fbpx

Rusia paralajmëroi hakmarrje ndaj Republikës Çeke për dëbimin e diplomatëve

Republika Çeke ka thënë se ka informuar NATO-n dhe Bashkimin Evropian për përfshirjen e dyshuar të Rusisë në shpërthimin vdekjeprurës në një depo të municionit më 2014, dhe dëbimin e 18 diplomatëve rusë, duke i akuzuar ata se kanë qenë spiunë, meqë inteligjenca çeke ka lidhur agjentët ushtarakë rusë me këtë shpërthim, shkruan REL.

Si pasojë e këtij shpërthimi kanë vdekur dy persona.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Çekisë Jan Hamacek ka thënë më 18 prill se kjo çështje do të diskutohet në një takim të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian më 19 prill.

Dëbimet dhe supozimet e ngritura nga çekët kanë nxitur mospajtimet më të mëdha me Rusinë prej vitit 1989, njëherësh përfundimit të rregullit komunist, kur Praga ka qenë nën dominimin e Moskës për dekada.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë thënë se solidarizohen me Republikën Çeke në këtë mospajtim.

Kryeministri çek Andrej Babish ka thënë se shteti është dashur të veprojë ndaj publikimeve që lidhin shpërthimin me shërbimin ushtarak të inteligjencës së Rusisë, GRU.

Në një konferencë televizive të shtunën, Babish ka thënë se 18 diplomatët, të cilët janë identifikuar se kanë punuar për shërbimet ruse të inteligjencës, kanë 48 orë për t’u larguar nga shteti.

“Ka dyshime të arsyeshme se agjentët sekretë rusë të shërbimit GRU, kanë qenë të përfshirë në shpërthimin e vitit 2014 në depon e armëve në fshatin çek Vrbětice”, ka thënë ai.

Rusia paralajmëron hakmarrje

Ministria e Jashtme në Rusi ka thënë të dielën se do të hakmerret kundër Republikës Çeke për vendimin e marrë.

“Ne do të marrim masa hakmarrëse, të cilat do të detyrojnë autorët e këtij provokimi të kuptojnë plotësisht përgjegjësinë e tyre për shkatërrimin e lidhjeve normale në mesin e vendeve tona”, ka thënë kjo ministri përmes një deklarate, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

Pse tani?

Shkaku i shpërthimit nuk ishte bërë i ditur publikisht asnjëherë më parë.

Ende është e paqartë nëse ka janë siguruar informacione të reja, që kanë shtyrë autoritetet çeke të bëjnë këtë njoftim, dhe pse Qeveria ka vendosur të marrë veprim kundër rusëve.

Në disa raportime të pakonfirmuara mediale është thënë se armët në depon e shkatërruar të armëve mund ta kenë pasur destinacion Ukrainën, e cila më 2014 ka qenë duke luftuar me luftëtarët e mbështetur nga Rusia, në lindje të Ukrainës.

Lidhja e agjentëve me rastin Skripal

Në njoftimin e tij, Babish ka fajësuar agjencinë e inteligjencës ushtarake në Rusi, GRU, dhe specifikisht njësitin sekret të njohur si 29155.

Ky njësit ka qenë i lidhur me një seri të komploteve për vrasje dhe sabotazhe nëpër Evropë, përfshirë helmimin e agjentit Sergei Skripal më 2018, në Sallsbëri të Anglisë.

Policia çeke ka bërë thirrje për ndihmë për gjetje të dy individëve, të cilët kanë qenë në Çeki në periudhën 11 tetor – 16 tetor 2014, fillimisht në Pragë, dhe më pas në zonën ku gjendet depoja e armëve.

Ajo është duke kërkuar për të dyshuarit me identitetet Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, në lidhje me shpërthimin.

Këta janë emra që janë shfrytëzuar nga dy zyrtarë të inteligjencës ruse, për të cilët Mbretëria e Bashkuar ka thënë se kanë kryer sulmin me agjent nervor në Sallsbëri më 2018.

Fotografitë e publikuar nga Policia çeke, flasin për personat e njëjtë, sikurse ato që ka publikuar policia britanike.

Pas incidentit në Sallsbëri, të dy burrat janë identifikuar si Alexander Mishkin dhe Anatoliy Chepiga dhe janë paraqitur në një televizion rus, duke pretenduar se janë nutricionistë, të cilët kanë vizituar Sallsbërin, për të parë majën e një katedraleje.

Megjithatë, autoritetet britanike kanë thënë se ata kanë qenë pjesë e GRU-s dhe kanë hedhur agjent nervor Noviçok, në dorezën e derës së shtëpisë së Skripalit, ish-zyrtar i GRU-s.

Për pasojë, Skripal dhe vajza e tij kanë qenë të sëmurë, dhe tani janë shëruar.

Një grua që ka banuar në afërsi Dawn Sturgress, ka vdekur disa muaj më vonë, pasi është helmuar nga agjenti nervor, që ka mbetur në një shishe të hedhur në plehra.

“Ne jemi në situatë të ngjashme me atë të Britanisë, pas tentimit për helmim në Sallbëri më 2018”, ka thënë ministri i Jashtëm çek Jan Hamáček, kur ka bërë të ditura rezultatet e hetimeve.

Rusia është përgjigjur duke thënë se kushtetuta e saj nuk lejon që qytetarët e saj të ekstradohen.

Politikani rus Vladimir Dzhabarov ka thënë se pretendimet e Republikës Çeke janë absurde dhe se reagimi rus ndaj dëbimit të diplomatëve do të jetë i njëjtë, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, Interfax.

Presidenti i Senatit çek, ka sugjeruar se shpërthimi i vitit 2014 mund të konsiderohet akt i “terrorizmit shtetëror”.

“Nëse konfirmohet kjo, ne duhet t’i konsiderojmë veprimet e shërbimeve sekrete ruse si manifestim serioz të agresionit dhe armiqësisë, e cila mund të përshkruhet edhe si akt i terrorizmit”, ka thënë para gazetarëve, Milos Vystrcil, kundërshtar politik dhe kritik i Babishit.

“Është e domosdoshme që të veprojmë qartë, me besim dhe ashpër”.

Ambasada amerikane në Pragë ka thënë përmes një postimi në Twitter se “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë bashkë me aleaten, Republikën Çeke. Ne vlerësojmë veprimin e tyre të rëndësishëm, ashtu që Rusia të paguajë për veprimet e rrezikshme në tokën çeke”.

Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar 10 diplomatë të ambasadës ruse në Uashington të enjten, si përgjigje ndaj një sulmi kibernetik dhe aktiviteteve tjera ruse.

Moska është përgjigjur njëjtë, duke kërkuar nga 10 diplomatë amerikanë në Moskë, që të largohen nga Rusia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button