Arsimi n’pandemi: mes “katastrofës breznore” dhe “zhvendosjes paradigmatike” (2)

Mrinal Mohit, ekspert indian thotë se në të ardhmen arsimi do të kombinojë mësimin online me atë offline dhe duhet të gjejë balancin diku në mes, se sektori i arsimit do duhet të kalojë nga qasja një-për-shumë në atë të mikste një-për-një (one-on-one), duke u siguruar nxënësve/studentëve më të mirën si të botës fizike ashtu edhe të asaj digjitale (Li & Lalani, 2021).

Yuval Noah Harari në bestsellerin e vet “21 mësime për shekullin 21” kritikon shkollat që fokusohen te shkathtësitë tradicionale dhe mësimi përmendësh, duke nënvizuar se suksesin në të ardhmen do ta përcaktojnë mendimi kritik, zgjidhja e problemeve, bashkëpunimi dhe përshtatshmëria, të mësuarit përmes lojës, ndërveprimet përmes video-lojërave (gameplay interactions). Këto elemente, sipas tij, do ta mbziotërojnë dizajnin arsimor, qoftë digjital, balla për ballë ose hibrid. Do të ketë mësim të personalizuar, ku mësimdhënësit do duhet që t’i bëjnë nxënësit të ndjehen më të frymëzuar, më të sigurt, me të vlerësuar dhe t’i mësojnë të nxënë “në mënyra që më parë kanë qenë të pamundshme”.

Pas Covid-19 shkollat dhe universitetet do duhet që të transformohen nga kultura e ligjërimit (teaching culture) në atë të të mësuarit apo nxënies (learning culture). “Ka mësimdhënës që ligjërojnë në mënyrën tradicionale. Dhe ka edhe mësimdhënës të mëdhenj që janë mësonjës/ligjërues model. Ata nuk shfaqen sikur dinë gjithçka, ata në vepër tregojnë se si duket të mësuarit mbresëlënës.” – shprehet Sean Tierney, Drejtor për Strategji të Mësimdhënies dhe Nxënies i Microsoftit për Azinë.  (Spencer, 2020) Në të ardhmen të dhënat e kohës reale, inovacionet dhe inteligjenca artificiale, dhe shumë vegla të tjera do të transformojnë rolet dhe marrëdhëniet e nxënësve, studentëve, mësuesve, profesorëve dhe prindërve. Në këtë drejtim edukimi do kalojë përtej mureve të klasës, edukimi s’do mund të ngujohet brenda katër mureve shkollore-universitare, shkathtësitë digjitale do të jenë kyçe. Porosia ekstreme për mësimdhënësit është: Digitize or perish! (Digjitalizo[hu] ose vdis!) Asgjë më s’do të jetë si më parë edhe në arsim: studentët do duhet të inspirohen në rrugën e vetë-nxënies së përjetshme (life-long self-learning). Mësimi i personalizuar dhe të dhënat e kohës reale mund të shihen edhe si fund i cikleve aktuale të leksioneve dhe testeve; vlerësime do të ketë por në kohë reale. Onion Academy ofron një produkt mësimor të së ardhmes që kombinon inteligjencën artificiale dhe video animacionet që shpalosin pika të dijes dhe mjete të mendimit. Animacionet zgjasin mesatarisht 5 deri në 8 minuta, shoqëruar nga ushtrime pas-klasore në aplikacion për të ndihmuar nxënësin t’i shqyrtojnë konceptet e reja aty për aty dhe të kultivojë të mësuarit e vetëdrejtuar.

Ndryshime të mëdha duhet të ndodhin, zhvendosja paradigmatike është domosdoshmëri, përndryshe do kemi breza të paarsimuar vërtetësisht. Joint Research Center i Komisionit Europian sugjeron këto pika për t’iu përshtatur konditave të reja të (pas)pandemisë:

  • Sigurimi i akcesit në internet (me shpejtësi të mirë), kompjuterë personale, laptopë ose tabletë.
  • Krijimi i Mjediseve të përshtatshme të Mësimit Virtual (VLE); MMV (Mjediset e Mësimit Virtual) nxënësve mund t’u sigurojnë nxënësve qasje te burimet arsimore, t’i lidhin ata me mësimdhënësit dhe me leksionet online.
  • Rimendimi i rolit të arsimit përmes mediave, TV/radio, përmes programeve që do t’i përfshijnë ata që s’kanë akces te interneti.
  • Krjijimi i mundësive për qasje te teknologjitë e mësimdhënies për nxënësit me nevoja të veçanta dhe invaliditet (SEND).
  • Mbështetje për mësimdhënësit: si ta përshtasin rolin e vet në një kontekst ku ata mund të komunikojnë vetëm online, kur edhe nxënësit e humbin motivimin për ndjekje të mësimit klasik. Avancim i kompetencave digjitale të mësimdhënëse dhe të shkathtësive pedagogjike për mësim online dhe për modele mikste.
  • Mbështetje për prindërit që t’i ndihmojnë fëmijët e tyre që s’duhet të lihen të përballen të vetëm me sfidat e mësimit online; prindërit duhet të përfshihen në dizajnimin dhe implementimin e strategjive të reja arsimore. Komunikimi i rregullt dhe i detajuar mes prindërve, mësuesve dhe shkollës është fundamental për një arsimim të suksesshëm online. (Di Pietro et al., 2020)

Lidhur me ardhmërinë e arsimit një gjë është e sigurt: sado që të përparojë, sado që të digjitalizohet, faktori njeri-mësimdhënës mbetet i pashmangshëm, madje kyçi. Sepse makina dhe teknologjia nuk mund ta kuptojnë fëmijën, njeriun, nuk mund ta perceptojnë botën e tyre. Brezi i ri është ai i epokës digjitale, por mbetet brez edhe me dimensionin e tyre njerëzor që ndërtohet në komunikim me njerëzit, mes tjerash edhe përmes arsimit si një nga agjentët kryesrë të socializimit dhe të formimit human si qenie e ndërlikuar. Andaj në këtë kohë krize, komunikimi me fëmijët është shumë i rëndësishëm, është jetik për vitalitetin e tyre, për shpirtin e tyre të thyer nga kjo zhvendosje paradigmatike shumëdimensionale që është duke ndodhur globalisht.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button