Site icon PORTALB

Tetovë, policia nuk reagoi në denoncimin për dëmtimin e pronës publike gjatë orës policore, sot u dogjën kontenjerët

Kontejneri i djegur në Tetovë.

Kontejneri i djegur në Tetovë.

Gazetari i Portalb.mk para katër ditëve ka denoncuar në polici dëmtimin e pronave publike dhe prishjen e rendit dhe qetësisë nga disa persona të panjohur. Por kjo kërkesë asokohe hasi në veshin e shurdhër të kompetentëve të policisë. Sot, dëmi është më i madh, personat e kanë djegur një kontejner në të njëjtin vend ku ditë më herët i dëmtonin ata duke i shkelmuar, shkruan Portalb.mk. Dhe për këtë, policia gjatë bisedës telefonike potencoi se i kanë lajmëruar disa herë, por “nuk kanë çfarë të ju bëjnë”.

Kontejneri i cili digjej ishte në rrugën e Ilindenit, sipas dëshmitarëve okular, djegia e mbeturinave dhe kontejnerit ka ndodhur nga disa persona të papërgjegjshëm që çdo natë gjatë orës policore janë në të njëjtin vend.

“Po, i pamë. Janë një grup personash, ka të mitur dhe ka më të moshuar. Gati çdo ditë gjatë orës policore janë në këtë vend dhe dëmtojnë prona, shkelmojnë kontejnerët dhe pamundësojnë veturave të kalojnë andej” tha një prej dëshmitarëve okular, i cili jeton në ndërtesën ku edhe u dogj kontejneri.

Njoftojmë se gazetari i Portalb.mk, 4 ditë më herët apo me datë 14 prill e njoftoi policinë e vendit për këtë grup personash që dëmtonin pronat publike, në numrin zyrtar të policisë (192), arritëm të marrim përgjigje nga policia në tentativën e tretë.

“Po, na kanë lajmëruar edhe më herët për këtë grup personash por nuk kemi çfarë të ju bëjmë, ata ikin kur shkojnë punonjësit policor. Ju faleminderit” kjo ishte përgjigja e policisë.

Përveç kësaj, vlen të potencohet se këta persona përveç dëmtimit të pronave publike kanë shkelur edhe masën e kufizimit të lëvizjes nga ora 20:00 deri në 05:00 si masë parandaluese për përhapjen e Kovid-19.

Kontejnerët e dëmtuar nga grupi i papërgjegjshëm, foto: 14 prill 2021.

Megjithatë, si pasojë e mos marrjes së masave adekuate për parandalimin e krimeve të mundshme nga ky grup personash, të njëjtit sot kanë djegur kontejnerin në rrugën e Ilindenit dhe kanë shqetësuar banorët e lagjes.

Ndryshe, reagimi nga ana e zjarrfikësve ishte i shpejtë dhe arritën që në kohë rekord të lokalizojnë zjarrin.

Exit mobile version