrive (jo vetëm Ministrisë së Shëndetësisë), agjencive qeveritare dhe udhëheqësve të shtetit.

Kështu kaloi edhe muaji shkurt dhe vaksinat nuk ishin në horizont. Paaftësia për të mbrojtur shëndetin publik në kohën e pandemisë ishte evidente. Në mungesë të vaksinave, rreth 500 punonjës shëndetësorë të Kosovës u vaksinuan në Shqipëri. Premtimet për dozat e para të vaksinave tani u shtynë për në muajin mars. Më në fund, më 28 mars u paraqit një dritë në fund të tunelit – 24.000 doza të vaksinave mbërritën në Kosovë. Kontingjenti i vaksinave që arritën në Kosovë u sigurua nga UNICEF-i përmes mekanizmit COVAX. Ky kontigjent është pjesë e 100.800 dozave të vaksinës AstraZeneca që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Burimi: exit.al

Kryeministri i zgjedhur së fundmi, Albin Kurti dhe ministri i shëndetësisë organizuan një pritje zyrtare të vaksinave duke shënuar rëndësinë e kësaj ngjarje dhe duke premtuar se numri i vaksinave do të rritet. Së bashku me Ushtruesin e Detyrës së Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Përfaqësuesin e KB-ve dhe ambasadorin e Britanisë së Madhe, Kryeministri i Kosovës shprehu mirënjohje për mekanizmin COVAX, në këtë mënyrë duke treguar gatishmërinë dhe vendosmërinë për të bashkëpunuar edhe më shumë në sigurimin e më shumë dozave të vaksinave. Sidoqoftë, të qenit i fundit në sigurimin e vaksinave dhe prapa shteteve të tjera në procesin e imunizimit do të ketë pasoja për shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës.

Plani shtetëror i vaksinimit

Qeveria e mëparshme nën kryeministrin Avdullah Hoti, në muajin shkurt, përmes institucioneve shëndetësore kompetente në Kosovë hartoi Planin Shtetëtor të Vaksinimit kundër KOVID -19. Sipas këtij plani, Komiteti i Vaksinimit ka parashikuar që pas furnizimit të vaksinave, procesi do të kryhet në tri faza. Faza e parë: Vaksinimi i grupeve me rrezik më të lartë që përfshijnë punëtorët shëndetësorë, qytetarët dhe punonjësit shëndetësorë në shtëpitë e pleqve, grupmosha mbi 80 vjeç dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike. Faza e dytë: Në këtë fazë përfshihen grupmosha 65-79 vjeç, pjesa e mbetur e popullsisë me sëmundje kronike, mësuesit dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë KOVID-19, të cilat përbëjnë 306.000 individë ose 17 përqind të popullsisë së përgjithshme. Ndërsa në fazën e fundit, plani parashikon vaksinimin e 50 përqind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë njerëz ose mbulimin e 70 përqind të popullsisë së përgjithshme me vaksina të administruara kundër KOVID-19.

Zbatimi i planit u karakterizua me vonesa, siç u shpjegua në këtë artikull. Filloi të zbatohet faza e parë, megjithatë numri i vaksinave të marra nuk ishte në përputhje me planin. Ishin dorëzuar vetëm 24.000 vaksina në vend të 54.000 siç ishte planifikuar. Deri më tani janë vaksinuar rreth 10 mijë qytetarë, duke rënë nën kategorinë e fazës së parë, përkatësisht ata që konsiderohen ndër grupet më të rrezikuara. Në të njëjtën kohë, qeveria vendosi masa të reja kufizuese si ora policore, duke lejuar restorantet të punojnë sipas parimit “take away”, kurse shkollat u urdhëruan të punojnë online.

Në këto kohë dëshpërimi, ka nevojë për pak dritë, megjithëse nuk duket se do të ketë së shpejti. Kontingjenti i parë i vaksinave të dorëzuara siguroi vetëm një shkëlqim të shkurtër të asaj drite. Sidoqoftë, afati kohor për vaksinat e mbetura dhe shpërndarjen e tyre është vështirë të parashikohet, pasi pengesat janë të shumta.

