Subvencionet e vetmja masë e autoriteteve për të stimuluar qytetarët të ngasin biçikleta

Subvencionet për blerjen e biçikletave që kanë filluar të jepen në disa komuna të Maqedonisë vitet e fundit janë masa e vetme nxitëse nga institucionet për qytetarët për të hipur më shumë biçikleta në mjediset ku jetojnë. Ndër qeveritë lokale që shpërndajnë subvencione për qytetarët është Qyteti i Shkupit, i cili këtë vit do t’u japë subvencione qytetarëve të interesuar deri në 3,000 denarë nëse blejnë biçikletë. E njëjta sasi e fondeve ndahen nga komunat e tjera, të cilat ofrojnë subvencione duke shpallur thirrje publike sipas parimit “të parë që vijnë-të parët shërbehen”, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Kjo është masa e vetme, e drejtpërdrejt për qytetarët, e komunave për të mbështetur transportin me biçikleta, ndërsa shteti nuk ka ndonjë masë për të stimuluar qytetarët të ngasin më shumë biçikleta gjatë udhëtimeve të tyre. Ndryshe nga transporti me biçikleta, ekzistojnë masa për të mbështetur transportin rrugor, nga subvencionet për instalimin e pajisjeve të gazit në automjete te subvencionet e paralajmëruara për blerjen e automjeteve hibride dhe për ndryshimin e makinave të përdorura që ndotin ajrin më shumë me automjete me standarde EURO 5 dhe 6.

“Meta.mk” i analizoi shembujt pozitivë nga jashtë, ku shteti, punëdhënësit dhe komunat përmes një serie masash i stimulojnë qytetarët që të përdorin biçikleta në baza ditore në udhëtimet e tyre nëpër qytete dhe midis qyteteve.

Mbështetje financiare për përdoruesit e transportit me biçikleta

Punëdhënësit në Holandë mund të paguajnë punonjësit e tyre – çiklistët një kompensim kilometrazhi deri në 0.19 euro për kilometër (pa taksë), e cila është e njëjtë me shumën që e marrë punonjësit të cilët shkojnë në punë me makinë, është e shënuar në faqen e internetit të qeverisë holandeze.

Britaninë e Madhe, qeveria ka përfshirë një paketë të veçantë për punonjësit që udhëtojnë me biçikletë për në punë, model që lejon punonjësit të marrin biçikleta dhe pajisje me zbritje përmes punëdhënësve të tyre. Kompania blen biçikletën për punonjësin dhe ia jep atë me qira për një periudhë prej zakonisht 12 muajsh, është shpjegimi në ueb-faqen zyrtare të cyclescheme.co.uk. Një shumë zbritet nga paga bruto e punonjësit në bazë mujore për të paguar biçikletat.

Ngjashëm me Holandën qytetarët, të cilët përdorin biçikleta për të kryer punët, në Britaninë e Madhe mund të marrin 0.26 dollarë për kilometër. Kjo masë nuk përfshin ata punonjës që e përdorin biçikletën për të shkuar në punë, por ata që kanë nevojë për këtë mjet transporti për të kryer detyrat e tyre të punës.

Stimulime të ngjashme kanë përfshirë edhe Belgjika e Luksemburgu, ndërsa Franca vitin e kaluar u paguan çiklistëve nga 50 euro secili për të riparuar biçikletat e tyre pas një bllokimi për shkak të pandemisë kovid-19. Vetëm për këtë masë, qeveria franceze ka ndarë 20 milion euro, raporton Reuters. Përveç kësaj, Ministrja franceze e mjedisit jetësor Elizabet Born ka paralajmëruar një program qeveritar që do t’u lejojë punëdhënësve të mbulojnë deri në 400 euro në shpenzime të udhëtimit për punonjësit që shkojnë me biçikletë për të punuar.

Biçikleta falas për qytetarët

Blerja e biçikletave falas për përdorimin e një kategorie të caktuar qytetarësh është masë e iniciativave të ndryshme, që është er pranishme pothuaj disa dekada në vendet e Evropës Perëndimore. Qeveria Suedeze prezantoi një program biçikletash falas për banorët e Geteborgut disa vjet më parë, në të cilin qytetarët do të duhet të mos përdorin makinat e tyre të paktën tre herë në javë.

Birmingam, Britania e Madhe, është përfshirë një program për banorët e pjesëve më të varfra të qytetit, me të cilin ata mund të aplikojnë për biçikletë falas, me kusht që të bien dakord të përdorin këtë si mjet udhëtimi. Çdo qytetar mbi moshën 16 vjeç mund të aplikojë dhe mund të jepen maksimumi dy biçikleta për një familje, thuhet në ueb-faqen e Birmingamit

Çiklistët njihen dhe pranohen si pjesëmarrës në trafik

Disa muaj më parë, Franca përfundoi rrugën kombëtare të biçikletave prej Parisit deri në Dovil prej 420 kilometrash. Kjo autostradë për çiklistë është vetëm një nga 48 rrugët nacionale që po ndërtohen në të gjithë Francën si infrastrukturë strategjike për të lidhur qytetet me shtigje për biçikleta. Këso “autostrada për biçikleta” midis qyteteve ekzistojnë në Holandë dhe vende të tjera evropiane, në mënyrë që të përfshijnë biçikleta në trafikun ndërurban.

Gjithashtu, në zonat urbane, “zonat 30” me kufizimin e shpejtësisë për automjetet në 30 kilometra në orë, së bashku me heqjen e një pjese të rrugës për korsi të biçikletave,krejt kjo me synimin për të stimuluar njëkohësisht përdorimin e biçikletave dhe për të rritur sigurinë në komunikacion. Me përjashtim të shembujve pozitivë nga një pjesë e vogël e autoriteteve komunale në Shkup në 3-4 vitet e fundit në disa rrugë në kryeqytet, kjo zgjidhje nuk është zbatuar sistematikisht në vendin tonë.

Ndër lehtësirat e vendeve të tjera janë terminalet Park & ​​Ride, ku pronarëve të makinave nga vendbanimet e tjera u lejohet të parkojnë makinën e tyre falas jashtë qytetit dhe të vazhdojnë me biçikletë deri në destinacionin e tyre përfundimtar, por dhe mundësia për të transportuar biçikletën me mjetet e transportit publik (autobus, tren, tramvaj) nëpër qytete. Edhe pse mundësi të tilla janë paralajmëruar në Shkup disa vite me radhë, ato kurrë nuk janë realizuar si projekte për qytetarët që ata të mund të përdorin rregullisht këto përfitime.

Në të njëjtën kohë, Maqedonia është një nga vendet e pakta Evropiane që ka ndërtuar gjithsej 0 km të infrastrukturës së saj kombëtare të biçikletave, dmth nuk ka një rrugë të vetme biçikletash që do të lidhte qytetet fqinje. Veç kësaj, institucionet shtetërore dhe komunale e bartin përgjegjësinë për atë se kush është përgjegjës për ndërtimin e shtigjeve të biçikletave midis qyteteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button