Qeveria e zgjedhur së fundmi ka në plan të realizojë vaksinimin e 60% të popullsisë. Në planin e tij për luftën kundër KOVID-19, Kryeministri Kurti parashikon të realizojë një bashkëpunim me vendet fqinje si Shqipëria. Gjithashtu, ai theksoi se Kosova do të fillojë përgatitjet për të aplikuar për pranim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Pritjet janë më të larta tani pasi qeveria e re fitoi një fitore bindëse në tërë territorin e vendit. Megjithatë, problemet në sigurimin e vaksinave janë evidente pasi Kosova mbetet në një pozitë komplekse gjeopolitike.

Diplomacia e vaksinave

Megjithëse nuk është një rajon shumë i madh, Ballkani ka tërhequr vëmendjen e vendeve më të mëdha në shpërndarjen e vaksinave, në veçanti të vendeve si Kina dhe Rusia. Sidoqoftë, përdorimi i vaksinave për përfitime politike nuk është çështje vetëm e vendeve më të mëdha. Serbia, për shembull, ka treguar gatishmëri për të vaksinuar qytetarët serbë të Kosovës, duke treguar në këtë mënyrë se posedon “aksione” në sovranitetin e Kosovës. Kështu, ka filluar një fushatë vaksinimi në veri të Kosovës nga Serbia, e cila nga Kosova është konsideruar si një provokim politik.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka dështuar të sigurojë vaksinat për qytetarët e saj deri në fund të marsit, megjithëse është premtuar që ta bëjë këtë për disa muaj. Në këtë kontekst, BE-ja gjithashtu kishte vonesa në sigurimin e vaksinave për Kosovën, përkundër paketës së Komisionit Evropian prej 70 milion euro për qasje të hershme të Ballkanit Perëndimor në vaksinat e BE-së. Në këtë situatë, Qeveria e Kosovës bëri deklarata politike se nuk do të pranojë vaksina nga Lindja, duke aluduar në vaksinën ruse Sputnik V dhe atë kineze.

Pavarësisht se është një çështje e shëndetit kombëtar, origjina e vaksinave është një barrë shtesë për vendet, veçanërisht për Kosovën, e cila nuk përafrohet politikisht, as nëpërmjet marrëdhënieve diplomatike me vendet e lartpërmendura. Sidoqoftë, vonesa e BE-së dhe vendeve të tjera perëndimore për të ofruar më shumë për një vend si Kosova, u lë hapësirë të tjerëve të paktën që të përpiqen të zgjerojnë ndikimet e tyre gjeopolitike përmes vaksinave. Sidoqoftë, Kosova ka refuzuar deri më tani vaksinat nga Qeveria e Serbisë, ose ndonjë aktor tjetër shtetëror që nuk ka marrëdhënie diplomatike me Kosovën.

Në përgjithësi, procesi i sigurimit të vaksinave për qytetarët e Kosovës është kompleks dhe i ndikuar nga shumë faktorë. Duke pasur parasysh dy garniturat qeveritare gjatë pandemisë në një periudhë 1-vjeçare, lë hapësirë për të ndarë dështimet dhe fajet. Dështimi kryesor i qeveri(ve)së ishte paaftësia për të siguruar vaksinat. Paradokset e përjetuara gjatë kësaj pandemie janë të ngjashme me ato të filmave “thriller” ku jeta e qytetarëve vihet në rrezik për shkak të makinacioneve politike të bartësve politikë.

Pra, institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme në sigurimin e vaksinave përmes mekanizmave të lobimit me kompanitë private; të bashkëpunojnë dhe koordinohen me institucionet ndërkombëtare, në veçanti me vendet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe të kërkojnë donacione vaksinash. Koordinimi i institucioneve brenda vendit është një nevoje e domosdoshme për të luftuar Kovid-19. Zbatimi i planit të qeverisë për pandeminë Kovid-19 duhet të shoqërohet me vlerësim të vazhdueshëm dhe duhet të zbatohen strategji të reja dhe të sakta bazuar në nevojat e qytetarëve.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button